Ndërlidhjet

Analistët: Edhe pas GJND-së, Beogradi e kundërshton Kosovën


Serbia nuk do ta ndalë betejën kundër pavarësisë së Kosovës pas një mendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e aktit të shpalljes shtet të Kosovës, thonë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare dhe analistët politikë në Prishtinë.



Prishtina e Beogradi zyrtar janë në pritje të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndonëse nuk ka afat të caktuar kohor, pranvera e këtij viti thuhet se do të qartësojë qëndrimin e instancës më të lartë të së drejtës ndërkombëtare mbi shpalljen shtet të Kosovës.

Njohësit e së drejtës ndërkombëtare në Kosovë thonë se Serbia politikisht është duke bërë gjithçka, përveç pritjes për këtë mendim, ndërsa diplomacia kosovare, siç thonë ata, nuk duhet të rrijë duarkryq.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, vlerëson se terreni i radhës për zbatimin e iniciativave serbe kundër pavarësisë së Kosovës, do të jetë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ky mekanizëm parashihet të hapë sesionin e 65-të më 14 shtator të këtij viti.

“Nëse eventualisht shtetet anëtare të OKB-së do të pranonin mendimin që u servohet nga Serbia për gjoja shpalljen e pavarësisë në mënyrë ilegale, atëherë eventualisht do të kërkonin që të nxirret një rezolutë ose ndonjë dokument, që të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme dhe më pas të votohej në Këshillin e Sigurimit, për të shpallur aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës si ilegal”, thotë Hoti.

Ai vlerëson se deri më tani kanë mundur të vërehen efekte negative të tërë procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në amortizimin e procesit të njohjeve.

Kosovën e kanë njohur 65 shtete, numër ky që, sipas analistit Shkëlzen Maliqi, i pamundëson Kosovës të marrë iniciativa konkrete në Kombet e Bashkuara, ku nga 5 shtetet e përhershme të Këshillit të Sigurimit, pavarësia e Kosovës kundërshtohet nga Kina e Rusia.

Andaj, siç thekson Maliqi, Kosova duhet të koordinohet me shtetet aleate.

“Kosova momentalisht nuk ka instrumente që ta bëjë ndonjë kundër-rezolutë ose të prodhojë kësi lloj rezolutash për Kombet e Bashkuara dhe të ndërmarrë hapa. Thjesht, duhet të jemi në koordinim me fuqitë e mëdha, me ato shtete që na kanë pranuar, me Brukselin, Nju Jorkun, për të qenë në korrent me ngjarjen”, thekson Maliqi.

Mirëpo, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, thekson nevojën për një diplomaci më pro-aktive të Prishtinës zyrtare.

“Po qe se vazhdohet me hapa të tillë, unë mendoj se do të vazhdojë agonia, do të vazhdojë konfuziteti, të paktën për ato shtete, të cilat ende nuk kanë qëndrim të prerë për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Edhe pala kosovare do të duhej të bënte diçka, do të duhej të ndërmerrte hapa, për t’i bindur shtetet e tjera që opinioni juridik i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare, është pozitiv, i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, dhe të shtonte lobimin dhe të shtonte eventualisht edhe numrin e njohjeve
”, thotë Hoti.

Epilogu i seancave dëgjimore që u zhvilluan në dhjetor të vitit të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përfundoi 14 me 12 në favor të Kosovës kundruall Serbisë.

Mendimi i kësaj gjykate mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës pritet të jetë një sinjal qartësues për vendet që nuk kanë hedhur hapin e njohjes së shtetësisë së Kosovës, me theks të veçantë te 5 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG