Ndërlidhjet

Pa transparencë, s'ka rezultate


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur, shoqëria civile shpreh shqetësimin për jotransparencë nga ana e institucioneve të Kosovës. Mostransparenca, sipas shoqërisë civile, po e rrit edhe nivelin e korrupsionit.


Institucionet publike të Kosovës, nuk kanë me se të krenohen në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur. Të paktën kështu vlerëson shoqëria civile, e cila kritikoi institucionet për një mbyllje drejt qasjes në informacionet zyrtare.

Seb Bytyçi nga Instituti Ballkanik i Politikave ( IPOL), tha se mostransparenca ngjall dyshime për korrupsion.

“Transparenca është ilaçi më i mirë kundër korrupsionit dhe kjo vlen sidomos për Kosovën. Këtë duhet ta theksojmë në këtë ditë, për shkak se në këtë kohë Kosova ka një nivel të ulët të transparencës në institucione publike dhe kjo të dërgon drejt perceptimeve për një korrupsion të lartë”,
tha Bytyçi.

Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsion theksuan se nga mungesa e transparencës, niveli i korrupsionit vazhdon të jetë në shkallë të lartë në shumë institucionet e vendit.

Safet Goxhuli, nga AKK-ja, pohoi se Kosova aktualisht ka nevojë për një transparencë të madhe.

“Mungesa e Transparencës, plus mungesa e llogaridhënies është e barabartë me korrupsionin. Agjencia Kundër Korrupsionit, misionin e vet e mbështet me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Transparenca do të luante një rol shumë të madh në parandalimin e korrupsionit kur dihet që e rrit llogaridhënien”,
u shpreh Goxhuli.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare në raportet e tyre për Kosovën kanë kritikuar disa herë organet e drejtësisë së Kosovës për korrupsion dhe mungesë transparence.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Prokurorisë së shtetit, janë zotuar se do të jenë transparentë. Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, kërkoi nga të gjitha organet e tjera të sistemit të drejtësisë, që sikurse organi që ai drejton, të jenë më të hapur në punën që bëjnë.

“Unë konsideroj që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës me ndryshimet, të cilat janë bërë kohëve të fundit, po ashtu edhe Gjykata Supreme e Kosovës, kanë qenë shumë transparente në këtë periudhë dhe unë besoj që nuk ka fitim të besimit të publikut nëse ai nuk e di sa në çka punojmë. Ne duhet të jemi ata, të cilët duhet ta njoftojmë publikun me atë që jemi duke punuar”,
theksoi Kabashi.

Në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Ditur, Lëvizja "FOL" deponoi dy padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës - një ndaj Komunës së Prishtinës dhe tjetra ndaj Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit për refuzim të qasjes në dokumentet zyrtare.

28 Shtatori është Dita Ndërkombëtare e së Drejtës për të Ditur. Kjo ditë shënohet në vende të ndryshme të botës dhe paraqet një veprim kolektiv të shoqërisë civile për të fuqizuar kërkesat për qasje në informacion zyrtar.
XS
SM
MD
LG