Ndërlidhjet

Rasti "Tajms Skuer": Rrëfehet i dyshuari


Sheshi Tajms Skuer në natën e tentim sulmit
Sheshi Tajms Skuer në natën e tentim sulmit

Prokurorët amerikanë kanë ngritur akuza formale ndaj njeriut, që akuzohet se u përpoq ta aktivizojë automjetin bombë në sheshin “Tajms Skuer” në Nju Jork, përfshirë akuzën për përpjekje për aktivizim të armëve për shkatërrim në masë.

Zyrtarët thanë se Faisal Shahzad, 30 vjeçar, kishte pranuar se stërvitjen për sajimin e bombës e kishte bërë në rajonin e Vaziristanit Verior në Pakistan, jo shumë larg kufirit afgan, duke lënë të kuptohet për lidhje të mundshme me Al Kaidën.

Faisal Shahzad, shtetas amerikan me origjinë nga Pakistani, është në paraburgim.
Shtëpia e të akuzuarit Faisal Shahzad në Konektikat, 5 maj 2010

Zyrtarët thanë se paraqitja e tij në gjykatën amerikane ishte shtyrë deri kah fundi i javës, për shkak të asaj që u përshkrua si bashkëpunim i Fahzadit me hetuesit.

Ndërkohë, autoritetet në Pakistan thanë se një numër njerëzish janë arrestuar, përfshirë edhe disa në qytetin Karaçi, në lidhje me përpjekjen për sulm në Nju Jork.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli tha se bashkëpunimi po rrjedh mirë.



“Ne po punojmë ngushtë me qeverinë e Pakistanit për hetimin aktual të komplotit me bombë në Tajms Skuer, dhe e vlerësojmë zotimin e Pakistanit për bashkëpunim të plotë”,
tha Krouli.

Shahzad u arrestua gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga vendi, drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

Shahzad, i lindur në rajonin e Kashmirit në Pakistan, dhe djalë i një ish oficeri të forcave ajrore pakistaneze, jetonte në shtetin amerikan të Konektikatit pasi kishte emigruar nga Pakistani.

“Ne e vlerësojmë faktin se ka shumë pakistanezë që kanë ardhur në këtë vend, ata kanë lidhje me Pakistanin dhe janë bërë qytetarë të këtij vendi. Jemi shumë krenarë për ta. Ata na begatojnë si shoqëri”, tha zëdhënësi Krouli.

Ai shtoi se qeveria po bën gjithçka të mundur për të kuptuar përse ndodhin ngjarjet e këtilla dhe si të parandalohen ato.

“Ne po përpiqemi të kuptojmë se çfarë është kjo dukuri, dhe të shohim se si mund ta parandalojmë që të ndodhë në të ardhmen. Në të gjitha nivelet e qeverisë ka bashkëpunim të madh që shtrihet deri në bashkësitë e diasporës, sepse të gjithë ne e ndjejmë rrezikun dhe e ndjejmë shqetësimin”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Më herët, presidenti Barak Obama tha se sulmi ishte një paralajmërim për kërcënimet aktuale të sigurisë.

Obama tha se FBI-ja dhe autoritetet tjera po e hetojnë të dyshuarin për lidhje të mundshme me grupet tjera terroriste.(v.p.)
XS
SM
MD
LG