Ndërlidhjet

Vazhdojnë kundërshtimet e serbëve


Veriu i Mitrovicës

Pavarësisht se zbatimi i strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës mund të ndikojë në ndryshimin dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve në këtë hapësirë, ai do të jetë vështirë i pranueshëm për serbët, thonë përfaqësues të këtij komuniteti.


Zbatimi i strategjisë së Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës, është i papranueshëm për serbët e kësaj pjese, sidomos për shkak të konotacioneve politike, të cilat i bart në vete kjo strategji, thonë politikanët serbë të Kosovës veriore.

Komentet e tyre vijnë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e gjashtë grupeve punuese për zbatimin e kësaj strategjie në terren.

Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë se zbatimi i strategjisë do të përballet me mjaft vështirësi.

“Mendoj se kjo çështje do të jetë mjaft e vështirë, pavarësisht se sa objektivisht dhe thelbësisht do të ndikojë në ndryshimin dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve në këtë hapësirë”.

“Kjo do të jetë e vështirë, për shkakun e thjeshtë se serbët në veri të Kosovës jetojnë në disa rrethana dhe kushte të tjera, në krahasim me serbët në anën jugore të lumit Ibër”
, thotë Kërstoviq, për të shtuar se serbët në veri të Kosovës nuk pajtohen me mundësinë e ndarjes së Kosovës nga Serbia.

Kërstoviq thotë se zbatimi i strategjisë do të jetë i vështirë edhe në rast se Qeveria e Kosovës do të jetë, siç shprehet ai, tejet e kujdesshme dhe e vëmendshme që ta bëjë këtë në mënyrë skajshmërisht të butë dhe të sofistikuar.

Në anën tjetër, Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në veri të Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare po përpiqen që në grupet punuese për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut, t’i inkuadrojnë edhe serbët.

Por, sipas tij, këto përpjekje do të rezultojnë si të pasuksesshme.

“Një numër i serbëve po i braktis grupet punuese për zbatimin e strategjisë. Ata po gjejnë serbë edhe jashtë Mitrovicës, sepse nuk kanë numër të mjaftueshëm të serbëve për t’i plotësuar zbrazëtirat. Kjo sigurisht se nuk do të jetë e suksesshme”.

“Asgjë nuk mund të bëhet me njerëz, të cilët nuk gëzojnë besimin e popullit të tyre. Tentimet e tilla vetëm sa mund ta komplikojnë situatën”
, deklaron Ivanoviq.

Ndryshe, grupet punuese për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës do të punojnë në çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, vendosjen e dialogut dhe pajtimit ndëretnik, zhvillimin ekonomik dhe social, decentralizimin, shtrirjen e shërbimeve publike dhe komunikimin.

Kërstoviq thotë se disa çështje parimisht mund të jenë të dobishme për serbët në veri, nëse përjashtohen ato që kanë konotacione politike.

“Vetëm segmenti që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe eventualisht edhe me pajtimin, mund të jenë si diçka të pranueshme. Megjithëse, edhe lidhur me këto segmente do të krijohet diferenca mes një numri të njerëzve, për të cilët do të jenë të pranueshme, dhe një numri të tjerëve, për të cilët nuk do të jenë të pranueshme”.

“Kjo do t’i shkaktojë të ashtuquajturit gjemba politikë në mes këtyre grupeve të ndara. Unë mendoj se kjo nuk është e mirë, por kryesisht do të jetë e vështirë”
, thekson Kërstoviq.

Ndërkaq, Millan Ivanoviq thotë se Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare nuk mund t’i përcaktojnë përfaqësuesit serbë në grupet punuese. Serbët e tillë, sipas tij, nuk janë përfaqësues të vërtetë të popullatës serbe të veriut të Kosovës.

“Ata mund të flasin vetëm për vete dhe jo në emër të të tjerëve, sepse ata nuk mund t’i përfaqësojnë interesat e serbëve. Kjo gjë mund të ketë për pasojë ndërlikimin e situatës dhe ndoshta edhe mund të nxisë konfrontime dhe ndarje në mes serbëve”, deklaron Ivanoviq.

Sidoqoftë, ai thotë se serbët nuk besojnë se zbatimi i strategjisë për integrimin e veriut do të bëhet pa përdorimin e forcës. Kjo, sipas tij, nxit frustrime te serbët dhe e komplikon situatën në vazhdimësi.
XS
SM
MD
LG