Ndërlidhjet

Ndryshimet sociale


Prishtinë (foto arkiv)
Prishtinë (foto arkiv)

Gjendja sociale në Kosovë nuk ka ndryshuar edhe pas shpalljes së pavarësisë, thonë përfaqësues të disa sindikatave. Por, zyrtarë qeveritarë, duke mos mohuar se situata sociale është e rëndë, thonë se gjatë kësaj periudhe ka përmirësime në këtë fushë.



Edhe dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjendja sociale mbetet shumë e rëndë. Shkalla e varfërisë dhe papunësisë ka mbetur e njëjtë si para vitit 2008, thonë përfaqësues të sindikatave në Kosovë.

Sipas shifrave zyrtare, mbi 45 për qind e popullsisë jeton në varfëri; prej tyre, 15 për qind në varfëri të skajshme.

Në anën tjetër, gati gjysma e popullatës është e papunë, ndërsa të ardhurat mesatare sillen deri në 220 euro.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë se autoritetet vendore, edhe gjatë kësaj periudhe, nuk kanë arritur të përmirësojnë gjendjen sociale. Ai thotë se kërcënim më të madh për stabilitetin e Kosovës pas pavarësisë paraqet pikërisht situata e rëndë socio-ekonomike.

“Në këtë dyvjetor, fatkeqësisht ne nuk kemi vërejtur ndonjë përmirësim të kushteve ekonomiko-sociale, duke pasur parasysh se shkalla e papunësisë vetëm sa është rritur”.

“Fatkeqësisht, nëse situata vazhdon kështu, po krijohen dy klasë diametralisht të kundërta dhe diametralisht ekstreme - gjë që edhe e kërcënon gjendjen ekonomike dhe stabilitetin në Kosovë”
, thotë Dragusha.

Për të zbutur sado pak varfërinë në Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që nga viti 2001, ka filluar pagesat për ndihma sociale. Në janar të vitit 2008, në këtë asistencë ishin të përfshira mbi 37 mijë familje, me 150 mijë anëtarë, që kanë marrë prej 35 deri në 75 euro në muaj, varësisht prej numrit të anëtarëve.

Në një llogaritje tjetër, sipas një studimi të Ministrisë së Punës, del se shuma e përfituar për një person në ditë është 0.45 euro.

Por, Muhamet Gjocaj, nga kjo ministri thotë se pas vitit 2008, këto shifra janë zvogëluar për një përqindje të vogël.

“Vitin 2009 e kemi përfunduar me 35 mijë familje, ndërsa kemi pasur 159 mijë anëtarë. Shikuar për nga numri, ne kemi startuar në vitet 2000 me 52 mijë familje në asistencë sociale, ndërsa tash kemi 35 mijë”.

“Që nga 1 janari i vitit 2009 janë bartur përgjegjësitë te komunat dhe kjo ka ndikuar pak që në vitin e parë të ketë një rritje të ndjeshme, që do të thotë se ka pasur një zemërgjerësi më të madhe të pranimit të kërkesave nëpër komuna”
, thotë Gjocaj.

Megjithatë, ai pohon se, përkundër gjendjes së vështirë sociale në Kosovë, viteve të fundit po vërehet një përmirësim i vogël i kushteve elementare të qytetarëve kosovarë.

“Ne vërejmë se ka një rënie të kërkesave për ndihma sociale dhe çdo vit e më pak familje plotësojnë kushtet dhe kriteret. Kjo automatikisht jep të kuptohet se mirëqenia në familje, sado pak, ka filluar të përmirësohet”.

“Njerëzit merren me punë të ndryshme, me punësime, me vetëpunësime, punësime të përkohshme. Ndoshta pak edhe punët në bujqësi kanë filluar të ringjallen dhe njerëzit kanë filluar të punojnë dhe nga puna e vet të jetojnë”
, shpjegon Gjocaj.

Por, Ali Dragusha, duke mos u pajtuar se në Kosovë ka përmirësime në këtë fushë, thotë se mospërmirësimi i gjendjes sociale lidhet me reduktimin e donacioneve nga jashtë, ngecjen e zhvillimit ekonomik dhe procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

“...mandej është edhe çështja e korrupsionit, që ka kapluar shumë sfera të organeve dhe të jetës në Kosovë, është çështja e privatizimit, është krimi ekonomik, si dhe pagat tepër të ulëta të punëtorëve”, shprehet Dragusha.

Sidoqoftë, ai vlerëson se gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale në Kosovë reflektohet edhe me nivelin në rritje të pakënaqësisë së popullsisë, me standardin e tyre jetësor dhe shtimin e disponimit të tyre për të migruar.
XS
SM
MD
LG