Ndërlidhjet

Mali i Zi: Hetime për një varreze masive me trupa të shqiptarëve


Me nismën e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe të misionit EULEX, si dhe me urdhër të Prokurosisë së Malit të Zi, në Andrijevicë kanë filluar hetimet për një varrezë masive, në të cilën, gjatë luftës së fundit në Kosovë, thuhet se janë varrusor trupat e shqiptarëve.

Këtë informacion shkurtazi e ka konfirmuar një zëdhënëse e gjykatës së lartë në Bjello Pole.

Siç njoftojnë mediat malazeze, gjatë luftës, kur qindra refugjatë shqiptarë nga Kosova kishin bërë përpjekje për të kaluar në territorin e Malit të Zi, në Andrijevicë ndodhej komanda e policisë ushtarake, në të cilën ishin marrë kryesisht refugjatët meshkuj, të dyshuar për lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Më tutje raportohet se në një loakalitet, 70 kilometra nga Andrijevica, për tre muaj të vitit 1999, janë vrarë më se 20 civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.

Për këtë krim të luftës aktualisht po mbahet një proces gjyqësor kundër disa rezervistëve ushtarakë dhe oficerit Predrag Strugar, që ishte komandant i bataljonit të ushtrisë, në rajonin e të cilit u bënë krimet.
XS
SM
MD
LG