Ndërlidhjet

Beqaj: Izolimi i Kosovës - interes i askujt


Besim Beqaj
Besim Beqaj

"Izolimi i Kosovës nuk i shkon për shtati askujt, as Kosovës, as Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, ne kemi dinamizuar punën tonë institucionale, për të plotësuar kushtet", thotë për Radion Evropa e Lirë Besim Beqaj, ministër për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës.








Artan Haraqija
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, fillimisht na bëni një përmbledhje të shkurtër të vizitës suaj në Pragë – me kë u takuat dhe cilat ishin temat kryesore që diskutuat?

BESIM BEQAJ
Vizita ishte një ndër vizitat shumë të suksesshme zyrtare. Me këtë rast, unë kam pasur mundësinë të takohem me ministrin e Jashtëm, zotin Shvarcenberg, me ministrin e Brendshëm, me ministrin e Mbrojtjes, me dy zëvendësministrat për punë të jashtme dhe me zëvendësministrin për çështjet evropiane.

Kemi diskutuar tema të ndryshme, nga ato të gjera politike deri te gjërat konkrete në fushën e bashkëpunimit ndërpolicor, në fushën e bashkëpunimit ekonomik, nevojën për përshpejtimin e dinamikës për nënshkrimin e marrëveshjes për ripranim.

Por, e rëndësishme është se morëm konfirmimin e politikës së jashtme të Çekisë dhe asaj të brendshme e të mbrojtjes, se janë në përkrahje të fuqishme të zhvillimeve në Kosovë dhe të rrugës së saj për integrim në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë kërkon konkretisht Kosova, jo vetëm prej Çekisë, por prej të gjitha vendeve anëtare të BE-së? Ju bëj këtë pyetje sepse rregullisht në prononcimet e juaja përmendni trajtimin e drejtë të Kosovës nga ana e Brukselit zyrtar. Çka nënkuptoni saktë?

BESIM BEQAJ
Kosova edhe më tutje trajtohet si rast special në shumë gjëra dhe kërkesa ime është që të trajtohet në mënyrë të barabartë si të gjitha shtetet. Këtu kam theksin në proceset teknike, që janë të lidhura me procesin e integrimeve evropiane.

Nëse flasim për udhërrëfyes për liberalizim të vizave, të flasim për gjëra identike sikurse të gjitha shtetet. Nëse flasim për proces të integrimit dhe për proces të marrëveshjes për asociim-stabilizim, gjithashtu të jetë marrëveshje e drejtpërdrejtë, sikurse me të gjitha shtetet.

Edhe nëse flasim për marrëveshjet tregtare, të flasim për marrëveshjet e plotfuqishme tregtare, që na mundësojnë të hyjmë në raporte kontraktuale me Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, ju flisni, ose pak a shumë krijoni përshtypjen, sikur Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e veta dhe se tani vetëm Brukseli pritet që t’i ofrojë atë që u është ofruar vendeve të tjera të Ballkanit. Sa i ka kryer Kosova obligimet e veta që t’ia kërkojë këtë gjë Brukselit?

BESIM BEQAJ
Unë mendoj se asnjëherë nuk e kam thënë që Kosova i ka kryer të gjitha obligimet. Unë kërkoj qasje të barabartë. Nëse flasim për liberalizim të vizave, mund t’ua konfirmoj dëgjuesve tuaj se Kosova i ka plotësuar, më mirë se të gjitha shtetet e rajonit, kriteret për hyrje në procesin e liberalizimit të vizave.

Pra, ka bërë ligjin për ripranim, ka bërë strategjinë për riintegrim, ka bërë planin operativ, ka ndarë mjetet për këtë vit, të cilat janë të nevojshme, dhe ka buxhetuar për vitin e ardhshëm përkrahjen dhe funksionalizimin e planit operativ për integrim.

Po flasim për gjëra krejt konkrete dhe në këtë drejtim, në këtë fazë, ne jemi më të avancuar se të gjitha shtetet tjera, të cilat kanë qenë në fazën e para-marrjes së udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni që Brukselit po i mungon faktikisht një qasje e drejtpërdrejtë ndaj Kosovës, unike, për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare dhe kjo është ajo pse i mungon Kosovës udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave...

BESIM BEQAJ
Dinamika që ne presim nga Komisioni Evropian është që të përshpejtohet në raportet me Kosovën, sepse ne edhe ashtu jemi vonuar për shkak të proceseve të tjera në këtë rrugëtim. Por, gjithsesi problem në vete është edhe fakti i mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe këtu ka gjëra shumë konkrete pse kemi pengesa.

Po e zëmë, nëse ne duhet të bëjmë marrëveshje për riatdhesim, në kushte normale, të gjitha shtetet e kanë bërë me Komisionin Evropian, në emër të 27 anëtarëve, ndërsa neve na duhet të bëjmë marrëveshje bilaterale me secilin shtet veç e veç. Kjo ka qenë një ndër temat që kam diskutuar me ministrin e Brendshëm (të Çekisë), në mënyrë që ta përmbyllim para përfundimit të vitit. E kam marrë konfirmimin që do ta mbyllim para përfundimit të vitit.

Pra, flasim për punë shtesë që neve na kërkohet. Kërkojmë një dinamikë të përshpejtuar, asnjëherë duke kërkuar favore nga ana e Komisionit Evropian, por duke qenë striktë, duke respektuar kohën normalisht, për të na i hapur mundësitë e barabarta sikur për të gjitha vendet tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët disa prej kushteve teknike të këtij procesi, që normalisht është më i rëndësishëm - tek e fundit, ka vëmendjen kryesore edhe të popullatës së Kosovës, përmendët ligjin për riatdhesim, ndarjen e buxhetit për këtë punë, nënshkrimin e marrëveshjeve veç e veç me shtetet, për shkak të specifikës së Kosovës, mirëpo nuk përmendët për shembull edhe kushtet tjera, si pasaportat biometrike. Çka e ka penguar Kosovën të përmbushë edhe një kusht tjetër?

BESIM BEQAJ
Unë mendoj se ne duhet t’i kuptojmë këto dy si dy procese në faza. Është faza e parë e hapjes së dialogut për liberalizimin e vizave. Pra, ne po flasim për fazën e parë, ku duhet të jepet udhërrëfyesi apo strategjia, për shkak të mospranimit nga pesë vendet.

Faza tjetër është pastaj faza që kërkon plotësimin e kritereve të tjera shtesë. Kriter i fundit që duhet plotësuar janë pasaportat biometrike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni se faza e parë është plotësuar komplet?

BESIM BEQAJ
Faza e parë është plotësuar komplet nga ana e Kosovës dhe ne po kërkojmë të hyjmë në fazën e dytë. Faza e dytë kërkon së paku tri çështje që janë thelbësore, e në të cilat ne jemi duke punuar në mënyrë intensive. Është çështja e reformës së regjistrit civil...

Unë i kam njoftuar autoritetet e Çekisë, por edhe gjatë vizitave të mia në Bruksel, në Strasburg dhe në të gjitha qendrat e tjera, se Kosova ka 75 për qind të regjistrave civilë të digjitalizuar dhe deri në fund pritet që të digjitalizohen komplet. 97 për qind të komunave të Kosovës janë të lidhura me intranet, që nuk është rast me shumë vende të tjera. Pra, ka një avancim të mirë.

Dhe, normalisht, nga momenti kur ne flasim për plotësimin e këtij kriteri, atëherë kalojmë në fazën e lëshimit të pasaportave biometrike. Parakusht për lëshimin e pasaportave biometrike është regjistri civil i mirëfilltë, i digjitalizuar dhe i harmonizuar me standardet e Unionit Evropian.

Në këtë drejtim, neve na është thënë që të mos ngutemi, por ne, megjithatë, kemi shkuar në proces paralel. Pra, njëkohësisht jemi duke bërë parapërgatitjet për lëshimin e pasaportave biometrike dhe përgatitjet për regjistrin civil.

Një element tjetër që është i rëndësishëm, është menaxhimi i integruar i kufijve, që është një kusht shumë, shumë i rëndësishëm. Ne kemi prodhuar tërë bazën legjislative për menaxhim të kufijve dhe pjesët tjera nënlegjislative, pra atë pjesën sekondare të legjislacionit, përmes udhëzimeve administrative që japin shpjegime shtesë në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht të gjithave, situata është ajo çfarë është - tash edhe Shqipëria, edhe Bosnja priten shumë shpejt të përfitojnë nga ky program. Sa po rrezikohet Kosova që të mbetet praktikisht një vend tërësisht i izoluar, ndoshta më shumë për arsye politike, siç thoni ju, sesa për arsye teknike apo praktike...

BESIM BEQAJ
Ai proces është në drejtim. Ne mirëpresim hyrjen e Bosnjës dhe të Shqipërisë në listën e bardhë të Shengenit, por kemi bërë dhe po bëjmë të gjitha përgatitjet që dhe ne të fillojmë atë proces.

Normalisht, izolimi i Kosovës nuk i shkon për shtati askujt, as Kosovës, as Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, ne kemi dinamizuar punën tonë institucionale, për të plotësuar kushtet, që të mos shkojmë atje dhe të ankohemi se kemi mbetur të fundit, por të japim argumente të fuqishme që gjërat nga ana jonë janë duke u kryer.

Mendoj se në këtë drejtim ne do ta dinamizojmë komunikimin. Unë mund të them që në 3-4 muajt e fundit, komunikimi me Brukselin dhe me qendra të tjera të vendosjes në këtë fushë është i jashtëzakonshëm.

Kemi treguar pjekuri politike për të hyrë në procese shumë të rëndësishme të reformave, që janë të nevojshme për të krijuar hapësirë për të lëvizur. Pra, nuk jemi ata që duam të ankohemi për procese dhe ta gjuajmë te dikush tjetër obligimin. Jemi duke bërë detyrën tonë në mënyrë të harmonizuar me BE-në, jo vetëm për shkak që ky proces të shkojë drejt integrimit, por për shkak të qytetarëve në fund të fundit, sepse dëshirojmë të krijojmë shtet funksional brendapërbrenda Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, jo vetëm për liberalizimin e vizave, por në përgjithësi për procesin e integrimit evropian krijohet përshtypja që Kosova është gjithmonë ajo që kërkon dhe nuk ofron. Ju edhe gjatë takimeve këtu e keni bërë të qartë që nuk është ashtu. Çka po i ofron Kosova BE-së?

BESIM BEQAJ
Unë, gjatë takimeve që kisha sot dhe dje, kam treguar se Kosova nuk është ajo, e cila vetëm kërkon, por edhe ofron, ofron vlera njerëzore, ofron mundësi të zhvillimit ekonomik, nga mundësitë që ka, sepse asnjë treg i Evropës Juglindore nuk dallon shumë prej tregjeve të tjera.

Prandaj, në këtë kontekst mund të flasim për një mundësi shumë të mirë. Në këtë drejtim, nuk flasim për raporte dhe marrëdhënie të njëanshme, por flasim për marrëdhënie të dyanshme. Unë mendoj se Kosova do të sjellë në Evropë një frymë jashtëzakonisht të re, progresive, të gjeneratave të reja.

Ky është elementi më i rëndësishëm kur flasim për nivelin e tretë të globalizmit.

RADIO EVROPA E LIRË
Më duhet patjetër që te kjo pikë të ndalem edhe te një intervistë e juaja që keni dhënë në muajin gusht për agjencinë austriake të lajmeve APA... Mediat austriake ju kanë cituar duke lënë përshtypjen se e vetmja mundësi apo e vetmja ofertë që Kosova, sipas jush, i ofron Bashkimit Evropian ose vendeve, është një popull i ri që mund të bëjë punë fizike... Ka qenë edhe titull i mediave austriake, si: “Kosova ofron të jetë një rezervuar i fuqisë punëtore për popullsinë tashmë të mplakur të BE-së”...

BESIM BEQAJ
Duhet të bëjmë një dallim. Nëse thuhet një rezervuar për fuqinë punëtore, është e vërtetë, por jo një rezervuar për fuqi fizike punëtore. Këtë intervistë e kam dhënë në Bled dhe kam qenë shumë specifik. Kam thënë që Kosova ofron fuqi punëtore të edukuar mirë, e cila do të jetë kompetitive në tregjet brenda e jashtë dhe në këtë drejtim është element shumë i rëndësishëm për Evropën.

Por, nuk është ky elementi i vetëm. Ne flasim për resurse shumë të fuqishme të Kosovës. Kosova konsiderohet se në aspektin e resurseve energjetike është një ndër vendet më të pasura të rajonit. Dhe, Evropa në mënyrë të jashtëzakonshme ka nevojë tani për prodhimin e energjisë elektrike. Jo vetëm Evropa, por mbarë bota.

Prandaj, flasim për nivele të tilla, flasim për produkte, të cilat në të ardhmen Kosova do të jetë e gatshme t’i eksportojë, siç janë produktet me origjinë biologjike të mirëfilltë, pa aditive. Kosova ka resurse të tilla, ka mundësi për gjëra të tilla.

Nuk pretendojmë të jemi fuqi fizike, nuk pretendojmë të jemi fuqi e madhe industriale... Pretendojmë të jemi fuqi kualitative, punëtore, e njerëzve të edukuar mirë dhe që i njohin rrethanat e ekonomisë botërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur keni përmendur çështjen e moshës, ne jemi një popull relativisht shumë i ri dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për popujt që janë në mplakje e sipër të vendeve të Evropës - kjo ndoshta mund të ketë shkaktuar dhe habinë dhe të jetë keqkuptuar...

BESIM BEQAJ

Çështja e kuptimit, nënkuptimit dhe keqkuptimit është çështje që mediat duhet ta adresojnë vetë. Unë po e them një gjë shumë të qartë dhe ajo është se rinia jonë është rini e shkolluar, rini që mund t’u shërbejë, këtë e kam thënë dhe në intervistë, në mënyrë shumë profesionale të gjitha ndërmarrjeve ndërkombëtare, posaçërisht atyre evropiane që dëshirojnë të hyjnë në tregun e Evropës Juglindore.

Prandaj, në këtë kontekst flasim për një përgatitje të mirëfilltë, por njëkohësisht Kosova mund t’u shërbejë edhe si treg, ku në fushën e industrisë mund të ofrojë shërbime për shumë ndërmarrje të mëdha, sepse kemi një industri të lehtë, e cila mund të zhvillohet në mënyrë shumë të suksesshme në Republikën e Kosovës dhe të jetë pjesë e sistemeve të mëdha ekonomike.

Ne nuk pretendojmë të zhvillojmë industri gjigante, e cila ka ekzistuar në ish-Jugosllavi, sepse është humbje shumë e madhe e kohës për të hyrë në atë konkurrencë. Por, flasim për gjëra që janë cilësore. Një fushë tjetër që është duke lindur, është fusha e teknologjisë informative.

RADIO EVROPA E LIRË
Zëvendësministri i Jashtëm i Çekisë u tha gazetarëve kosovarë se “nënshkrimi i marrëveshjeve politike ose dokumenteve nuk nënkupton domosdoshmërisht afrimin e atij vendi me BE-në, por janë investimet e huaja, ose krijimi i kushteve të mira për investime të huaja, për pranimin e kompanive evropiane ose botërore në vendin që aspiron BE-në...”.

Në këtë aspekt, Kosova ndoshta është shumë larg, sepse shifrat zyrtare thonë se në Kosovë jo vetëm që nuk ka rritje të investimeve të huaja direkte, por ka madje rënie të investimeve direkte...

BESIM BEQAJ
Një gjë duhet ta kemi të qartë – shteti është ai i cili krijon parakushte për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim ekonomik. Pa pasur marrëveshje ndërshtetërore në fusha të ndryshme, është e pamundur të krijohet hapësirë e mirëfilltë për ekonomi.

Por, ne folëm me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, se përveç bashkëpunimit në fushën e liberalizimit të vizave dhe bashkëpunimeve të tjera, është me interes të dyanshëm bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së investimeve dhe në eliminimin e taksimit të dyfishtë mes dy vendeve tona, në mënyrë që të favorizojmë ekonominë.

Normalisht, interes i përjetshëm i të gjitha integrimeve, çfarë është Unioni Evropian, është bashkëpunim ekonomik. Prandaj, në këtë drejtim ne dëshirojmë të hapim rrugën për të gjitha.

Por, kini parasysh historinë e BE-së, që kjo marrëveshje është bërë njëherë si gatishmëri politike e liderëve të atëhershëm të BE-së, që ka rezultuar me marrëveshje për thëngjill dhe çelik, e që pastaj ka pasur në fokus interesin fillimisht në produktet e bujqësisë dhe në industri, e më pas ka rrjedhur në atë që sot quhet gati edhe union politik - edhe pse edhe më tutje kemi një hezitim të shumë vendeve të vjetra anëtare të BE-së në këtë sferë.
XS
SM
MD
LG