Ndërlidhjet

Politika dyfytyrëshe



Liderët e Bashkimit Evropian, tash sa kohë, kanë lavdëruar presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, si njeri që do ta çojë vendin e tij në integrimet evropiane.

Gjatë fushatës së vitit 2008, Tadiq kishte bërë fushatë me sloganin “Për Serbinë evropiane”. Por, një vështrim në punën e tij zbulon dualizmin ndërmjet fjalëve të bukura me synim të impresionimit të Brukselit dhe anës tjetër që rikujton politikat nacionaliste të Sllobodan Millosheviqit ose Vojisllav Koshtunicës.


Qasja ndaj Kroacisë

Vitin e kaluar kishim të bënim me raportin ndërmjet Tadiqit dhe homologut të tij të atëhershëm kroat, Stipe Mesiq.

Disa vëzhgues menduan se mirëkuptimi i ri ndërmjet Zagrebit dhe Beogradit mund të ndihmojë në zgjidhjen e kontestit rreth padisë së Kroacisë kundër Serbisë në vitin 1999, në Tribunalin e Hagës. Zagrebi ka akuzuar Serbinë për politikë gjenocidi ndaj Kroacisë në periudhën 1991 – 95.

Dhjetë vjet më vonë, shumëkush besonte se Beogradi do të ishte i lumtur, nëse vëmendja nuk do të ishte e fokusuar te çështjet e luftës, por te qasja e re respektabile me Bashkimin Evropian, i cili ka hequr regjimin e vizave për qytetarët e Serbisë, por jo edhe për Bosnjën dhe Kosovën, si viktima nga luftërat e viteve të 90-ta.

Për më tepër, Serbia ngriti padi kundër Kroacisë në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë, duke pohuar me cinizëm se ishte viktimë e luftës që ishte orkestruar nga Millosheviqi.

Shpejt u bë e qartë se synimi i Tadiqit ishte që, përmes kësaj padie kundër Kroacisë, të bëhej ujdi me Zagrebin për zgjidhje të këtij kontesti jashtë gjyqit. Synimi i Serbisë është që ta shmangë fajësinë në Hagë dhe detyrimet për të paguar reparacione.

Nëse Tadiq kishte tensionuar raportet me Mesiqin, tash ai ka rast të ri me presidentin kroat, Ivo Josipoviq. Kryetari i Kroacisë dëshiroi që ta nisë presidencën e tij me një takim me liderët e rajonit gjatë inaugurimit të tij, por Tadiq refuzoi pjesëmarrjen, për shkak të ftesës që i ishte dërguar edhe presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Kroacia ka njohur Republikën e Kosovës, ashtu siç kanë bërë shumica e demokracive dhe vendeve të rajonit. Bojkoti i Tadiqit ka bërë një përshtypje fëmijërore në Perëndim dhe nuk i ka ndihmuar imazhit që ai ka synuar ta krijojë për veten, si personalitet që do ta çojë Serbinë në Evropë.

Tadiq bëri një autogol tjetër në muajin mars, kur refuzoi ftesat e presidentit slloven, Borut Pahor, dhe Jelko Kacinit, që është raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian, për të marrë pjesë në samitin rajonal në Brdo, afër Kranjit.

Shkak sërish ishte prania e zyrtarëve kosovarë, kësaj radhe e kryeministrit Hashim Thaçi. Sllovenët kishin bërë çdo përpjekje për të gjetur një formulë shpëtimtare që Beogradi të merrte pjesë, por Tadiqi i refuzoi të gjitha.

Javën e kaluar, Boris Tadiq sërish tregoi anën e tij miqësore. Në Opati, ai mbajti dy takime bilaterale me Josipoviqin. Lideri i Serbisë, me këtë rast, bëri disa komente për mundësinë e një marrëveshjeje jashtëgjyqësore me Kroacinë rreth padive të Zagrebit dhe Beogradit.

Por, disa analistë kroatë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se një ujdi e tillë nuk mund të realizohet brenda natës. Ndërkohë, dy liderët do të takohen sërish në Baçka Manastir, afër Somborit. Çfarë do të dalë nga ky takim, mbetet të shihet.


Paqartësia e Bosnjës

Bosnja gjithashtu ka qenë nën ambiguitetin e Tadiqit. Më 13 prill, ai mori pjesë në hapjen e panairit në Mostar – pa shkuar në qendrën politike boshnjake – dhe u takua me Haris Silajxhiqin, politikan boshnjak me përvojë, që aktualisht kryeson presidencën e Bosnjës.

Por, Silajxhiq nuk kishte shkuar për të këmbyer përgëzime ose bisedime për tregti, por për të bërë kritikë të ashpër. Lideri boshnjak kërkoi shpjegim se përse Serbia tash po insiston për arrestin ndërkombëtar kundër liderit boshnjak nga koha e luftës, Ejup Ganiq, për shkak të një incidenti që kishte ndodhur në vitin 1992, kur disa paramilitarë boshnjakë kishin vrarë disa ushtarë të armatës jugosllave.

Si rrjedhojë e këtij fletarrestimi, policia britanike, më 1 mars, arrestoi Ganiqin, i cili tash është në Britani të Madhe, duke pritur vendimin e gjyqit nëse do t’i dorëzohet Serbisë.

Për shumë vëzhgues brenda dhe jashtë Bosnjës, “logjika” që qëndron prapa fletarrestimit të Serbisë, përkujton rastin e ngritjes së padisë kundër Kroacisë para Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë – një përpjekje e Beogradit për të shmangur përgjegjësinë e Serbisë për luftërat dhe krimet e luftës së Millosheviqit dhe vënie e agresorit dhe viktimës në nivelin e njëjtë moral dhe juridik.

Silajxhiq publikisht ka pyetur Tadiqin nëse arrestimi i Ganiqit “do të thotë se ne që mbetëm jashtë pastrimit etnik (gjatë luftës), tash do të kapemi në Londër, Beograd dhe gjetiu?”.

Pasi që delegacioni i Serbisë kërcënoi të lëshonte takimin, Tadiq reagoi, duke thënë se “Bashkimi Evropian është duke na vështruar, për të parë nëse elitat tona politike dhe ekonomike janë të afta për të bashkëpunuar”.

Është shumë keq që ai (Tadiq) harroi ftesën e Josipoviqit për inaugurim dhe samitin e Bërdos. Kjo nuk ishte hera e parë që Tadiq u ballafaqua me kritikë publike të Silajxhiqit.

Më 8 shtator, 2009, Tadiq shkoi në Bosnjë, pa informuar anëtarët kroatë ose boshnjakë të presidencës trepalëshe. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte hapja e një shkolle fillore të quajtur “Serbia”, në Pale, që është paralagje e Sarajevës dhe qendër e Radovan Karaxhiqit gjatë luftës 1992 – 95.

Tadiqi, psikolog profesionist, bëri një fjalim që nuk kishte lënë dilema për agjendën e tij: ”Dua t’ju them se Serbia, president i së cilës jam, ka përgjegjësinë për serbët kudo që janë. Serbia nuk është përgjegjëse vetëm për qytetarët e Serbisë, Serbia është përgjegjëse për të gjithë njerëzit që i takojnë kombit tonë”.

Mikpritës i tij ishte kryeministri i Republikës Serbe, Milorad Dodik, që nuk ka lëshuar asnjë rast për të minuar unitetin e shtetit të Bosnjës. Dodik kishte mirëpritur me ngrohtësi “presidentin tonë të dashur Tadiq”.

Silajxhiqi, si anëtar i kryesisë boshnjake, kishte kërkuar përgjegjësi nga Tadiqi për këtë paraqitje. Por, shumë, brenda dhe jashtë Bosnjës, pas fjalimit të Tadiqit pyesin: Përse bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar ndaj udhëtimit të tij irredentist? Dhe, përse liderët e Perëndimit vazhdojnë të lavdërojnë Tadiqin si “evropian”?


”Trajtim special” për Kosovën

Duhet theksuar se Tadiqi, megjithatë, ka bërë një përpjekje për të treguar qëndrimin miqësor ndaj Kroacisë dhe Bosnjës, ndonëse faktet dëshmojnë se sinqeriteti i tij është më tepër se kontestues.

Por, kjo nuk mund të thuhet për Kosovën, që ka pasur vetëm trajtim negativ nga Tadiqi. Jo vetëm që Qeveria aktuale e Serbisë i bën obstruksion pavarësisë kosovare, por madje ka sugjeruar se Beogradi është duke shqyrtuar modifikimin e politikës së pranimit të realitetit në rajon.

Në këtë rast, udhëheqja “evropiane” nuk dallon nga Qeveria paraardhëse “nacionaliste” e Koshtunicës.

Disa vëzhgues besojnë se Tadiqi është duke pritur për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’iu vërsulur pavarësisë së Kosovës dhe, nëse GJND-ja del me verdikt të favorshëm për Kosovën ose do të dalë me qëndrim jo të qartë, rruga do të hapet që Serbia të propozojë një lloj marrëveshjeje.

Spekulimet e fundit sugjerojnë se Beogradi mund të sugjerojë ndarjen e Kosovës, me ç’rast Serbia do ta merrte veriun – që tash kontrollohet efektivisht nga strukturat paralele – dhe të pranonte se pjesa tjetër u takon shqiptarëve.

Por, Tadiq, deri tash, nuk u ka dëshmuar kosovarëve fytyrën e qeshur, siç bën në rastin e kroatëve dhe të boshnjakëve.

Mbase do të ishte urti të mbahet mend vizita e tij komunitetit serb në Kosovë, në vitin 2005, në fillim të mandatit të tij të parë presidencial. Në çdo qytet ose enklavë ai paraqitej me flamurin serb, duke deklaruar se “kjo është Serbi”, gjë që nuk e kishte bërë madje as Millosheviqi.

Ky slogan kuptohet që ka konotacion specifik agresiv, sepse gjatë luftërave të viteve të 90-ta, nacionalistët serbë shkruanin në mure të njëjtin slogan: ”Kjo është Serbi”.

Kohëve të fundit, ka raporte gazetareske, sipas të cilave, disa dilerë drogash, serbë dhe malazezë, kanë planifikuar vrasjen e Tadiqit. Këto raporte mbase do t’i ndihmojnë liderët e Serbisë të kuptojnë se nuk do të duhej të humbasin kohë dhe energji rreth Kosovës, që e kanë humbur para më shumë se një dekade, por të ballafaqohen me problemet reale të Serbisë: krimin, korrupsionin, varfërinë dhe deficitin demokratik.

* * *

Patrick MOORE ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.

Lexoni edhe këto: Jeta normale në një vend normal
Autogoli i Serbisë
XS
SM
MD
LG