Ndërlidhjet

2009: Bashkësia ndërkombëtare, humbësi më i madh


Viti 2009 ishte më i papërshtatshmi për rendin liberal botëror. Vizionet e botës, ku do të sundonte ligji, te mishëruara në idealizmin e SHBA-ve dhe konceptin e BE-së për ligje universale, sikur po zbrapsen.


Me afrimin e fundit të dekadës, pasiguria iu kthye botës në mënyrë hakmarrëse.

Depresioni ekonomik dhe pasiguria politike bënë një koktej të rrezikshëm, paralajmëroi historiani britanik, Toni Xhud, në një ligjëratë, në tetor, në Universitetin e Nju Jorkut.

Xhud i përkujtoi fjalët e ekonomistit Mejnard Kejns, i cili e studioi “fuqinë gërryese” të efekteve të kombinimit të pasigurisë politike dhe ekonomike në botën liberale.

Duket qartë se optimizmi që e shoqëroi përfundimin e Luftës së Ftohtë, është zbehur. Një rend i drejtë universal global nuk arriti ta zëvendësojë ndarjen e botës në blloqe kundërthënëse. Pretenduesit më të mëdhej të këtyre roleve, SHBA dhe BE, dështuan ta bëjnë punën e vet.

Idealet që ato i promovojnë, tashmë kanë filluar të margjinalizohen dhe dukshëm po kontestohen nga rivalët, prej Rusisë, Kinës e deri në Iran.

Në fillim, strategjia e transformimit vullnetar të BE-së dukej premtuese. Pas miratimit të Traktatit të Lisbonës, optimizmi sikur u shtua.

Benita Ferrero-Valdner

Komisionarja në largim, Benita Ferrero-Valdner, i tha Radios Evropa e Lirë se blloku tash ka mundësi “të mëdha”.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë hov të madh, hov të domosdoshëm. Bindja ime e fortë është se, nëse Evropa dëshiron të ngritet në këmbë dhe të bashkëpunojë ngushtë me aktorët tjerë në botë, ajo duhet të jetë shumë më e fortë, por edhe të shihet si më e fortë”, tha Ferrero-Valdner.

Në një fjalim që e mbajti në Bruksel në dhjetor, Karl Bild, ministri i Jashtëm i Suedisë, tha se ka “kërkesa për zë më të fuqishëm të BE-së” në botë, sidomos nga radhët e fuqive të reja të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine.

Kryediplomati i BE-së, Havier Solana, i cili pas 10 vjetësh do ta lëshojë këtë detyrë, i tha shtypit belg se BE-ja “është një embrion, model se si vendet duhet ta ndajnë sovranitetin në një botë, ku sovraniteti duhet të ndahet, në një botë që do të përbëhet nga shumë blloqe”.

Por, Bashkimi Evropian dështoi t’i përdorë në praktikë instrumentet që i disponon.

Antonio Misiroli, drejtor i studimeve në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel, i tha Radios Evropa e Lirë se BE-ja ka potencial që të marrë rol më të madh në shkallë globale, por nuk do të ketë sukses, përderisa vendet anëtare nuk vendosin që t’i lënë mënjanë interesat individuale dhe t’i bashkojnë fuqitë.

“Do të thosha se ka potencial që kjo të ndodhë, por nuk ka garanci. Kjo do të varet shumë nga marrëveshjet që do të bëhen në muajt e ardhshëm, mbi politikën dhe gatishmërinë e vendeve anëtare që të luajnë në këtë drejtim”,
tha Misiroli.

Anders Fog Rasmusen

Sfidat e Evropës paraqiten edhe në aspektin e sigurisë.

Nëse Evropa “nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë krah për krah ushtarakisht me amerikanët në Afganistan, kur administrata aktuale në Uashington e përkrah multilateralizmin, të cilin ne e kërkonim, atëherë do të jemi në rrezik të madh”, paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

Daniel Korski, analist nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme në Londër, tha se fati i misionit në Afganistan nuk do të jetë vetvetiu përcaktues për të ardhmen e NATO-s, por aleanca mund të ndryshojë përfundimisht në mënyra katastrofike.

“Çështja është se ajo do të vazhdojë të ekzistojë dhe të operojë, por elementi koheziv, bindja se aleanca është një organizatë e aftë operacionale, ndryshe nga BE-ja, ndryshe nga OKB-ja dhe ndryshe nga çdo aleancë tjetër, do të gërryhet”, tha Korski.

Sipas tij, ato që do të vihen në pikëpyetje, janë rolet tjera të NATO-s, si forum i debatit politik dhe garantues i sigurisë në Ballkan, pa përmendur këtu përkushtimin në Artikullin 5 “në rast se rusët do ta provokonin”.

Pra, në lojë është kredibiliteti i aftësisë së BE-së për ta projektuar politikën e jashtme dhe sigurinë e vet afatgjate.

Por, rreziku shkon edhe më larg. Shtetet e Bashkuara janë përfundimisht i vetmi vend që mund t’i shtyjë përpara vlerat perëndimore.

Korski tha se një SHBA izolacioniste dhe e zhgënjyer, do t’i kontribuonte edhe më shumë pasigurisë dhe paparashikueshmërisë në botë. (V.P.)

XS
SM
MD
LG