Ndërlidhjet

KQZ e KZAP, vazhdojnë të mos kuptohen



Me 7 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që t’i kërkojë Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa një interpretim të vendimit të 19 dhjetorit, me të cilin ky organ udhëzoi KQZ-në që të shpallë rivotim për komunën e Prizrenit, Gjilanit dhe të Lipjanit.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se vendimi i anëtarëve të këtij institucioni është marrë për shkak të, siç tha ajo, paqartësive në lidhje me vendimin e KZAP-it.

“Vendimi që e mori sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jo që KZAP-i të ndryshojë këtë vendim - aspak, mirëpo vetëm të japë një sqarim përse në diapozitivin e vendimit të vet e ka përdorur termin ‘udhëzohet’ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Lushta.

Komisioni Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa udhëzoi të shtunën KQZ-në që të marrë vendim për rivotim në 3 komunat ku, siç thuhet, janë evidentuar parregullsi të shumta gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 13 dhjetor.

Ndërkohë bëhet e ditur se paneli i KZAP-it do të mblidhet të martën për të shqyrtuar ankesat e mbetura të subjekteve politike që i janë dërguar këtij institucioni në lidhje me rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.
XS
SM
MD
LG