Ndërlidhjet

Rregullimi i Ballkanit


Nga Morton Abramowitz dhe James Hooper:

Perdja është gati të ngritet në aktin e radhës së diplomacisë ballkanike: mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në 2008, pritet të bëhet i ditur më vonë këtë verë. Mbështetja në GJND ishte një tentim mendjemprehtë diplomatik i Beogradit për të blerë më shumë se dy vjet kohë me qëllim të ngadalësimit të vrullit ndërkombëtar të njohjeve të Kosovës, dhe vendosjes në ngrirje të thellë të kandidaturës së saj për OKB.

Askush nuk e di çfarë do të vendosë Gjykata, mirëpo:

-Në qoftë se mendimi e favorizon Kosovën, kjo do t’i sjellë shtetit të ri shtimin e numrit të njohjeve nga 69 sa është tash, një numër i rëndësishëm, por ende i pamjaftueshëm. Por, Kosova nuk do ta fitojë njohjen nga Serbia, as pranimin në OKB për shkak të vetos ruse. As Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkesa e saj për pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht nga serbët. Kosovës do t’i përmirësohet statusi i saj i pacaktuar.

-Në qoftë se mendimi është kundër Kosovës, shteti i brishtë do ta mbajë pavarësinë e tij, por do t’i humbasë disa njohje bashkë me shpresën për të hyrë në OKB ose BE. Kosova do të mbetet pa caktueshmëri edhe më të rrezikshme, gjë që do të krijojë mundësi për dhunë serioze popullore kundër serbëve në Kosovë.

-Nëse ndodh ajo që pritet nga shumica, Gjykata, me një frikë të kuptueshme nga pasojat e vendimeve të saj, nuk do të rreshtohet me asnjërën nga palët. Shumë shtete që kanë qëndruar mënjanë debatit për njohjen e Kosovës, do të jenë më të hapura ndaj këtij opsioni, gjë të cilën Serbia e kupton shumë mirë.

Duke u përballur me rënien e përkrahjes ndërkombëtare për kundërshtimin e tij të vendosur, Beogradi ka gjasa të kërkojë hapjen e negociatave me Prishtinën për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen. I pëlqeu apo jo, Kosovës do t’i duhet të përfshihet në bisedime, sepse protektorët e saj perëndimorë do të insistojnë. Ky skenar është edhe i rrezikshëm, edhe premtues, ndërsa do të ketë implikime serioze jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për shtetet fqinje, Maqedoninë dhe Bosnjën.

Iniciativa e pashpresë e Serbisë

Duke parashikuar përkrahje të vogël nga Gjykata, Serbia ka filluar që t’i paraprijë një nisme të re diplomatike. Ndonëse fillimisht mund të përpiqen për një raund tjetër të "ndërkombëtarizimit" të çështjes në Kombet e Bashkuara, zyrtarët e lartë të Beogradit janë duke iu pëshpëritur zyrtarëve perëndimorë dhe vizitorëve se ata duan të arrijnë një marrëveshje për Kosovën. Kjo në vetvete është risi, pas viteve të paraqitjes së kërkesave rreth Kosovës me një gjuhë rigide dhe emocionale.

Perëndimi është duke vështruar me vëmendje. Por, për diplomatët perëndimorë është e paqartë nëse Beogradi është i gatshëm të bëjë kompromis me ato kushte që do ta bëjnë të mundshëm një rezultat stabilizues. Ndërmjetësuesit serbë këmbëngulin në tri gjëra: ndryshimin e rregullimit territorial dhe kthimin nën administrim të Serbisë të rajoneve të banuara me serbë në Veriun e Kosovës; trajtimin e veçantë për disa manastire ortodokse në Kosovë, dhe një mirëkuptim implicit që Perëndimi të mos i lejojë kosovarët të kërkojnë tepër për kompensim.

Disa zyrtarë thonë se Serbia do të jetë e përgatitur ta ndërpresë fushatën kundër njohjeve të mëtejshme ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, dhe ndoshta ta lejojë Kosovën në OKB, por të mos e njohë atë. Mbetet për t'u testuar se sa e fuqishme është kjo pozitë. Motivimi i serbëve është i qartë: të gjendet zgjidhje për kufijtë, gjë që do t’iu mundësonte avancimin e agjendës së tyre të pranimit në BE, të mos pengohet rrjedhja e ndihmave europiane, si dhe të mbrohen linjat e tyre të brendshme politike.

Disa në Evropë pohojnë se do të ishte e papërgjegjshme të injorohej mundësia për ta hulumtuar fleksibilitetin e Serbisë rreth marrëdhënies së re me Kosovën. Duhet të shmanget një konflikt i ngrirë në Ballkan, që do të zgjaste në kohë të pacaktuar - shpërthimit i dhunës kohëve të fundit në veri të Mitrovicës, tregon jostabilitetin e ngecjes aktuale në veri. Zyrtarët evropianë do të preferonin të mos e kishin një konflikt të ngrirë të vazhdueshëm.

Fuqia e diplomacisë, politikës dhe politikave ekonomike të tyre, për disa dekada të kaluara ka qenë në kapërcimin e ndarjeve kombëtare dhe etnike, kurse ata besojnë se në këtë proces kanë marrë mësime të rëndësishme, të cilat konvertohen në taktika të suksesshme diplomatike.

Uashingtoni është i interesuar, por edhe ai i frikohet rrezikut dhe destabilizimit. Diskutimet për ndarjen e Veriut të Kosovës krijojnë një atmosferë për mundësinë e hakmarrjes së kosovarëve të zemëruar ndaj serbëve që jetojnë në zonat tjera të Kosovës. Ato, po ashtu, mund ta nxisin komunitetin e tendosur shqiptar në Maqedoni për t’ia kthyer shpinën Shkupit dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë dhe Kosovën, me qëllim të formimit të një shteti të përbashkët shqiptar.

Në qoftë se ekziston mundësia për të arritur marrëveshje, atëherë do të kishte kuptim të definoheshin detajet për ta realizuar. Gjithashtu, është e logjikshme të thuhet se një konflikt i ngrirë është më i mirë sesa rrezikimi i përsëritjes së dhunës dhe shpërbërjes së Maqedonisë, nëse nxitohet të hyhet në negociata me supozime optimiste, të cilat mund të mos japin fryte. Aleatët duhet t’i zgjidhin mospajtimet e tyre dhe të arrijnë një mirëkuptim për atë që do të përbënte një rezultat stabilizues para insistimit në negociata substanciale në mes të dy palëve.

Dimensioni rajonal

Hapi i tyre i parë do të duhej të ishte shqyrtimi i situatës rajonale dhe ndikimi i negociatave, duke filluar me Prishtinën.

Kosova është e gjallërishme dhe sipërmarrëse, por politikisht është rrëmujë. Ajo aspiron të jetë shtet i pavarur me orientim perëndimor, por Qeveria e saj dyshohet për korrupsion dhe në masë të madhe e ka harxhuar pozicionin e saj moral, si në popull ashtu edhe në Perëndim. Sundimi i vazhdueshëm ndërkombëtar më së shumti ka dështuar në krijimin e institucioneve të një shteti modern demokratik dhe ka vendosur standarde të ulëta në parandalimin e korrupsionit.

Kosova duhet të çlirohet nga mentaliteti i varësisë që është nxitur nga më shumë se një dekadë e dominimit perëndimor, por edhe më tej duhet të ketë qasje në ndihmën perëndimore dhe këshillimet në shumë sektorë. Liderët e Kosovës, pa marrë parasysh mospajtimet e tyre të mëdha të brendshme, mund të bashkohen kur është fjala te raporti me Serbinë.

Nuk janë entuziastë për negociatat, por duan që çfarëdo negociatash të përfundojnë me Kosovën si shtet i pavarur dhe me rajonin verior të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesë të veten. Ata kanë frikë se Perëndimi, në padurim për të arritur deri te zgjidhja, do të pranojë negociata të tejzgjatura që në fund do të rezultojnë me dobësimin e mbështetjes për synimet e Kosovës. Politikanët kosovarë gjithashtu i frikësohen zemërimit popullor nga ndonjë “kompromis” lidhur me ndarjen aktuale de facto të Veriut, që dominohet nga serbët.

* * *

Serbia kërkon të anëtarësohet në BE, por liderët evropianë kanë përcjellë mesazhe të përziera - ndonjëherë duket se thonë që Serbia mund ta arrijë pranimin pa zgjidhjen e problemit të Kosovës. Në esencë, Qeveria Tadiq ka vazhduar qëndrimin përjashtues për Kosovën të regjimit të mëparshëm të Koshtunicës, por me një stil më të sofistikuar dhe të nuancuar, me të cilin ka fituar miq jashtë vendit. Serbia ka punuar shumë për ta ruajtur kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës - të përqendruar në qytetin e ndarë të Mitrovicës - kurse Perëndimi nuk ka bërë asgjë për ta parandaluar këtë gjendje që nga lufta e vitit 1999.

Derisa shumë serbë janë lodhur me problemin e Kosovës dhe dëshirojnë që Qeveria të fokusohet në çështjet qendrore të jetës së tyre, klasa politike serbe ende është politikisht ngurruese të rrezikojë me ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës. Zyrtarët e lartë serbë haptas e pranojnë se Kosova është e humbur për ta, por pohojnë se nuk mund të largohen nga Kosova "duarbosh". Për shkak të brengave politike të këtij lloji, Boris Tadiq duhet ta finalizojë cilindo rezultat të negociuar para zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, në prill 2012.

Maqedonia fqinje është një shtet me rrezikshmëri dhe potencialisht është më drejtpërdrejt e prekur nga negociatat rreth Kosovës. Ajo mbetet e ndarë në mes të shqiptarëve të varfër dhe sllavëve pak më të pasur, pavarësisht Marrëveshjes së Ohrit që është arritur me vështirësi për ta kapërcyer hendekun mes tyre dhe për të krijuar një shtet politikisht të qëndrueshëm. Shpresa e saj që ta ruajë stabilitetin e brendshëm nëpërmjet pranimit në NATO u pengua nga refuzimi i Greqisë për të lejuar që ta përdorë emrin e saj zyrtar.

Shqiptarët e Maqedonisë janë në kontakt të afërt me shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa bashkimi i shqiptarëve është në mendjen e shumë prej tyre. Për një kohë të gjatë, mes akterëve të Ballkanit ka qenë i pakundërshtueshëm fakti se çdo ndarje e Kosovës do të çonte në shkëputjen e Maqedonisë Perëndimore, të dominuar nga shqiptarët.

Perëndimi dhe menaxhimi i negociatave


BE-ja dhe SHBA-ja mbesin thellësisht të përfshira në rajon, por me trupa, financime dhe qeverisje më të vogël. Qasja e tyre gjatë dy dekadave të fundit ka qenë e vonuar dhe pragmatike - zgjidhja e problemeve një nga një. Daytoni i dha fund luftës, por e bëri këtë në kurriz të ndarjes së përhershme etnike që e ka penguar përparimin politik të Bosnjës, kurse lideri i entitetit serb haptas kërkon të pavarësohet.

NATO-ja e çliroi Kosovën nga Milloshevici, por, për ta respektuar Serbinë, gjatë krijimit të entitetit të pavarur i la të paqartë kufijtë territorialë të shtetit. BE’ja dhe SHBA’ja me çdo kusht kërkuan ta mbajnë Maqedoninë të bashkuar me anë të Marrëveshjes së Ohrit, por më pas e zhvendosën vëmendjen dhe nuk u angazhuan mjaftueshëm për ta ndihmuar shtetin të funksionojë më mirë.

BE’ja ka zëvendësuar Shtetet e Bashkuara si arbitri kryesor në rajon sa i përket financimit dhe trupave, ndërsa shpresa për pranim në BE është mjeti kryesor për nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve. Shumë njerëz frikësohen se BE’ja nuk është e aftë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, dhe jo vetëm për shkak të ndasive brenda Unionit rreth çështjes së Kosovën.

Formula e BE’së për progresin në rajon ende mbetet për t’u testuar, ndërsa shpresat për pranim tash për tash janë tërhequr. SHBA’ja ka mbetur aktere kryesore vetëm në Kosovë - gjë që shpesh e ka hidhëruar BE’në - sepse populli i Kosovës e konsideron SHBA’në si të vetmin mik të besueshëm.

Aktualisht, shtetet perëndimore po flasin për negociata, por janë duke menduar në "bisedime teknike" për pasaportat, doganat, si dhe çështjet tjera midis Serbisë dhe Kosovës. Këto janë çështje të rëndësishme praktike që ndikojnë në jetesën e qytetarëve të tyre, por nuk kanë të bëjnë me çështjet më të gjera mes vendeve, dhe sigurisht jo me ato që janë prioritet i Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës. Kohëve të fundit, çështja e ndarjes së Kosovës e ka fituar vëmendjen publike në të gjithë Ballkanin.

Një problem me të cilin përballen negociatorët perëndimorë është se ndarja e Kosovës në këmbim të anëtarësimit të mundshëm në OKB, për një shtet të cunguar si ai i Kosovës, nuk është një propozim i tregtueshëm në Prishtinë. As Serbia nuk mund të presë që Perëndimi në këtë kohë t’i bëjë presion palës më të dobët - Kosovës - për t’i pranuar kushtet që janë më pak se kërkesat e saja minimale.

Sfida do të konsistojë në përcaktimin e ekzistimit të fleksibilitetit të mjaftueshëm të pozicionit serb për të bërë negociata, si dhe faktit nëse ka përfitim të mjaftueshëm për Serbinë në marrëveshje për ta mbrojtur Qeverinë prej kritikave të ashpra nga linja e ashpër opozitare, që është e parashikueshme.

Kjo nuk do të thotë se të dyja palët nuk kanë asgjë për të fituar nga marrëveshja. Qeveria Tadic beson se nuk ka pse t’i frikohet negociatave që mund ta përgatisin ndarjen e Kosovës, t’ia lehtësojë hyrjen në BE, dhe t’ia heqë bashkësisë ndërkombëtare barrën e Kosovës Veriore.

As për kosovarët bisedimet nuk janë vetëm humbëse. Shumica e kosovarëve preferojnë që kufijtë e tyre të mbeten ashtu si janë, edhe në qoftë se nuk i kontrollojnë, për t’i shmangur pasojat e ndryshimit të tyre. Por, ata nuk do të ishin kundër largimit të 40.000 serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër, dhe ta mirëprisnin mundësinë e kthimit të një numri të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, përgjatë kufirit lindor të Kosovës, pra, një shkëmbim territorial.

Nëse bëhet vullnetarisht dhe paketohet si pjesë e procesit të normalizimit të raporteve me Serbinë, pa marrë parasysh shqetësimet perëndimore për natyrën e tij etnike, shumë kosovarë do të mund të konsideronin një shkëmbim të tillë më parë si forcim të shtetit të tyre të pavarur, sesa tradhti nga ana e Perëndimit. Por, kjo do të ishte kontroverse.

Zyrtarisht, të gjitha partitë kryesore politike shqiptare të Kosovës janë kundërshtare të shkëmbimit. Perëndimi do të frikësohej se serbët në "enklavat" në jug gjithashtu do të iknin në Serbi. Pavarësisht kontroversës, shkëmbimi territorial mund të jetë rrethana e vetme nën të cilën humbja e veriut mund të jetë e pranueshme për Prishtinën dhe kësisoj ta sigurojë bazën për marrëveshje. Kjo është sugjeruar shpesh gjatë viteve të pasluftës, dhe është refuzuar nga Beogradi, por ka indikacione se tash është opsion i mundshëm. Beogradi duket se ende beson që mund ta rimëkëmbë Veriun pa ndonjë shkëmbim territorial.

Qeveritë perëndimore do të duhet të pyesin veten se çfarë mund të arrihet realisht në këto negociata. Në fund të fundit, premtimi për pranim në BE duket gjithnjë e më i largët, dhe SHBA’ja ka mjaft punë të veta. Kalkulimet e gabuara politike janë më shumë rregull sesa përjashtim në Ballkan, dhe ka rrezik të konsiderueshëm që edhe diplomatët e përmbajtur dhe me përvojë ta fillojnë një proces që do t’iu eksplodojë në fytyrat e tyre. Me dy luftëra të papërfunduara dhe me problemet me Iranin që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme të nivelit të lartë, është pretencioze për Uashingtonin që të merret me këto çështje.

* * *

Ne besojmë se parakushti thelbësor për procesin negociator Kosovë-Serbi, që nuk shpie në destabilizim rajonal, është mirëkuptimi midis SHBA’së dhe aleatëve për një marrëveshje e cila i përshtatet këtyre parametrave:

1. Pranimi i Parimit të Helsinkit, sipas të cilit, ndryshimet e kufijve midis shteteve nuk mund të imponohen, por janë të pranueshme nëse ekziston pajtueshmëria reciproke. Kjo do të parandalonte çdo tundim për ta vendosur ndarjen e Kosovës vetëm sa për ta qetësuar Beogradin, por do ta linte derën hapur për një shkëmbim territorial për të cilin të dyja palët do të pajtoheshin nëse do t’i plotësonte nevojat e tyre dhe ta ndihmonte stabilizimin e marrëdhënieve.

2. Pajtueshmëri nga Serbia për ta lejuar Kosovën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe gatishmëri nga Kosova për t’u pajtuar me këmbënguljen e Serbisë që vendosja e marrëdhënie diplomatike me Kosovën të mos jetë e detyrueshme aktualisht, pasi ajo është realitet i politikës serbe.

3. Përkushtim nga NATO për ta përfshirë Kosovën në Aleancë, pas çfarëdo zgjidhjeje të negociuar me Serbinë. Kjo do t’i ndihmonte autoritetet për t’iu rezistuar tendencave irredentiste.

4. Forcimin e sigurisë të Maqedonisë, si një polisë sigurimi kundër shpërthimeve të papritura pas bisedimeve. Kjo nënkupton një përpjekje të përgjithshme perëndimore për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe anëtarësimin e shpejtë të Maqedonisë në NATO.

5. Një vërejtje e unifikuar dhe e qartë për Kryeministrin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, se shkëputja nga Bosnja është krejtësisht e papranueshme, nga frika se ai do t’i përshkallëzojë përpjekjet e tij dhe do të kalojë nga tentimi i dobësimit të Qeverisë së Bosnjës në një iniciativë të fuqishme për t’u ndarë nga Bosnja dhe bashkuar me Serbinë.

6. Qëndrimi i forcave ushtarake perëndimore në një nivel të caktuar në Kosovë, derisa të mos ketë një zgjidhje më të mirë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

7. Një afat për kontrollin perëndimor politik të Kosovës. Pa marrë parasysh nëse bisedimet kanë sukses apo jo, viti 2012 duhet të jetë fundi i marrëveshjes për EULEX’in. Duhet të ekzistojë një dispozitë për ndihmë të gjerë teknike dhe ekonomike për Qeverinë e Kosovës.

Nëse bisedimet paraprake jozyrtare me serbët dhe kosovarët, në një kohë të përshtatshme, tregojnë se marrëveshja nuk ka gjasa të arrihet, Perëndimi duhet ta ndalë procesin përpara fillimit të bisedimeve formale që rrisin pritshmëritë dhe mund t’i bëjnë dëm stabilitetit rajonal.

Nëse serbët dëshmojnë se realisht nuk janë të interesuar në një marrëveshje, Perëndimi duhet të bëjë atë që kurrë nuk ka qenë i përgatitur ta bëjë: ta vendosë nën kontroll rajonin verior të Kosovës, të dominuar nga serbët. Beogradi duhet ta kuptojnë se dështimi për të arritur marrëveshje do të thotë se ai do ta humbë çfarëdo shansi që mund të ketë në negociata për ta rimarrë Veriun.

Pastaj, shtetet perëndimore ngadalë, por në mënyrë të vendosur, do ta integronin pjesën veriore të Kosovës në autoritetin qeverisës të Prishtinës, pavarësisht rezistencës së dhunshme serbe, që është e mundshme. Ne vërtet besojmë se një veprim i tillë duhet të bëhet para se të nisin negociatat - duke i arrestuar krerët e bandave politiko-kriminale serbe që kontrollojnë Veriun - për ta bërë të qartë shqetësimin e Perëndimit për ndarje, por e pranojmë se është shumë vështirë që SHBA’ja dhe aleatët e saj të jenë të prirur, ose të pajtohen, për ta bërë një veprim të tillë, tash ose më vonë. Kjo është për keqardhje.

Ne nuk jemi adhurues të mëdhenj të politikës aktuale të Perëndimit ndaj Ballkanit, dhe nuk marrin asgjë të gatshme në lidhje me atë që Perëndimi bën atje. Një Kosovë e parehatuar mund të krijojë probleme për gjithë rajonin. Zgjidhja mund të mos jetë e lehtë, dhe situata mund të mbetet një konflikt i ngrirë. Në të vërtetë, mund të mos ketë negociata thelbësore.

Por, një zgjidhje do ta ndihmonte forcimin e katër shteteve të trazuara të ish-Jugosllavisë, dhe mendimi i GJND’së e ofron një mundësi të tillë. Perëndimi duhet ta përdorë iniciativën për çështjen e Kosovës për të bërë Bosnjën një shtet më efektiv dhe për ta ndihmuar zgjerimin e integrimit shqiptar në Maqedoni, duke vazhduar përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit.

--

Morton Abramowitz është bashkëpunëtor i lartë në Century Foundation dhe ish udhëheqës i Carnegie Endowment for International Peace.

James Hooper është drejtor menaxhues i organizatës joqeveritare Public International Law and Policy Group, e cila ofron ndihmë ligjore falas për shtetet dhe vendet e përfshira në konflikte.
XS
SM
MD
LG