Ndërlidhjet

Dell: GJND-ja s’krijon konflikt për praninë ndërkombëtare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Pikëpyetjet ligjore rreth pavarësisë së Kosovës tashmë janë hedhur pas krahëve pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. E ardhmja dhe hapat e mëtejmë tashmë janë të rëndësishëm.

“Pyetja që shtrohet tani është se si të dyja vendet, Kosova e Serbia, do të ecin përpara që të krijojnë një të ardhme më të mirë për veten e fëmijët e tyre. Përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet ta japin vetë të dyja vendet”.

“Ne shpresojmë dhe mbështesim që qasjet e vendeve të jenë në kuadër të perspektivës evropiane për të dyja shtetet”,
tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell

.
Kristofer Dell

Dell theksoi se e ardhmja evropiane mbetet një opsion real për të dy vendet, ndonëse Bashkimi Evropian duhet të gjejë një gjuhë të përbashkët rreth Kosovës, pas vendimit të GJND-së.

“Është e dëshirueshme që të dyja vendet, Kosova e Serbia, të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe ky i fundit do të punojë në këtë drejtim. Se si do të veprojnë 22 vendet evropiane që e kanë njohur Kosovën dhe strukturat e përbashkëta evropiane me pesë vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, është një çështje e brendshme që duhet t’i përgjigjet vetë Unioni”.



“Pozicioni i Bashkimit Evropian është i tillë që nuk parandalon Kosovën e Serbinë të jenë pjesë e BE-së një ditë. Ky opsion është real dhe mbi tryezë”
, tha Dell duke folur për qasjen e mundshme të Brukselit pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kjo e fundit, sipas Harold Hongju Koh, këshilltar ligjor i Departamentit të Shtetit, me opinionin e dhënë nuk lë vend për dyshime dhe debate mbi të ardhmen e statusit të Kosovës.
Nuk ishte një vendim i marrë me votim të ngushtë. Dhjetë kundër katër, është një fitore e thellë në konceptin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.


“Nuk ishte një vendim i marrë me votim të ngushtë. Dhjetë kundër katër, është një fitore e thellë në konceptin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”
, tha Koh.

Duke sqaruar pjesën për opinionin e GJND-së, nga pikëpamja ligjore dhe ndikimin e mundshëm në pjesë të tjera të botës, Koh shpjegon:

“Opinioni i Gjykatës ishte marrë bazuar ngushtë në situatën unike faktike të Kosovës. Në këtë kuptim, opinioni nuk ka një zbatim më të gjerë sa i përket të drejtës për shkëputje apo vetëvendosje të së drejtës ndërkombëtare”.


Ambasadori Dell dhe eksperti ligjor i Departamentit të Shtetit, Koh, adresuan dhe problemin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë pas publikimit të opinionit të GJND-së.

Koh bën një shpjegim të pastër ligjor të problemit:

“Nuk mendoj se Gjykata iu përgjigj pyetjeve të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën dhe mjedisit atje, përfshirë dhe atë nëse pranitë e ndryshme ndërkombëtare mund të bashkëjetojnë në Kosovë, ose jo”.


Ka qenë ambasadori Dell ai që bëri shpjegimin politik dhe konkret të raporteve mes EULEX-it, KFOR-it e UNMIK-ut nga një anë dhe Qeverisë së Kosovës, nga ana tjetër.

“Nuk mendoj se kishte diçka në opinionin e Gjykatës që krijonte konflikt mes Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të krijuara nga rezoluta 12 44. Të gjitha këto prani mund të bashkekzistojnë fare mirë”,
pohoi Dell.

Ambasadori amerikan në Prishtinë dhe eksperti ligjor i Departamentit të Shtetit, i cili kishte mbrojtur pavarësinë e Kosovës përpara GJND-së në seancat dëgjimore të dhjetorit të kaluar, i bënë komentet e tyre në Uashington disa orë pas publikimit të opinionit këshillëdhënës të GJND-së.
XS
SM
MD
LG