Ndërlidhjet

FSK-ja në pritje të armatimit


Forca e Sigurisë e Kosovës
Forca e Sigurisë e Kosovës

Forca e Sigurisë e Kosovës ende nuk është armatosur tërësisht. Kjo forcë tashmë ka porositur blerjen e armëve të gjata dhe të brezit. Ndërkohë, ekspertët për çështje të sigurisë konsiderojnë se funksionalizimi i tërësishëm dhe armatimi i pjesëtarëve të FSK-së po vonon shumë.


Përfaqësuesit nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës thonë se po punojnë që sa më parë të bëhet funksionalizimi i plotë të FSK-së, duke përfshirë këtu edhe pajisjen me armatim, ashtu siç është e paraparë me Ligjin për FSK-në.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, për armatimin e pjesëtarëve të FSK-së, tashmë është bërë porosia për blerjen e armëve të gjata dhe atyre të brezit.

Zëdhënësi i MFSK-së, Ibrahim Shala, thotë se procedura e armatimit të FSK-së është në përfundim e sipër.

“Procesi për furnizim me armatim të FSK-së është duke u zhvilluar. Kuptohet, janë duke u ndjekur procedurat e standardeve ndërkombëtare për rastet e tilla”.

“Për momentin nuk mund t’i definoj tipat e armëve se çfarë do të ketë FSK-ja, por dihet se do të ketë armë krahu të gjata dhe stafi komandues do të ketë edhe armë brezi që quhen revole. Ndërsa, për më vonë do të shihet gjatë zhvillimit të procedurës dhe vetë ngritjes së strukturës”
, thotë Shala.

Shala nuk saktëson kohën se kur do të përfundojë procesi i armatimit, por shton se një gjë e tillë do të bëhet shumë shpejt.

“Ky proces është pothuajse në fund. Ndoshta është çështje ditësh, por mos të spekulojmë me data se kur pjesëtarët e parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë të armatosur me armë”.


“Vetë Ligji për FSK-në parasheh armatosjen e tyre. Ndërsa, në kuadër të Ministrisë dhe FSK-së, janë rregulloret për përdorimin e armëve dhe depozitimin e tyre”,
thekson Shala.

Në bazë të Ligjit për FSK-në, në pikën për misionin dhe funksionin e kësaj trupe, thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të jetë e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda, siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitetet sulmuese ajrore.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, konsideron se funksionalizimi i tërësishëm dhe armatimi i pjesëtarëve të saj po vonon shumë.

“Kujtoj se deri më tani është bërë një lëshim që ka shkuar shumë ngadalë armatimi i kësaj force me armatim të lehtë, kuptohet siç është paraparë me Planin e Ahtisarit”.

“Do të thotë, pavarësisht asaj që është lejuar armatimi, ai nuk është kryer deri më tani, përveç 350 pushkëve, që duhet të arrijnë këtyre ditëve; armë krahu dhe pistoletat. Diçka tjetër nuk kemi njohuri që ka arritur”
, thotë Qehaja.

Nënkryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjylnaze Syla, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikon Qeverinë e Kosovës, që, sipas saj, nuk ka një vizion të qartë për strukturat e sigurisë së vendit.

“Unë nuk shoh se Qeveria ka ndonjë vizion sa i përket zhvillimit të mëtejmë të FSK-së. Do të thotë, duket qartë të ketë politika se si do të bëhet formalizimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës dhe, po ashtu, sipas Ligjit dhe në përgjithësi, sipas funksionit që ka, duhet ta bëjë kryeministri, së bashku me presidentin dhe ministrin e FSK-së. Kjo është e para
”, shprehet nënkryetarja Syla.

Ndryshimet në armatimin e pjesëtarëve të FSK-së do të përcaktohen nga prania ushtarake ndërkombëtare, në bashkërendim me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil, thuhet në Ligjin për FSK-në.

Një rishikim i plotë i këtyre kufizimeve do të bëhet jo më herët se pesë vjet që nga koha e hyrjes në fuqi të Ligjit.
XS
SM
MD
LG