Ndërlidhjet

Kosovë: GND i jep mbështetje decentralizimit


Grupi Ndërkombëtar Drejtues i ka dhënë mbështetje komunës së re të Graçanicës, dhe procesit të decentralizimit në tërësi.

Anëtarë të këtij grupi, të cilët kësaj here po zhvillojnë takime në Kosovë, kanë qëndruar mëngjesin e sotëm në Graçanicë, e cila u shndërrua në komunë në bazë të planit Ahtisaari.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Faith ka thënë se anëtarët e GND-se janë të përkushtuar për suksesin e komunës së re dhe për procesin e decentralizimit.
Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka kërkuar mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar Drejtues, për zbatimin e decentralizimit edhe në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha se model për sukses të këtij procesi është Graçanica dhe dy komunat e tjera, Ranillugu dhe Kllokoti.

“Nëse qytetarët këtu kanë krijuar optimizëm dhe kanë krijuar një besim se mund të jetojnë bashkë dhe mirë, aq më parë ne mendojmë se ajo do të bëhet e mundshme dhe në Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok”, tha Ferati.

Në anën tjetër, kreu i komunës së Gracanicës, Bojan Stojanoviq, ka vlerësuar shumë ët rëndësiheme vizitën e GND-së në komunën e re.

“Kjo vizitë është shumë domethënëse për ne, sepse sot bota është në Graçanicë, Evropa është në Graçanicë dhe sot flasim dhe shqyrtojmë edhe shanset dhe sfidat”, tha Stojanoviq.

Gjatë ditës, anëtarët e Grupit Ndërkombëtar Drejtues do të kenë një drekë pune me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG