Ndërlidhjet

Haiti: Deri 3 milionë njerëz të prekur nga tërmeti



Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se deri tre milionë njerëz mund të jenë prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Haitin.

Kryqi i Kuq dhe agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara thanë se përpiqen ta vlerësojnë shkallën e dëmeve dhe viktimat e mundshme pas dëmtimeve të rënda të rrjetit të komunikimeve.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq tha se tërmeti shkaktoi “shkatërrim masovik” në kryeqytetin Port-o-Prince, qytet me 1.2 m ilionë banorë.

Kombet e Bashkuara thanë se është shembur ndërtesa ku ishte selia e misionit paqëruajtës në Port-o-Prince, dhe se nuk dihet për fatin e dhjetra punonjësve.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera tashmë i kanë filluar operacionet për ndihma humanitare në Haiti, vendin më të varfër në hemisferën Perëndimore.

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po ofrojnë asistencë të plotë civile dhe ushtarake.

“Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë asistencë të plotë Haitit dhe të tjerëve në rajon. Ne do të ofrojmë ndihma civile dhe ushtarake, si dhe asistencë humanitare, ndërsa lutet tona janë me ata që kanë vuajtur, me familjet dhe me të dashurit e tyre”, tha Klinton.

Tërmeti me fuqi 7 të shkallës Rihter, mendohet të jetë më i rëndi që ka goditur Haitin në dy shekujt e fundit.
XS
SM
MD
LG