Ndërlidhjet

PE debatoi për Kosovën


Strasburg
Strasburg

Gjatë debatit të së mërkurës, shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë nënvizuar se Kosova ka një të ardhme evropiane sikurse edhe vendet tjera të rajonit të Ballkanit dhe se Bashkimi Evropian duhet ta ndihmojë Kosovën, pa marrë parasysh faktin se disa vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Është vërejtur se shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian do ta mbështesin edhe pjesën e rezolutës, ku do t’u bëhet ftesë shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë.

Mirëpo, ka pasur disa deputetë të Parlamentit Evropian, sidomos nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilët kanë shprehur rezerva, duke thënë se çështja e statusit nuk është e rëndësishme dhe se statusi nuk mund të zgjidhet pa pajtimin e të dyja palëve, pra serbëve dhe shqiptarëve.

Megjithatë, është vërejtur se deputetët e tillë do të jenë pakicë dhe nuk do të mund ta rrëzojnë pjesën e rezolutës rreth mbështetjes së Kosovës si shtet i pavarur.

Në debatin e së mërkurës është paraqitur edhe komisionari për Zgjerim dhe Çështje të Fqinjësisë së Mirë, Shtefan Fyle, i cili ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane dhe se Komisioni Evropian është i angazhuar në kontakte të përhershme me autoritetet e Kosovës.

Fyle ka përmendur sidomos marrëveshjen për tregti të lirë dhe procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se Komisioni Evropian është duke e ofruar këtë mundësi dhe tash, siç u shpreh ai, topi është në terrenin e kosovarëve dhe ata duhet t’i përmbushin kriteret, të cilat kërkohen për të nisur dialogun e vizave.

I pyetur për situatën në veri, Shtefan Fyle ka thënë se si Komisioni, ashtu edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë dënuar dhunën atje dhe bëjnë ftesë ndaj të dyja palëve që të përmbahen në këtë kohë kur të gjithë janë në pritje të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.

Fyle, si dhe shumë deputetë te Parlamentit Evropian, ka thënë se ky mendim do të jetë një rast i mirë për të shtyrë dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit për çështje praktike.

Mirëpo, edhe këtu disa deputetë, sidomos ata që janë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës, kanë shprehur mendimin se mund të ketë hapësirë edhe për negociata të reja të statusit, gjë që shumica e parlamentarëve nuk e mbështesin.

Sa i përket Kosovës, pritet që në Rezolutë të përsëritet edhe një herë e ardhmja evropiane e Kosovës, e, po ashtu të përsëritet edhe kërkesa drejtuar EULEX-it dhe autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse Parlamenti do të shprehë shqetësim të jashtëzakonshëm për nivelin e lartë të korrupsionit që mbretëron në Kosovë.

Ndërsa, lidhur me pikat tjera të Rezolutës që priten të votohen gjatë ditës së enjte, duhet nënvizuar edhe thirrjen e autoriteteve të Kosovës që të sigurojnë një pluralizëm të mediave dhe lirinë e shtypit, sikurse edhe thirrjet drejtuar Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare që Kosovës t’i mundësojnë përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, ashtu siç ka qenë kjo edhe për shtetet e tjera të rajonit.

Gjatë debatit, është dënuar edhe dhuna e shfaqur në veri të Kosovës, më saktësisht në Mitrovicë, qoftë sulmi ndaj deputetit me kombësi serbe në Parlamentin e Kosovës, Petar Miletiq, ashtu edhe shpërthimet që kanë ndodhur gjatë protestave në Mitrovicë.

Jelko Kacin, deputet slloven në Parlamentin Evropian dhe raportues për Serbinë, e ka quajtur si rrezik të demokracisë dhe sulm ndaj lirisë sulmin ndaj deputetit Miletiq.

Miletiq vjen nga radhët e Partisë Liberale, e cila është e lidhur edhe me liberalët evropianë.

Kështu, Kacin këtë sulm e ka krahasuar me sulmin dhe vrasjen që kishte ndodhur ndaj kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.

Ky është një sulm ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe motivet e sulmit mund të jenë për shkak se ai ka zgjedhur dialogun me shqiptarët, është shprehur Kacin.

Pritet që të enjten të bëhet votimi edhe për disa rezoluta tjera, përfshirë edhe rezolutën për Shqipërinë.

Ndërkaq, të mërkurën është diskutuar edhe për Shqipërinë dhe deputetët kanë bërë thirrje që të gjitha partitë politike në Shqipëri të dëshmojnë një pjekuri dhe maturi më të madhe politike.
XS
SM
MD
LG