Ndërlidhjet

Në pritje të rezultateve përfundimtare


KQZ-ja nuk ka shpallur as të mërkurën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndonëse ishte paralajmëruar një gjë e tillë. Ndërkohë, KZAP-i po i shqyrton ankesat e subjekteve politike lidhur me zgjedhjet e 15 nëntorit.


Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk kanë shpallur as të mërkurën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, megjithëse ishte paralajmëruar një gjë e tillë.

Shpallja e rezultateve përfundimtare është shtyrë për nesër, edhe pse sërish nuk ka vendim përfundimtar.

Ndryshe, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa po shqyrton ende ankesat e subjekteve politike, ndërkohë që tashmë ka anuluar rezultatet e zgjedhjeve në 15 vendvotime.

Anulimi, sipas KZAP-it, është bërë pasi që, siç thuhet, rezultatet e rinumërimit të votave kanë ofruar dëshmi të bazuara për parregullsi serioze, ose mashtrim zgjedhor të qëllimshëm.

Tetë vendvotime janë anuluar në Gjakovë, tri në Lipjan, dy në Shtime, një në Malishevë dhe një në Shtërpcë.

Kryetari i KZAP-it, Tahir Rreci, nuk dha detaje se për çfarë lloj mashtrimesh zgjedhore bëhet fjalë.

“Ne kemi pretenduar se ekzistojnë shkeljet ligjore, mbi bazën e të cilave duhet të anulohen. Detaje nuk mund t’ju komunikoj tash”, tha Rreci.

Ndërsa, Osman Tmava, njëri nga anëtarët e panelit të KZAP-it, që ka marrë vendimin për anulim, tha se “komente të vendimeve nuk jepen”.

Aty kemi të bëjmë me parregullsitë. Parregullsitë - është një nocion i gjerë, përfshin shumë veprime të ndryshme në kuptim të formës që paraqitet. Nuk kisha mundur tash ta specifikoj, sepse nuk e kam dosjen këtu. Por, të gjitha arsyet për anulimin si masë e fundit janë dhënë në atë vendim”, tha Tmava.

Në anën tjetër, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, bëri të ditur se parregullsitë kanë të bëjnë me falsifikim nënshkrimesh.

“Së pari kemi pasur vendimin e KZAP-it për rinumërim. Pasi që është bërë rinumërimi në qendrën për rezultate, rezultatet janë dërguar në KZAP. Pastaj, KZAP-i ka urdhëruar që rezultatet në këto vendvotime të anulohen. KZAP-i ka gjetur parregullsi, ka gjetur se një numër i konsiderueshëm i nënshkrimeve nuk ka qenë në rregull”, shpjegoi Lushta.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se mund të paraqesë ankesë në KZAP në lidhje me vendimin për anulimin e vendvotimeve në Komunën e Gjakovës, ku kandidati i kësaj partie, Pal Lekaj, ka fituar në garën për kryetar që në raundin e parë. Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Blerim Burjani, ka thënë se vendimi i KZAP-it ka qenë politik.

Kryetari i KZAP-it, Tahir Rreci, tha se ankesat do të merren parasysh, por hodhi poshtë pohimet për politizim.

Kemi disa ankesa në vendimet tona. Në bazë të ligjit, ne duhet t’i shqyrtojmë edhe ankesat, sepse neni 118, Ligji për zgjedhjet lejon mundësinë që kundër vendimeve të KZAP-it të paraqitet ankesë. KZAP, ex officio apo sipas detyrës zyrtare, ka të drejtë të rishqyrtojë vendimet e veta, nëse pala, me ankesë kundër vendimit, ofron prova dhe dëshmi të reja”.

“Ne e shqyrtojmë ashtu që eventualisht mund edhe t’i ndryshojmë ose t’i lëmë në fuqi vendimet që i kemi marrë. Ne nuk jemi të ndikuar nga askush, e bëjmë punën në mënyrë shumë të pavarur”,
u shpreh Rreci.

Ndryshe, në qendrën e numërimit të votave janë duke u numëruar fletëvotimet e fundit me kusht. Kjo qendër pritet që sot të përfundojë numërimin e votave të zgjedhjeve të 15 nëntorit.
XS
SM
MD
LG