Ndërlidhjet

Shpresa dhe dyshime për strategjinë


Prishtinë
Prishtinë

Pikëpamjet e Qeverisë dhe opozitës lidhur me zbatimin e strategjisë për veriun, janë të ndryshme. Qeveria beson se me të mund të nisë procesi i integrimit të veriut, opozita shprehet skeptike. Serbët e veriut thonë se do ta kundërshtojnë zbatimin e saj.



Strategjia për integrimin e veriut të Kosovës, e hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria, vazhdon të trajtohet nga pikëpamje të ndryshme në Prishtinë.

Ndërsa për Qeverinë, kjo është një strategji që do të rezultojë me shpërbërjen e strukturave paralele dhe vendosjen e normalitetit në veri, për opozitën, në këtë plan, ka mangësi në instrumentet e ekzekutimit.

Sidoqoftë, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se kjo strategji do të rezultojë me shpërbërjen e strukturave të paligjshme në veri, të mbështetura nga Beogradi.

“Strategjia e veriut është e Qeverisë së Kosovës dhe e faktorëve relevantë ndërkombëtarë në Kosovë, për të shtrirë ligjshmërinë e plotë në veriun e vendit”.

“Kjo është një strategji, e cila, padyshim, do të vulosë fatin për zhdukjen e strukturave paralele, të cilat tash edhe ashtu janë shumë më të dobëta sesa që kanë qenë, ta zëmë, dy vjet më herët”
, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerëson se strategjia e prezantuar nuk garanton zbatimin e saj në veri, përderisa nuk i parasheh edhe mekanizmat ekzekutivë të implementimit të saj.

“Kjo strategji e shpallur tash, mendoj se do t’i ketë sfidat e veta. Një plan sado i mirë në letër, pa një fuqi ekzekutive, mund t’i ketë vështirësitë e veta në zbatim. Pra, ne jemi skeptikë në aspektet e zbatimit të saj”.

“Nuk mendojmë se ka nevojë për forcë, por zbatimi i ligjit është i nevojshëm në veri. Pra, do të ishte me rëndësi që Prishtina zyrtare t’i ketë aftësitë e veta zbatuese të ligjshmërisë në veri”
, thekson Haradinaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve në veri e cilësojnë këtë strategji të papranueshme.

Ndërsa shefi i ICO-së, Piter Feith, ka thënë se zbatimi i strategjisë në disa pika do të diskutohet edhe me Beogradin, serbët e veriut besojnë se kjo nuk do të ndodhë, pasi që prapa strategjisë qëndrojnë dy organizma që Serbia nuk i njeh, e ato janë pikërisht Zyra Civile Ndërkombëtare e Piter Feithit dhe Qeveria e Kosovës.

Millan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb në veri, thotë se nëse provohet të zbatohet kjo strategji në veri, do të vijë deri te përshkallëzimi dhe destabilizimi i gjendjes së sigurisë atje.

“Për fat të keq, gjendja, në mënyrë të rrezikshme, po përshkallëzohet në kuptimin e përpjekjeve për t’i marrë institucionet serbe në veri”, thotë Ivanoviq.

Sipas tij, strukturat serbe në veri nuk janë paralele dhe ilegale, por janë legjitime, pasi që ato nuk janë në kundërshtim me Rezolutën 12 44.

Ndërkohë, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës kanë ngritur disa grupe punuese për veriun, ku përfshihen edhe ato për krijimin e komunës së Mitrovicës së Veriut.

Por, me gjithë entuziazmin e Qeverisë se me këtë strategji do të mund të ecet drejt integrimit të veriut në sistemin legal kushtetues të Kosovës, opozita e ka ftuar kryeministrin dhe Qeverinë që në fillim të shkurtit të raportojë në Parlament për moszbatimin e Kushtetutës së Kosovës në veri.
XS
SM
MD
LG