Qeveria e Kosovës duhet t’i kthejë fjalët në vepra sa i përket luftës kundër korrupsionit në nivele të larta, deklaroi Piter Feith.
Adresimi i çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin, sipas Përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Prishtinë, nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë, por dhe me pritjet që ekzistojnë brenda vendit.
“Populli në Kosovë e ndjen se janë marrë masa të pamjaftueshme kundër korrupsionit, ndaj presin më shumë”, tha Feith.
Përfaqësuesi më i lartë ndërkombëtar në Kosovë theksoi rëndësinë e vendimit të GJND-së.
“Mbijetesa e projektit të pavarësisë tashmë po përballet me një provë kritike dhe Kosova shpreson që vendimi do të jetë së paku i baraspeshuar, të ketë elementë pozitivë në mënyrë që të arrihen njohje të mëtejshme dhe qasje më e mirë në organizmat ndërkombëtare, çfarë do të mund të ndihmojë zhvillimin socio-ekonomik”, tha Feith.
Duke folur për shkallën e bashkëpunimit mes Koosvës e Serbisë, Faith theksoi se “shumë nga ministrat e BE-së janë disi të shqetësuar, pasi nuk kemi parë atë lloj ecurie që do të donim. Ndoshta është ende herët dhe duhet të presim për vendimin e Gjykatës, por është koha të fillojmë të mendojmë për një të ardhme ndryshe”, tha Feith.
Deklaratat e Piter Feithit u bënë gjatë një paraqitje në Institutin e Marrëdhëneve Ndërkombëtare dhe Evropiane në Dublin të Irlandës.