Ndërlidhjet

Observer: "Racizmi: Edhe zezak, edhe italian!?"



"
Observer"

Kultura e racizmit në Itali po del në sipërfaqe nga tifozët që keqtrajtojnë një lojtar me ngjyrë.

Një zezak nuk mund të jetë italian” është kënga e tifozëve racistë kundër Mario Balotelit, futbollistit 19-vjeçar të Milanit dhe që luan me përfaqësuesin e të rinjve të Italisë.


Në Angli, Gjermani apo në Francë, Baloteli do të bënte lajm në faqet sportive si një nga lojtarët më me të ardhme. Por, në fakt, sot ai përfaqëson vështirësinë e Italisë për të përqafuar një identitet shumetnik.

Baloteli u lind nga prindër ganez dhe u braktis në qytetin e Palermos. Më vonë u birësua nga një familje italiane dhe jetoi në Breshia.

“Dallimi është se Baloteli është plotësisht i zi dhe plotësisht italian. Kjo i ka provokuar tifozët ekstremistë”, thotë gazetari i 'Corriere della Sera', Sandro Modeo.

Në kohën kur imigrantët përbëjnë 7% të popullsisë së Italisë, shumë nga të ashtuquajtuarit “gjenerata e Balotelit” po bëhen gjithmonë e më të prekshëm për shoqërinë italiane.

Ata janë nënshtetas italianë, flasin gjuhën në dialektin e rajonit ku jetojnë, e, megjithatë, e kanë të vështirë të pranohen si italianë në një vend që e konsideron ende veten si i bardhë.

Për një tjetër gazetar të 'Corriere della Sera', Xhian Antonio Stela, racizmi në Itali është i dukshëm, derisa injorimi i fenomenit do të ishte i dëmshëm.

Por, pavarësisht vështirësive, gjenerata Baloteli, ku futen rreth gjysmë-milion fëmijë imigrantësh, të lindur e rritur në Itali, është gjithnjë e më e dukshme.

Ekipi kombëtar italian në kriket, për moshat nën 14-vjeç, në shkallë të madhe përbëhet nga fëmijë aziatiko-italianë. Po kështu, së fundi, një 11-vjeçare me origjinë kineze fitoi çmimin e parë për poezinë më të mirë të shkruar në dialektin e Lombardisë.

Kjo e fundit është qendra e Ligës së Veriut, grupimit politik që ka treguar mungesë të theksuar tolerance ndaj të huajve.

Një numër i madh imigrantësh po hyjnë në kulturën italiane. Kjo nuk do të thotë se kultura italiane po zhduket”, thotë Alesandro Çampi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Peruxhias.

Këta fëmijë, shton ai, “do të kenë më shumë probleme kulturore me prindërit e tyre sesa me shokët”.

E duke iu kthyer Balotelit, ka ndodhur që ai të mos t’i bëjë ballë presionit. Pasi tifozët e Romës i hodhën banane në stadium, ai i përqeshi pas shënimit të golit. Toti, kapiteni i Romës, tha se Baloteli “meritonte një shuplakë fytyrës” për këtë sjellje.

Baloteli iu përgjigj se “është e turpshme që njerëzit janë më të zhgënjyer nga ai se nga ata që i bërtasin dhe e fyejnë”.

Nëse Baloteli do të përzgjidhet nga trajneri i kombëtares italiane për të luajtur në Afrika e Jugut 2010 ky do të jetë sinjal për një periudhë të re për italianët me ngjyrë.

Dhe derisa njerëzit po e kuptojnë se Italia tashmë gjithmonë e më shumë përbëhet dhe nga njerëz të racave të tjera mbështetja për fillimin e ndryshimit po rritet dhe në mesin e spektrit politik. (I.B.)
XS
SM
MD
LG