Ndërlidhjet

Ukrainë: Jushçenko humb zgjedhjet


Ukrainë, 17 janar 2010.
Ukrainë, 17 janar 2010.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Jushçenko, i ka humbur zgjedhjet. Në rrethin e dytë do të garojnë ish-rivalët e tij: Viktor Janukoviç dhe Julia Timoshenko. Dalja e votuesve në zgjedhjet presidenciale ishte rreth 67 për qind.



Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, më 7 shkurt, do të garojnë lideri i opozitës, Viktor Janukoviç, dhe kryeministrja Julia Timoshenko.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se nga numërimi i 55 për qind të votave, Janukoviç prin me 36 për qind, ndërsa Timoshenko me 24 për qind.

Rezultatet tregojnë se ish-shefi i Bankës Qendrore, Serkei Tihipko, është i treti me 13 për qind.

Presidenti në largim, Viktor Jushçenko, i cili erdhi në pushtet pas ‘Revolucionit të Portokalltë’, ka fituar vetëm rreth 5 për qind të votave.

Pas votimit të së dielës, Timoshenko pohoi se ajo është në rrugën e fitores dhe u zotua se do të bisedojë me kandidatët presidencialë të eliminuar, për të siguruar mbështetjen e tyre në balotazhin e 7 shkurtit.

”Rezultatet e zgjedhjeve që sapo i pamë, dëshmojnë se Ukraina ishte dhe do të mbetet vend evropian dhe demokratik, me mbi 60 për qind të votuesve që votuan për një Ukrainë demokratike, për drejtësi dhe për një vend evropian”.

“Kjo nënkupton se Janukoviç, i cili i përfaqëson qarqet kriminale, nuk ka gjasa”
, tha Timoshenko.

Në komentet e tij, Janukoviç u zotua se nuk do t’i përsërisë gabimet e Timoshenkos dhe të qeverisë në largim, nëse fiton balotazhin dhe bëhet president.

“Do të doja t’u drejtohem atyre zgjedhësve që votuan kundër meje, që e mbështetën qeverinë aktuale. Unë kurrë nuk do t’i përsëris gabimet e paraardhësve të mi”.

“Unë e kuptoj shumë mirë se njerëzit në Ukrainë janë të njëjtë kudo që jetojnë dhe gjithmonë është me rëndësi të merren në konsideratë pikëpamjet e secilit”,
tha Janukoviç.

Në zgjedhjet e së dielës pati disa pretendime për parregullsi gjatë votimit, por raportet thonë se votimi duket të ketë qenë relativisht i qetë.

Dalja e votuesve ishte rreth 67 për qind. (V.P.)
XS
SM
MD
LG