Ndërlidhjet

A ka dështuar procesi i privatizimit?



Procesi i privatizimit në Kosovë, deri më tash, nuk ka sjellë rezultate, të cilat kanë qenë të pritura dhe ato nuk janë në favor të zhvillimit ekonomik të Kosovës, vlerësojnë ekspertët kosovarë të çështjeve ekonomike.

Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, e quan të dështuar procesin e privatizimit në Kosovë.

“Lirisht mund të konstatohet se privatizimi në Kosovë ka qenë dështim i plotë. Kjo, për arsye se ndërmarrjet e shitura deri më tash, nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Do të thotë, privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk ishte në funksion të nxitjes dhe zhvillimit të ekonomisë së Kosovës”, deklaron Limani.

Vlerësime të ngjashme lidhur me procesin e privatizimit jep dhe Muhamet Sadiku, nga Instituti Riinvest. Ai thotë se procesi i privatizimit në Kosovë ka kaluar një periudhë të vështirë të realizimit, ndërkohë që mjetet nga privatizimi nuk janë futur në funksion të zhvillimit ekonomik.

“Privatizimi, që në fillim, ka bartur këtë element tejet të pavolitshëm dhe, për fat të keq, edhe pas pavarësimit Kosova nuk është në gjendje që t’i shfrytëzojë mjetet, të cilat janë gjeneruar nga privatizimi i ndërmarrjeve. Në përgjithësi, pritjet kanë qenë të mëdha nga procesi i privatizimit”
, thotë Sadiku.

Në anën tjetër, Musa Limani konsideron se edhe vlera e mjeteve nga privatizimi i ndërmarrjeve është, siç thotë ai, jokurajuese dhe e pakuptueshme.

“Është e pakuptueshme që tërë ekonomia e Kosovës, do të thotë ndërmarrjet shoqërore, të cilat e kanë përbërë diku rreth 90 për qind të industrisë së Kosovës, të shiten për vetëm 400 milionë (euro)”.

“Me sa di unë, vetëm kombinati i duhanit të Nishit (Serbi) është shitur mbi 700 milionë. Tash, merreni me mend, një kombinat i duhanit të Nishit e ka vlerën dyfish më të madhe se krejt ekonomia e Kosovës”
, shprehet Limani.

Deri më tash, privatizimi i shumicës së ndërmarrjeve është bërë përmes spin-off-it të rëndomtë, ndërkohë që një numër i ndërmarrjeve të mëdha janë privatizuar përmes spin-off-it special.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka hapur ofertën për valën e 42-të të privatizimit, por Ligji mbi themelimin e kësaj agjencie nuk parasheh metodën e privatizimit përmes spin-off-it special.

Bordi i agjencisë ka paralajmëruar se ndërmarrjet e mëdha shoqërore do të privatizohen me spin-off të rëndomtë, por, siç është thënë, me kritere shtesë.

Zoti Limani thotë se privatizimi përmes spin-off-it të rëndomtë, deri më tash nuk ka qenë produktiv.

“Ka qenë kundërproduktiv për ekonominë e Kosovës, për arsye se blerësi i ri nuk ka pasur kurrfarë obligimesh ndaj punëtorëve, nuk ka pasur kurrfarë obligimesh që të investojë dhe nuk ka pasur kurrfarë obligimesh që ta ruajë destinimin e degës”.

“Ai ka mundur ta ndërrojë në çdo moment, ashtu siç edhe ka ndodhur. Kurse, spin-off-i special ka qenë diç më i arsyeshëm, më efikas. Mirëpo, edhe ky spin-off nuk u tregua i suksesshëm, për arsye se menaxhmenti i AKM-së (Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit), e më vonë edhe i AKP-së, do të thosha se nuk i ka përfillur kriteret, me të cilat janë shitur këto ndërmarrje
”, thotë Limani.

Por, ndryshe vlerëson zoti Sadiku, i cili thotë se zbatimi i metodës së spin-off-it special është përcjellë me probleme të mëdha dhe për pasojë ka dështuar privatizimi i disa ndërmarrjeve të mëdha.

“Unë mendoj se koncepti i spin-off-it me kushte ka dështuar dhe me këtë metodë nuk mund të ecet përpara. Thjesht, Kosova ka nevojë që këtë proces ta përmbyllë, por jo duke bërë eksperimente me metoda të ndryshme”.

“Unë besoj se është e nevojshme që, definitivisht, të vazhdohet me metodën e shitjeve direkte, me metodën e spin-off-it të thjeshtë, duke mos hyrë në kushtëzime të reja, me të cilat procesi do të vështirësohej dhe ekziston rreziku që edhe të komprometohet në përgjithësi”
, përfundon Sadiku.
XS
SM
MD
LG