Ndërlidhjet

Komunizmi në vendet ish-komuniste, nuk u mund kurrë


Lituani, 1989.
Lituani, 1989.
Lituania ka qenë republika e parë sovjetike që shpalli pavarësinë, çfarë ia hapi rrugën rënies së Bashkimit Sovjetik. Njëzet vjet më vonë, vendi baltik ende përballet me trashëgiminë komuniste.

Kjo betejë vazhdon, me gjithë faktin se në fillimvitet e ‘90-ta Lituania miratoi Ligjin e lustracionit apo pastërtisë së figurave publike.

Ligji ndalonte drejtuesit e rëndësishëm komunistë nga mbajtja e posteve publike. Por, si e sheh zbatimin e ligjit Vitautas Landsbergis, presidenti i parë i Lituanisë paskomuniste.

“Kur unë isha president, reformat sapo kishin filluar. U përpoqëm të miratonim një ligj lustracioni, të ngjashëm me atë në Çekosllovakinë e kohës. U bazuam mbi ligjin çekosllovak kur bëmë projektligjin tonë”.

“Por, më pas, u përballëm me rezistencë nga e majta. Ishte aq rezistencë e fortë, saqë ata morën madje dhe parlamentarë nga qendra, në mbështetje të kundërshtimit të tyre. Më në fund, ata krijuan një shumicë parlamentare dhe Ligji i lustracionit u bllokua”.

“Fakti që isha në krye të vendit, nuk ndryshonte gjë. Në republikat parlamentare mund të manipulohet duke korruptuar deputetët, e në këtë mënyrë krijon dhe shumicat e nevojshme parlamentare”
, kujton për Radion Evropa e Lirë Landsbergis.

Madje, ai nuk ngurron të drejtojë gishtin ndaj atyre që paguan dhe korruptuan deputetët e kohës.

“Forcat e së shkuarës, ish-regjimi”, thotë Landsbergis. Ai shton se një vend me trashëgimi komuniste nuk mund të arrijë konsensusin. Edhe tani, vendi është thellësisht i ndarë rreth kësaj teme, pohon ish-presidenti i parë i Lituanisë paskomuniste.

I pyetur se ku gjenden sot ish-politikanët e sistemit komunist, prokurorët dhe pjesëtarët e shërbimit sekret të regjimit të shkuar, Landsbergis sqaron:

“Ne vendosëm disa kufizime për ta, por ligji ka ende të çara, që u mundëson këtyre grupeve t’i anashkalojnë kufizimet”.

Në vendet ish-komuniste nuk ka pasur gjykime të tipit të Nurembergut. Pas Luftës së Dytë Botërore, krerët e nazizmit u përballën me drejtësinë në atë që njihet si Gjyqi i Nurembergut.

Përse nuk ka pasur diçka të ngjashme me drejtuesit e regjimeve komuniste?

“Sepse, komunizmi në vendet komuniste nuk u mund asnjëherë. Këto vende nuk e kanë dëshirën e nevojshme për t’u pastruar nga e shkuara”, thotë për Radion Evropa e Lië Landsbergis.

Por, a do ta kishin ndihmuar Lituaninë dhe vendet e tjera ish-komuniste gjyqe të tilla? Landsbergis përgjigjet:

“Nuk bëhet fjalë për ne, në lojë është drejtësia. Nëse nuk ka drejtësi, njerëzit më pas nuk besojnë në përgjithësi në konceptin e drejtësisë”.

“Ata janë të pakënaqur me demokracinë, me politikat shtetërore, pasi ata shohin personalitetet e njëjta në pushtet apo që kanë ndikim të madh”,
përgjigjet Landsbergis.

Nga kjo distancë kohore, Landsbergis i sheh gjërat ndryshe dhe do të donte të kishte vepruar ndryshe për çështje të caktuara.

“Do të isha më i kujdesshëm ndaj formave të sofistikuara të korrupsionit politik. Unë besova, ndoshta më shumë se ç’duhej, në vullnetin e mirë të njerëzve. Jo të gjithë e meritonin këtë besim”, përfundon ish-presidenti i parë i Lituanisë paskomuniste. (I.B.)
XS
SM
MD
LG