Ndërlidhjet

Gordon: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme


Filip Gordon
Filip Gordon

Kosova ka shënuar përparim në dy vjetët e pavarësisë. Çuarja përpara e decentralizimit dhe ndërmarrja e reformave ekonomike janë thelbësore në rrugën e integrimit evropian, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon.



“Dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, udhëheqja e Kosovës ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. 2009-ta ishte një vit i rritjes dhe konsolidimit të institucioneve të Kosovës, që u shënua me krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me suksesin e mbajtjes së zgjedhjeve të para demokratike, të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës”.

“Pjesëmarrja e serbëve në komunat e reja me shumicë serbe, ishte e rëndësishme. Kosova dhe Maqedonia arritën një marrëveshje historike për përcaktimin e vijës kufitare dhe vendosjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike”.


Deklarata e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Gordon, u bë gjatë një seance dëgjimore në nënkomitetin e çështjeve evropiane të Senatit të SHBA-ve.

Gordon, në fjalën e tij, theksoi faktin se “Bashkimi Evropian është një partner kyç” i SHBA-ve në përparimin e arritur në Kosovë.

“Si pasojë e përparimeve të shënuara në vendosjen e paqes dhe stabilitetit, forca e NATO-s në Kosovë po zvogëlohet”, theksoi Gordon.

Gjashtëdhjetepesë shtete e kanë njohur Kosovën dhe pavarësia është e pakthyeshme, tha diplomati i lartë amerikan. Ai shtoi se po punohet ngushtë me institucionet e Kosovës në fushën e decentralizimit.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë reforma të thella e transparente në fushën e ekonomisë, të nevojshme për rritjen e sektorit privat.

Një proces privatizimi i hapur është i nevojshëm për të rritur besimin e popullsisë, por edhe të investuesve, tha para nënkomitetit të Senatit diplomati Gordon.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të ndikojë në çështjet humanitare që kanë të bëjnë me bashkësinë serbe në Kosovë.

Duke folur për Shqipërinë, Gordon nënvizoi nevojën që Qeveria të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe tha se duhet të marrë fund ngërçi parlamentar. Gordon nënvizoi rolin pozitiv të Shqipërisë në rajon.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Godron, theksoi se qëllimi i SHBA-ve për një Evropë të bashkuar e në paqe, nuk mund të realizohet pa u integruar plotësisht edhe Ballkani Perëndimor. (i.b.)
XS
SM
MD
LG