Ndërlidhjet

Policia afgane fajëson talibanët për vrasjen e 11 civilëve


Policia afgane njoftoi sot se në pjesën qendrore të vendit janë gjetur 11 trupa të civilëve, që u ishte hequr koka. Policia fajëson talibanët për ekzekutimin e tyre.

“Të enjten në mbrëmje janë gjetur 11 civilë të vrarë, në një lagje të provincës Uruzgan”, i tha AFP-së shefi i policisë lokale, Gulab Mohammad.

Kryengritësit islamikë thuhet se u heqin kokat atyre që dyshojnë se “spiunojnë për forcat afgane dhe ndërkombëtare”.

Ndërkohë, NATO-ja po sot njoftoi se dy ushtarë të saj kanë humbur jetën në sulme të ndara në pjesën jugore dhe lindore të Afganistanit, ndërsa një ushtar i Aleancës ka ndërruar jetë pas plagëve të marra nga sulmi i një dite më parë.

Në javët e fundit, talibanët kanë forcuar revoltën, pavarësisht pranisë së 140,000 ushtarëve ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG