Ndërlidhjet

(S)a e dëmton Kosovën kriza në Shqipëri?


Tiranë

Në Tiranë kanë mendime të ndara rreth ndikimit të krizës politike në Shqipëri ndaj Kosovës. Disa thonë se kriza dëmton lobimin e Shqipërisë për njohjen e Kosovës, kurse të tjerët pohojnë se pëson bashkëpunimi ekonomik i ndërsjellë.


Kriza politike në Shqipëri nuk duket të jetë vetëm një problem i brendshëm i funksionimit të institucioneve të saj, apo një test i raporteve me Bashkimin Evropian.

Analistët e shohin atë me ndikim përtej kufijve dhe këtu kanë parasysh Kosovën.

Analisti Afrim Krasniqi thotë se është një koncept i gjithë-pranuar perëndimor ai që i jep Shqipërisë rolin e lidershipit për faktorin shqiptar në rajon, duke pasur përgjegjësinë më të madhe për Kosovën.

Ekzistenca e krizës, thotë Krasniqi, i ka zbehur mundësinë Shqipërisë të luajë pikërisht këtë rol.

“Për shkak se politikanët kryesorë janë të përfshirë në krizë, për shkak se agjenda politike dominohet nga kriza dhe për shkak se i gjithë investimi ynë ndërkombëtar përqendrohet në çështjet e krizës dhe jo në çështje siç mund të jetë lobimi për Kosovën në vendet ku nuk është njohur ende ajo”.

“Ne kemi presidencën spanjolle, që është një vend që ende nuk e ka njohur Kosovën dhe gjithë investimi gjashtëmujor i presidencës spanjolle edhe në prioritetet e saj, është përqendruar në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri”.

“Takimet zyrtare që ne i bëjmë me ta i shfrytëzojmë praktikisht në funksion të krizës dhe jo në funksion të problemeve që tejkalojnë pozitën aktuale të shtetit shqiptar dhe përfshijnë edhe Kosovën”
, thotë Krasniqi.

Analisti Albert Rakipi sjell në vëmendje perceptime politike të qarqeve të ndryshme evropiane që vënë në dyshim aftësinë shtetformuese të shqiptarëve.

Kësisoj, kriza në Shqipëri do të penalizonte edhe Kosovën, një shtet ende në embrion.

“E pakta që mund të thuhet tash për tash, është që po krijojmë një imazh jo të një vendi të stabilizuar dhe të një shteti funksional. Dhe, sigurisht, kjo nuk është absolutisht në favor të Kosovës si një shtet i ri”.

“Ju e dini që ka ekzistuar dhe ndoshta deri në njëfarë shkalle ende ekziston një ide e kapaciteteve shtetformuese për në Shqipëri, për në Kosovë. Dhe, si të thuash, kjo situatë e tashme po jep një argument më shumë, jo vetëm të kësaj teorie, por edhe përfaqësuesve të saj dhe shpeshherë shoqëria evropiane, por edhe kancelarive evropiane.”

“Kështu që, çdo krizë, sado e vogël në Shqipëri, reflekton në mënyrë negative në një perceptim që vendet evropiane dhe Bashkimi Evropian kanë për Shqipërinë, ose për Kosovën”,
vlerëson Rakipi.

Por, analisti Lutfi Dervishi thotë se kriza politike në Shqipëri është thjesht dhe vetëm një problem i brendshëm, madje artificial.

“Mund të ketë një lloj ndikimi në sensin e një lloj imazhi që krijon një vend tashmë i konsoliduar si Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, por jo ndikim të drejtpërdrejtë për çështjen e Kosovës. Duke pasur parasysh edhe botën që jetojmë, ku vende të veçanta të Bashkimit Evropian kanë ku e ku probleme më të mëdha”.

“Ne nuk jemi i vetmi vend që jemi në krizë. Një krizë politike ende më të thellë po e përjeton Bullgaria. Krizat janë pjesë e lojës së demokracisë, por ne e teprojmë duke mos pasur probleme të mëdha dhe duke u marrë me gjëra artificiale”
, shprehet Dervishi.

Duke i mëshuar argumentit të tij për ndikimin në Kosovë që përcjell kriza politike në Shqipëri, Krasniqi thotë se më së paku ajo ka ngadalësuar procesin e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

“Sado që ne pranojmë që kemi dy shtete në rajon, dy shtete me shumicë shqiptare ose shtete shqiptare, në fakt, në sytë e opinionit publik ndërkombëtar dhe në diplomacinë ndërkombëtare gjërat janë të lidhura dhe faktori shqiptar trajtohet i njëjtë. Kështu që, praktikisht mosinvestimi i shqiptarëve në raport me Kosovën ka ndikuar minimalisht në ngadalësimin e procesit”
, shpjegon Krasniqi.

Por, Lutfi Dervishi e sheh në një tjetër optikë mosavancimin e disa vendeve evropiane drejt procesit të njohjes së Kosovës shtet.

“Çështja e njohjes së Kosovës nga Bashkimi Evropian, ka bëjë me shtetet, të cilat nuk e kanë kondicionuar njohjen e Kosovës me faktin që po krijohet një shtet i dytë shqiptar, por me problemet e tyre të brendshme. Rumania, Qiproja, Spanja, Greqia, Sllovakia në mos gaboj”.

“Kështu që, nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë. Fakti është që perspektiva e këtij rajoni është në BE. Me avancimin e anëtarësimit të vendeve fqinje, po edhe me vetë avancimin e Shqipërisë si procedurë drejt BE-së, çështja është më tepër brenda se sa jashtë. Domethënë, topi është në fushën tonë, varet se si do ta luajmë”
, shprehet Dervishi.

Duke e parë gati modest rolin e Shqipërisë në procesin e njohjes së Kosovës, analisti Albert Rakipi shfaq një tjetër optikë të ndikimit të krizës politike në Shqipëri.

Kosovë - Shqipëri shënojnë rekorde negative në drejtim të shkëmbimeve ekonomike edhe për shkak të krizës.

“Ne e dimë që kapacitetet dhe mundësitë e Shqipërisë për ta zgjeruar numrin e vendeve që e kanë njohur Kosovën, janë modeste - duhet ta pranojmë këtë gjë. Por, ajo që Shqipëria do të mund të bënte më shumë për një shtet të ri siç është Kosova, është fusha ekonomike”
.

“Për fat të keq, ne kemi një spontanitet në zhvillimin ekonomik midis dy vendeve për aq kohë sa vëmendja e aktorëve politikë shqiptarë është përqendruar në një krizë të brendshme, është e pritshme që nuk mund të ketë një hapësirë dhe një vëmendje më të madhe për marrëdhënie dypalëshe, për një mendim më strategjik dhe për të ndërtuar programe të përbashkëta që lidhen, siç thashë, në mënyrë të veçantë me zhvillimin ekonomik”
, vlerëson Rakipi.

Këtë argument e mbështet edhe analisti Afrim Krasniqi.

“Çdo lloj krize në Tiranë reflektohet, jo vetëm te shqiptarët e Kosovës, por reflektohet edhe te niveli i marrëdhënieve tregtare me të gjitha vendet, me të cilat ne kemi marrëdhënie tregtare. Në rast të Kosovës kjo gjë është më e thelluar”.

“Fakti që marrëdhëniet tregtare me Kosovën vazhdojnë të jenë përsëri në nivele shumë të dobëta në raport me periudhën para se Kosova të njihej si shtet, do të thotë që politika e Tiranës zyrtare në të gjitha nivelet, në raport me Kosovën, nuk ka pësuar asnjë ndryshim në vitin e fundit, pavarësisht se Kosova është një shtet dhe ka kompetenca shumë më të mëdha në raport me Shqipërinë”
, pohon Krasniqi.
XS
SM
MD
LG