Ndërlidhjet

2010-ta, Vit i Biodiversitetit


Në njërën nga ngjarjet më të mëdha në Vitin e Biodiversitetit, të sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara, zyrtarët në Berlin paralajmëruan se humbja e specieve e prek edhe mirëqenien e njerëzimit në mbarë botën.



Kombet e Bashkuara e caktuan 2010-ën si Viti Ndërkombëtar i Biodiversitetit, duke e përshkruar si “kremtim i jetës në tokë dhe i vlerës së biodiversitetit për jetët tona”.

Gjatë tërë vitit, bota është ftuar të ndërmarrë veprime për të mbrojtur larminë e jetës në tokë dhe të rrisë vetëdijen e publikut për rëndësinë e biodiversitetit.

Sipas të dhënave të OKB-së, tri specie po zhduken për çdo orë. Ekspertët besojnë se mund të ketë 6 deri në 12 milionë specie të kafshëve dhe bimëve ende të panjohura për shkencën.

Zhan-Kristof Vie, nga Unioni Ndërkombëtar për Konservimin e Natyrës në Gjenevë, i tha Radios Evropa e Lirë se koha po kalon dhe ka dëshmi shkencore për krizë serioze të zhdukjes së specieve.

“Në ditët e sotme, shkalla e zhdukjes është 1 mijë herë më e lartë sesa ishte para përhapjes së njeriut në tokë. Pra, kemi të bëjmë me krizë të zhdukjes. Shumë specie janë kërcënuar në të gjitha grupet që i kemi studiuar”.

“Një e treta e korealeve, një e treta e amfibieve, bretkosave dhe salamanderëve, 22 përqind e të gjithë gjitarëve në botë janë të rrezikuar. Ndërsa ne, deri tani, kemi studiuar vetëm një pjesë të vogël të biodiversitetit”,
tha Vie.

Në fjalimin e hapjes, kancelarja gjermane, Angela Merkel, paralajmëroi se bota do të përballet me “kosto enorme” nëse nuk ndërmerren veprime kundër ndryshimeve klimatike dhe sigurimit të biodiversitetit.

Merkel tha se vendet duhet të investojnë më shumë në mbrojtjen e specieve dhe të krijojnë rrjete të zonave të mbrojtura për kafshët e egra.

Ajo gjithashtu propozoi formimin e një trupi ndërkombëtar që do të merrej me shkencën e biodiversitetit dhe argumentet shlencore për ruajtjen e specieve.

Sistemet natyrore, si pyjet dhe tokat nën ujë, i ofrojnë shoqërisë njerëzore një varg dobish, si ushqim, fibra, ujë të pijshëm, ajër të pastër, tokë të shëndoshë, mbrojtje nga kushtet ekstreme të motit dhe shumë të tjera.

“Më shumë se gjysma e njerëzimit tash jetojnë në qytete, kështu që nuk e bëjnë dot lidhjen ndërmjet jetës së përditshme dhe biodiversitetit. Por, gjithçka që hamë apo pimë, vjen nga biodiversiteti”.

“Uji prodhohet dhe pastrohet nga biodiversiteti. Druri është produkt i biodiversitetit. Shumë njerëz në botë përdorin bimë mjekësore. Peshqit kryesisht prodhohen në natyrë. Të lashtat polenizohen nga bletët dhe fluturat”,
tha Vie.

Në Azinë Qendrore, Iran apo Afganistan, shkatërrimi i pyjeve që bëhet për të siguruar ngrohje, shkakton degradim të tokës, rrëshqitje të dheut dhe vërshime.

Vie propozoi që qeveritë të përcaktojnë synime për të mbrojtur speciet e rrezikuara, duke vendosur taksa ndaj aktiviteteve që dëmtojnë biodiversitetin.

“Ne presim që disa vende të caktuara të adoptojnë programe ambicioze. Dëshirojmë një kornizë të madhe, që do të mund ta vëzhgonim. Por, këtu na duhet edhe mbështetja e qeverive për t’i arritur synimet e tilla
”, pohoi eksperti Vie. (V.P.)
XS
SM
MD
LG