Ndërlidhjet

Komunat dhe pakicat


Përfaqësues të komuniteteve pakicë në Kosovë kanë thënë se komunat mund të bëjnë më shumë që ata të mos ndihen qytetarë të rendit të dytë. Një hap përpara drejt përmirësimit të pozitës së komuniteteve, sërish është potencuar zbatueshmëria e ligjeve.


Institucionet e Kosovës në të dyja nivelet, duhet të punojnë më shumë për të garantuar respektimin e të drejtave të komuniteteve pakicë, është thënë të martën në një debat të mbajtur në Qendrën mediale në Çagllavicë, me temën “Pozita e pakicave në komunat me shumicë shqiptare”.

Në debat, kanë marrë pjesë përfaqësues të autoriteteve vendore e ndërkombëtare si dhe ata të komuniteteve.

Ronald Hugiemstra, shef i njësisë për të drejta të komuniteteve në Zyrën Civile Ndërkombëtare ka thënë se Kosova ka arritur të miratojë ligje, të cilat garantojnë standarde të pranueshme ndërkombëtare dhe përfaqësim të komuniteteve në nivelin lokal dhe atë qendror.

“Nëse do t’u bënim një vështrim mekanizmave që ekzistojnë në nivelin lokal, shohim se aty ka edhe një nënkryetar për komunitetet, i cili merret me të gjitha çështjet që i preokupojnë minoritetet”,
ka thënë Hugiemstra.

Ai ka përmendur edhe mekanizma tjerë që janë në duart e komuniteteve, me të cilat legalisht mund të sfidohen vendimet e kuvendeve komunale, nëse vërtetohet se një vendim i caktuar ka shkelur në të drejtat e tyre.

Ndërkaq, Zoran Marinkoviq, ish-nënkryetar i komunës së Vitisë, ka thënë se autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare tërë vëmendjen e kanë të përqendruar në veri të Kosovës, duke i lënë, siç është shprehur ai, të margjinalizuara pjesët tjera ku jetojnë komunitetet.

Marinkoviq kishte disa vërejtje në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare nëpër komuna, ku, sipas tij, gjuha serbe, nuk gjen përdorimin adekuat.

“Është problem i madh i respektimit të dy-gjuhësisë, siç është rasti me emërtimin e rrugëve, apo edhe dokumenteve që lëshohen në komunë
”, ka theksuar Marinkoviq.

Më i zëshmi në këtë debat ka qenë Numan Baliq, deputet nga radhët e komunitetit boshnjak. Baliq ka thënë se komunitetet pakicë nuk janë ende qytetarë të barabartë me shumicën.

“Nëse do të adresoja përgjegjësinë, apo fajësinë për pozitën e keqe të komuniteteve, të cilat, për fat të keq, janë ende qytetarë të rendit të dytë, përgjegjësia kryesore bie mbi faktorin ndërkombëtar, kurse një pjesë të fajit duhet ta ketë edhe Qeveria e Kosovës”
, është shprehur Baliq.

Një sfidë dhe problem i ri, me të cilin do të ballafaqohen komunitetet pakicë, është thënë se do të jetë edhe riatdhesimi.

Bashkim Ibishi nga Qendra për Integrime Ndërkombëtare u ka bërë thirrje ICO-së dhe Qeverisë së Kosovës që të mos nguten me kthimin e personave të zhvendosur jashtë Kosovës, ngase atyre, sipas tij, nuk u janë krijuar kushtet e domosdoshme për jetë.

“Në mënyrë që të jetë pjesë përbërëse e listës së bardhë të Shengenit para Unionit Evropian, Kosova do të jetë e obliguar të nënshkruajë marrëveshjen e rikthimit të këtyre pjesëtarëve”.

“Kemi të bëjmë me njerëz që kthehen nga shtetet perëndimore në mënyrë të dhunshme, por të cilët nuk do të kenë kushte se ku të kthehen”
, ka theksuar Ibishi.

Edhe në këtë debat është potencuar fakti se Kosova ka ligje mjaft moderne, por problem më vete mbetet zbatueshmëria e tyre. Andaj, edhe kjo dobësi, në disa raste, është thënë se ka efekte negative edhe në pozitën e komuniteteve pakicë.
XS
SM
MD
LG