Ndërlidhjet

Poloni: U shënua 65 vjetori i çlirimit të Aushvicit


Me jehonën e fuqishme të sirenave, sot në ish kampin Nazist të vdekjes në Aushvic – Birkenau, kanë filluar ceremonitë, me të cilat u shënua 65 vjetori i çlirimit të kampit.

Kampi i përqendrimit operonte në kohën kur Polonia ishte e okupuar nga Gjermania Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Në manifestimet e shumta, kanë marrë pjesë të mbijetuarit e këtij kampi, ku janë vrarë afro 1.1 milionë njerëz, kryesisht hebrenjë.

Në ceremonitë e përkujtimit ishin të pranishëm edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dhe liderët e Polonisë.

“Ne jemi tubuar këtu, polakët dhe hebrenjtë, në udhëkryqin e tragjedisë”, tha Benjamin Netanjahu.

Kampi Aushvic ishte çliruar nga Armata e Kuqe Sovjetike më 27 janar të vitit 1945.

Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara e shpallën këtë datë si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, në shenjë të nderimit për gjashtë milionë hebrenjtë dhe miliona të tjerë të vrarë nga Nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, sot në fjalimin e tij në Parlamentin gjerman, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për sjelljen para drejtësisë të autorëve të mbetur të Holokustit.
XS
SM
MD
LG