Ndërlidhjet

Rusi: Rritje e vetëvrasjeve të fëmijëve


Sajid Fekretdinov, 10-vjeçar, bëri vetëvrasje katër muaj më parë.
Sajid Fekretdinov, 10-vjeçar, bëri vetëvrasje katër muaj më parë.

Para katër muajsh, Sajid Fekretdinov bëri vetëvrasje duke kërcyer nga dritarja e banesës së tij në Moskë. Ai ishte vetëm 10-vjeçar. Prindërit e tij thonë se ngacmimi në shkollë e kishte shtyrë fëmijën e tyre të bëjë vetëvrasje. Por, psikologët thonë se sistemi i dobët mbrojtës i Rusisë, në masë të madhe, është për t’u fajësuar për rritjen e numrit të vetëvrasjeve në mesin e fëmijëve dhe të rinjëve në këtë vend.


Koha është ndalur në dhomën e 10-vjeçarit Sajid Fekretdinov. Prindërit e tij e kanë lënë dhomën pothuajse të paprekur prejse ai kërceu nga dritarja e banesës në Moskë, para katër muajsh.

Prindërit Ramil dhe Marina Fekretdinov thonë se e kanë shumë vështirë në këtë periudhë.

“Ne duhet t’i shfletojmë librat e tij, duke shpresuar se ndoshta do ta gjejmë ndonjë letër nga ai ndërmjet faqeve. Por, tash për tash, është shumë vështirë. Kjo na bën të qajmë”, thotë babai Ramil Fekretdinov.

Afro 2,500 fëmijë dhe të rinj mendohet se bëjnë vetëvrasje në Rusi, çdo vit. Kjo shifër është dy herë më e madhe se mesatarja për kokë banori në vendet perëndimore, siç është për shembull: Franca.

Vetëvrasjet aktuale, sikur ajo e 10-vjeçarit Sajid, kanë tërhequr vëmendjen e opinionit për këtë problem, për të cilin ekspertët thonë se Rusia nuk është e përgatitur mirë për ta shqytuar.

Në rastin e Sajidit, prindërit e tij fajësojnë shkollën për kadetë të marinës, ku ai mësonte, që është njëra prej mbi 100 shkollave në Rusi, ku jepen instruksione shtesë ushtarake, patriotike dhe fetare.

Megjithëqë shkollën e kishte shumë afër, Sajidi ishte krejtësisht i dëshpëruar. Ramili dhe Marina thonë se i biri i tyre rregullisht rrahej nga nxënësit e tjerë, për shkak të emrit të tij mysliman dhe prejardhjes tartare. Ata akuzojnë personelin e shkollës se i ka mbyllur sytë gjatë rrahjes së të birit.

Ata thonë se njëri nga mësuesit e kishte keqtrajtuar seksualisht Sajidin, por shkolla këtë akuzë e përgënjeshtron.

Disa javë para se të bënte vetëvrasje, Sajidi ishte në spital, për, siç thonë pridnërit e tij, lëndime nga rrahja e tmerrshme në shkollë.

Babai i tij Ramili thotë se beson se ky ishte sulmi i fundit, që e çoi Sajidin në vetëvrasje.

“Ai kishte shenja të rrahjes në kokën e tij, ai ecte me vështirësi, ai më afrohej duke u mbajtur për muri. Ai qante dhe përsëriste se ‘babi, ata më vranë’. Ai kishte ndryshuar tërësisht”, rrëfen babai Ramil.

Shkolla ku ndiqte mësimet Sajidi.
Më 16 shkurt, e ëma e tij, Marina, ishte vetëm me Sajidin.

“Ai ishte shumë i shqetësuar. Ai rrëmbente çdo gjë rreth tij. Ai kishte dhembje të kokës dhe ishte krejtësisht i dezorientuar”, thotë ajo.

Shkolla, në mënyrë kategorike, i ka hedhur poshtë akuzat për dhunë dhe keqtrajtim seksual, që janë bërë nga familja e Sajidit.

Drejtori i shkollës, Jevgeny Vedenski, i akuzon prindërit e Sajidit, duke thënë se ata po përpiqen ta fajësojnë shkollën, pasi, sipas tij, ata i kanë injoruar kërkesat e djalit për transferim në një shkollë tjetër.

“Të gjithë nxënësit janë marrë në pyetje. Rrahja, edhe nëse ka ndodhur, definitivisht nuk ka ndodhur në shkollë dhe shokët e tij të klasës nuk kanë asgjë të përbashkët me rastin e tij”, thotë drejtori Vedenski.

Babai i Sajidit thotë për Radion Evropa e Lirë se djali i tij, disa herë, ka kërkuar të transferohet në një shkollë tjetër, porse ai ka vazhduar të besojë se ky lloj i shkollës ushtarake është më i mirë për birin e tij.

Por, pavarësisht se çka realisht e çoi Sajidin në vetëvrasje, fati i tij ilustron mungesat e Rusisë në çështjen e marrjes me problemin e vetëvrasjes së të rinjve.
Psikologu për fëmijë, Aleksander Shadura, thotë se niveli i ulët i mbrojtjes sociale po ashtu nënkupton se nuk ekziston mekanizmi për afrim te nxënësit, që kanë përjetuar keqtrajtim fizik, psikik ose seksual.

Psikologu, me të cilin Sajidi është konsultuar për incidentin e dyshuar të pedofilisë në shkollë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai nuk e ka raportuar këtë akuzë dhe i ka këshilluar prindërit që të bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Aleksei Kasatkin, hetuesi që ishte marrë me rastin e vetëvrasjes së 10-vjeçarit, Sajid Fekretdinov, thotë se roli i punëtorëve socialw është i kufizuar, kur ka të bëjë me vetëvrasjen e fëmijëve.

“Ata fokusohen në familjet e varfra, ku njerëzit pinë alkool e duhan dhe grinden. Por, si rregull, fëmijët nga familjet e këtilla nuk bëjnë vetëvrasje. Fëmijët që bëjnë vetëvrasje, janë nga familjet me të ardhura të mesme. Fëmijët nga këto familje janë më të pakënaqurit me familjet e tyre dhe me vetveten”, thotë Aleksei Kasatkin, që është hetuesi kryesor lokal në Moskë.

Ai tregon edhe për disa raste të vetëvrasjes së fëmijëve dhe të rinjve, duke theksuar se për të rriturit shkaqet e vetëvrasjeve janë të parëndësishme.

Gjatë disa javëve të fundit, disa rusë të rinj e vranë vetveten, për shkak të dështimit në shkollë. Një 13- jeçar vrau veten me armë gjuetie.

Një shkollë në rajonin Sverdlovsk ka shënuar vetëvrasjen e pesë nxënësve, ndërsa prokurorët këto vetëvrasje ia kanë atribuuar”klimës jo të shëndoshë” në shkollë. (f.b.)

Why Are Russia's Kids Killing Themselves?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:34 0:00

XS
SM
MD
LG