Gëzim, ndjenjë triumfi dhe lehtësimi ka mbizotëruar te liderët kosovarë, pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u deklarua se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt, nuk shkeli asnjë dokument ndërkombëtar.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka quajtur ditën e sotme të bekuar. Ai ka thënë se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës e mirëpresin dhe e çmojnë shumë lart urtësinë e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje”.
“Mendimi i sotëm i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të parrëzueshme që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj nga e mbarë bota demokratike”, ka thënë Sejdiu në një konferencë për gazetarë, pas përfundimit të seancës së GJND-së.
Presidenti Sejdiu ka theksuar se vendimi i GJND-së “heq përfundimisht të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, dhe iu ka bërë thirrje këtyre vendeve që ta marrin këtë vendim sa më shpejt.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka pritur që vendimi i GJND-së të jetë në favor të Kosovës, por ai është befasuar për të mirë me vendimin që e ka quajtur shumë konkret dhe të drejtpërdrejtë.
“Sot, për qytetarët e Kosovës, për institucionet e Kosovës, për ne si përfaqësues të popullit, është një ditë e rëndësishme, një ditë që hap perspektiva të reja dhe njohje të reja dhe krijon një pozicion të avancuar të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar”, është shprehur Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka shtuar se opinioni i GJND-së nuk do t’i shërbejë vetëm Kosovës, por të gjithë atyre miqve ndërkombëtarë, që e kanë mbështetur shtetin më të ri, gjatë gjithë këtyre viteve.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se pas mendimit të 22 korrikut të GJND-së, askush në botën demokratike nuk ka asnjë arsye që ta pengojë hapërimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç është dhe OKB-ja.
“Ky është vendim i organit më të lartë të OKB-së, dhe unë besoj se me automatizëm, edhe Këshilli i Sigurimit, edhe të tjerët do ta kuptojnë se ky vendim është legal, është legjitim dhe unë besoj që tashmë janë hapur rrugët dhe është vetëm çështje kohe dhe procedurale anëtarësimi i Kosovës në OKB, por nuk ka ndonjë pengesë tjetër në hapërimin e Kosovës”, ka thënë Kuçi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe partitë opozitare e kanë mirëpritur vendimin e GJND-së, duke thënë se qartësia dhe saktësia e tij, kanë qenë befasuese për to.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur mendimin e GJND-së, një triumf për Kosovën. Nënkryetari i kësaj partie, Blerim Shala, ka thënë se GJND-ja dha më shumë sesa u prit nga kosovarët.
“Diçka e tillë është pritur, por duhet thënë realisht jo në përmasat e një qartësie dhe saktësie që e pamë sot, e që shkoi në dobi të Republikës së Kosovës. Mendoj, që veçmas ka qenë me rëndësi që raporti i forcave ka qenë 10 me 4, pra në favor të Kosovës kanë votuar edhe gjykatësit nga shtetet që nuk na kanë pranuar”.
“Ajo çfarë ka ndodhur sot është një rekapitullim i historisë të së drejtës në tre shekujt e fundit dhe, po ashtu, një rekapitullim i zhvillimeve politike dhe historike prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitin 1991 deri në vitin 2008, kur u bë Kosova shtet i pavarur”, ka pohuar Shala.
Në anën tjetër, kreu i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se pas pavarësisë, dita e sotme ka qenë më e mira për Kosovën.
“Ishte një vendim aq eksplicit, aq unanim, dhe mbi të gjitha një elegancë aq e mirë profesionale e arsyetimit të gjykatës, sa që ka imponuar një respekt të shtuar për drejtësinë ndërkombëtare”.
“Ndjehem i lumtur si qytetar i këtij vendi, ndërsa si lider i një partie opozitare na pret një rrugë shumë e përgjegjshme, nga tash e deri më 15 shtator, kur është Asambleja e Përgjithshme e OKB-së”.
“Uroj që kësaj radhe të mbledhim mend; presidenti i vendit ta tubojë tërë spektrin politik që e formon shtetin e Kosovës dhe të përgatitet një qasje shumë serioze e profesionale, në mënyrë që sa më parë të jetë e mundur që Kosova t’i bashkohet shoqërisë së Kombeve të Bashkuara”, është shprehur Daci.
Pas mendimit të GJND-së, njëra nga përfaqësueset e serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se në të ardhmen pret mbështetjen e Beogradit për serbët e Kosovës.
“Kjo, përfundimisht paraqet dështim të politikës së vazhdueshme të udhëhequr nga Beogradi që nga Millsoheviqi, bombardimet, Koshtunica, Korniza Kushtetuese e deri në ditët e sotme”.
“ Pres ndryshim të politikës së Beogradit në kuptimin që të mbështesë qytetarët e tij në territorin e Kosovës dhe të forcojë Kishën Ortodokse përmes konsultimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, BE-në, Amerikën dhe gjithsesi në marrëveshje me shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Trajkvoiq.
Kuvendi i Kosovës pritet të dalë me një deklaratë mbi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të hënën, më 26 korrik.