Ndërlidhjet

Zbatimi i Ligjit kundër diskriminimit



Me gjithë faktin se janë mbushur shtatë vjet që kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin kundër diskriminimit, zbatimi i tij në praktikë është shumë larg realitetit, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe atyre qeveritare, që merren me të drejtat e njeriut në Kosovë.

Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë se, edhe pse diskriminimi në Kosovë shprehet në forma të ndryshme, shumica e popullatës ende nuk është e njoftuar me ekzistencën e këtij ligji.
... sikurse ligjet tjera që kanë zbatim të dobët, edhe Ligji kundër diskriminimit nuk bën përjashtim në këtë kuadër...


“Unë mendoj se sikurse ligjet tjera që kanë zbatim të dobët, edhe Ligji kundër diskriminimit nuk bën përjashtim në këtë kuadër. Sipas raportit të Zyrës për qeverisje të mirë, por edhe nga organizata joqeveritare, thuhet se nuk është i kënaqur zbatimi. Në anën tjetër, institucionet tona përgjegjëse kanë bërë shumë pak që opinioni i gjerë të njihet me ligjin",
shprehet Vuniqi.

Edhe në raportin e fundit të Institucionit të Avokatit të Popullit, thuhet se Ligji kundër diskriminimit nuk zbatohet në mënyrë të mjaftueshme dhe efektive.

E gjithë kjo, sipas raportit, ndodh për shkak të mungesës së njohurisë nga ana e opinionit në përgjithësi, për mundësitë që ofron ky ligj për mbrojtje nga diskriminimi, si dhe për mekanizmat mbrojtës të paraparë me këtë ligj.

Prandaj, thuhet në raport, Qeveria e Kosovës do të duhej të vazhdonte me organizimin e fushatave, me qëllim të vetëdijesimit të opinionit publik për rëndësinë e këtij ligji dhe për mekanizmat përkatës që ofrojnë mbrojtje në rastet e pohuara për diskriminim.

Në anën tjetër, Habit Hajredini, nga Zyra për qeverisje të mirë, në kuadër të Kryeministrisë së Kosovës, pranon se Ligji kundër diskriminimit nuk zbatohet në nivelin e duhur, por, sipas tij, përpjekjet nuk kanë munguar.
Ne, vazhdimisht kemi lansuar fushata vetëdijesuese, kemi organizuar debate, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në komuna të
ndryshme...


Hajredini shton se që nga viti 2004, kur edhe është miratuar ky ligj, Qeveria e Kosovës ka organizuar fushata të ndryshme me të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Ne, vazhdimisht kemi lansuar fushata vetëdijesuese, kemi organizuar debate, jo vetëm në nivel qendror, por edhe në komuna të ndryshme, me tema të ndryshme që i dedikohen zbatimit të ligjit, duke prekur çështjen e jodiskriminimit në sektorë të ndryshëm, qoftë në aspektin e të drejtave të personave me nevoja të veçanta dhe në sektorë të ndryshëm, të drejtave të fëmijëve, të moshuarve, e që ndërlidhen komplet me diskriminim”,
shpjegon Hajredini.

Por, Luljeta Vuniqi, thotë se fushatat vetëdijesuese nuk kanë qenë të mjaftueshme, pasi format e diskriminimit në Kosovë janë të shumta dhe të ndryshme. Madje, sipas Vuniqit, moszbatimi i këtij ligji, po i sjell pasoja të mëdha shoqërisë kosovare.

“Pasojat janë të shumëfishta për njerëzit, sepse siç e dini, grupet e margjinalizuar, janë grupe në risk, siç janë, grupet e njerëzve me nevoja të veçanta, ose grupet tjera në këtë kuptimin minoritete dhe gratë si grup i margjinalizuar”.

“Do të thotë, një spektër i gjerë i kategorive të ndryshme sociale dhe shoqërore tona në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe të tjerët në mënyrë të tërthortë afektohen nga moszbatimi i ligjit”
, thekson Vuniqi.

Sidoqoftë, synimi parësor i Ligjit kundër diskriminimit është parandalimi dhe luftimi i diskriminimit, ngritja e shkallës së barazisë efektive dhe realizimi i parimit të trajtimit të barabartë të qytetarëve të Kosovës para ligjit.
XS
SM
MD
LG