Ndërlidhjet

BE-ja përshëndet rezolutën e ndryshuar


Bruksel
Bruksel

Ketrin Eshton ka thënë se rezoluta e re është e paraqitur nga 28 vende evropiane, përkatësisht nga 27 vende të BE-së dhe Serbia.


Bashkimi Evropian ka përshëndetur vendimin e Serbisë që të pranojë ofertën e BE-së dhe që bashkërisht të 27 vendet e BE-së dhe Serbia të paraqesin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së rezolutën rreth mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, në një deklaratë, e cila sapo është lëshuar nga kabineti i saj, ka përshëndetur deklaratën e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, për paraqitjen e tekstit të ri të rezolutës nga ana e Serbisë.

Eshton ka thënë në këtë deklaratë se tash kjo rezolutë është e paraqitur nga 28 vende evropiane, pra nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga Serbia.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Ketrin Eshton, gjatë takimit me presidentin serb, Boris Tadiq, në Bruksel më 07 shtator 2010


Eshton ka thënë se dialogu, i cili pritet të nisë menjëherë pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të ishte vetvetiu një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Ajo, po ashtu nënvizoi rëndësinë e integrimeve evropiane për tërë rajonin e Ballkanit dhe perspektivën evropiane të Serbisë.





Zyrtarët në BE kanë thënë se pranimi i Serbisë që rezolutën ta paraqesë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, shënon një kthesë dhe siguron që kjo rezolutë të ketë mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Diplomatët në Bashkimin Evropian kanë pohuar se teksti i ri i rezolutës tash kënaq edhe shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sepse në asnjë mënyrë nuk kërkohet që të ketë negociata të reja për statusin e Kosovës.

Në anën tjetër, kjo rezolutë është kompromis edhe për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse në atë Kosova nuk përmendet si shtet.

Sido që të jetë, në Bashkimin Evropian thonë se vetë rezoluta ka rëndësinë e saj politike, por më e rëndësishme është ajo që do të pasojë - e ajo që do të pasojë është një dialog në mes të Prishtinës dhe Beogradit, i cili, siç është shprehur BE-ja, edhe një herë do të ndihmohet nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG