Ndërlidhjet

SHBA: Kosova burim dhe destinim i trafikimit


Kosova është burim, tranzit dhe vend i destinimit për femra dhe fëmijë, të cilët janë subjekt i trafikimit, thuhet, pos tjerash, në pjesën për Kosovën, në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që është publikuar të hënën



Kosova është burim, tranzit dhe vend i destinimit për femra dhe fëmijë, të cilët janë subjekt i trafikimit të personave, në mënyrë specifike i prostitucionit të detyrueshëm dhe i fëmijëve, që detyrohen të kërkojnë lëmoshë, thuhet, pos tjerash, në pjesën për Kosovën, në raportin e Departamentit amerikan të shtetit, që është publikuar të hënën.

Mëtutje theksohet se shumica e viktimave të prostitucionit të detyrueshëm janë femra të reja nga Evropa Lindore, përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Serbinë.

Fëmijët dhe femrat në Kosovë janë subjekt i prostitucionit të detyrueshëm brenda Kosovës dhe poashtu në vendet në mbarë Evropën.

Sipas raportit, një OJQ ka raportuar se ka identifikuar më se 300 fëmijë, veçanërisht nga komunitetet rome, që janë detyruar të kërkojnë lëmoshë.

Në raport thuhet se policia vazhdon të raportojë se trafikimi i brendshëm, që involvon serbët e Kosovës, po ashtu mund të ndodhë në pjesën veriore.

“Qeveria e Kosovës nuk e përmbush në tërësi minimumin e standardeve për eliminimin e trafikimit; megjithatë, po bën përpjekje thelbësore në këtë drejtim”,
thuhet në raport.

Në këtë kuadër, në raport përmendet edhe fakti se ligji në Kosovë penalizon trafikimin seksual dhe të punësimit të detyrueshëm, duke i dënuar kryesit e këtyre veprave penale nga 2 deri në 12 vjetë heqje lirie – dënime këto të cilat janë rigoroze dhe pothuajse në nivel me krimet tjera serioze, siç është përshembull dhunimi.

Megjithatë, thuhet në raport, nuk janë dhënë dënime adekuate për trafikuesit e dënuar, shumica e dënimeve ishin nën minimumin ligjor, të paraparë me ligjin kundër trafikimit.

“Madje, pjesa më e madhe e të dënuarve janë liruar pas apelimit, në vitin 2009”
, thuhet në raport.

Në të rikujtohen operacionet e dhjetorit të vitit 2009 dhe shkurtit të vitit 2010, duke thënë se policia anti-trafikim kishte lansuar një sërë bastisjesh nëpër kafiteri, bare dhe klube nate, duke rezultuar kështu me mbylljen e rreth 50 establishmenteve që ofronin shërbime seksuale dhe arrestimin e 9 trafikuesve të dyshuar.

Në vitin 2009, qeveria ka ndjekur 25 trafikantë, 22 nga të cilët janë dënuar, me çka shënohet një rritje prej 15 rastesh, në krahashim me vitin 2008.

Megjithatë, në raport thuhet se nga 22 të dënuarit, vetëm dy prej tyre kanë filluar të vuajnë dënimin; të tjerët mbeten të lirë me ankesat që kanë paraqitur, duke ua bërë me gjasë të mundur që të vazhdojnë të eksploatojnë viktimat e tyre.

Njëkohësisht, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, vë në pah edhe ndihmën e kufizuar nga ana e qeverisë në riatdhesimin apo reintegrimin e viktimave të trafikimit, pasi janë larguar nga qendrat e strehimit.

Në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore, theksohet gjithashtu se duhet që në mënyrë proaktive të ndiqen dhe të dënohen autorët e trafikimit seksual dhe të punës, përfshirë zyrtarët bashkëfajtorë në trafikim. (f.b.)
XS
SM
MD
LG