Ndërlidhjet

Obama: Të sillen para drejtësisë sulmuesit e aeroplanit


Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalen derisa të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin kundër aeroplanit amerikan, të sillen para drejtësisë.

Në komentet e tij të para publike, prej se sulmi në Ditën e Krishtlindjeve dështoi, zoti Obama tha se ka urdhëruar rishikim të listës së Shteteve të Bashkuara për ata që janë të dyshuar dhe për procedurat e kontrollit në aeroporte.

- Ky ishte një përkujtim serioz i rreziqeve me të cilat ne ballafaqohemi dhe me natyrën e atyre që e kërcënojnë vendin tonë. Sikur i dyshuari të kishte pasur sukses për ta rrëzuar aeroplanin, do të mund të kishin vdekur afro 300 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit, civilë të pafajshëm, që përgatiteshin për të festuar me familjet dhe miqtë e tyre, tha presidenti Obama.

Shtetasi i Nigerisë, Umar Faruk Abdulmutallab, është i akuzuar për kontrabandim të materialit eksploziv dhe për përpjekje për ta hedhur në erë aeroplanin, derisa ai i afrohej qytetit Detroit, nga Amsterdami, më 25 të këtij muaji.

Dje, një krah i al-Kaidës e mori përgjegjësinë për sulmin e dështuar, duke thënë se përpjekja ishte për t’u hakmarrë ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara kundër anëtarëve të vet në Jemen.
XS
SM
MD
LG