Ndërlidhjet

Privatizimi i KEK-ut, brenda vitit


Termocentrali "Kosova-A"
Termocentrali "Kosova-A"

Në muajin mars pritet të bëhet shpallja e interesit për privatizimin e kompanisë së re të shpërndarjes dhe të furnizimit, të dalë nga Korporata Energjetike e Kosovës, ndërsa në qershor do të bëhet kërkesa për propozim për investitorët, të cilët do të hyjnë në listën e ngushtë. Kurse, në fund të vitit pritet të përzgjidhet investitori, konfirmuan përfaqësues të Komitetit ndërministror për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.


Drejtues të Qeverisë së Kosovës gjatë takimit ndërministror të privatizimit të sektorit të shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut, për herë të parë diskutuan hapur për problemet sociale dhe teknike, të cilat do të mund t’i sjellë privatizimi.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se qëllimi i Qeverisë së Kosovës me rastin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje është që sektorin e energjisë në Kosovë ta bëjë të vetëqëndrueshëm.

“Qeveria e Kosovës, së bashku me donatorët, deri më tani kanë ndarë rreth një miliard euro subvencione, ndihma të drejtpërdrejta në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë furnizim të sigurt me energji elektrike”.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu, andaj ne synojmë që sa më shpejt këto ndërmarrje të jenë të vetëmjaftueshme për të prodhuar, për të eksportuar, si dhe për të kontribuar në buxhetin e Kosovës”
, tha Shala.

Një çështje tjetër ende e padefinuar e privatizimit të një pjese të KEK-ut, është përgjegjësia për t’i furnizuar qytetarët.

Ministri Shala bëri të ditur që ende nuk është përcaktuar se kush do ta marrë përsipër këtë përgjegjësi, investitori privat apo ndërmarrja publike, KEK.

Ndërkaq, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, rikujtoi se privatizimi nuk do të ketë sukses nëse nuk merren parasysh pasojat që ai mund të sjellë.

Sipas saj, për t’i evituar këto pasoja, Korporata Energjetike e Kosovës duhet të fillojë të bëjë një menaxhim më të mirë të divizioneve të rrjetit dhe të furnizimit, për të ngritur performancën e tyre.

“Sfidë tjetër janë edhe obligimet që parasheh t’i marrë Qeveria. Këto sfida mund të sjellin në situatë të rëndë ekonomike, çka nënkupton angazhim të madh të mjeteve të buxhetit për korporata”.

“Për këtë çështje, është shumë me rëndësi të kalohet faza përgatitore para procesit të privatizimit dhe të përzgjidhet modaliteti adekuat i privatizimit për kushtet dhe rrethanat e Kosovës
”, theksoi Pula-Shiroka.

Në fazën e dytë, pra gjatë privatizimit, siç tha ministrja Pula-Shiroka, do të ketë një rritje të menjëhershme të tarifave të energjisë elektrike në një përqindje të madhe dhe kjo, sipas saj, do të mund të sjellë pakënaqësi sociale në kushte të një krize ekonomike dhe të një papunësie të lartë.

Lidhur me rritjen e pakënaqësive sociale, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, tha se me rastin e privatizimit të divizioneve të KEK-ut, duhet të zgjidhet mënyra më e mirë për punëtorët.

“Ne e kuptojmë se disa veprime lidhur me punëtorët e KEK-ut, apo punëtorët tjerë, janë të pashmangshme, por gjithsesi ju lus që të keni konsideratë, që çdo veprim radikal do të mund të krijonte probleme edhe më të mëdha për ne”
, tha Rashiq.

Edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pranoi se një çështje tjetër, që do të trajtohet me prioritet, është gjetja e zgjidhjes për punëtorët, të cilët do të dalin nga puna me rastin e privatizimit.

“Jemi tepër fleksibilë, sa u përket çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me temat e ngritura në mënyrë që cilësia të mos të dëmtohet karshi sfidave që na paraqiten, ose karshi çfarëdo elementi që ka të bëjë me transparencën dhe cilësinë e këtij projekti”
, tha Shala.
XS
SM
MD
LG