Ndërlidhjet

Klinton dhe Eshton pa dallime për dialogun


Hillary Clinton
Hillary Clinton
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ndodhet në Bruksel në një vizitë, ku qëllimi i saj, para së gjithash, është pjesëmarrja në takimin e ministrave të NATO-s.

Mirëpo, ajo të enjten, gjatë qëndrimit në Bruksel, ka pasur takime edhe në selinë e Bashkimit Evropian, ku, mes tjerash, është diskutuar edhe për situatën në Ballkan dhe për Kosovën në veçanti, posaçërisht për përgatitjet për nisjen e dialogut eventual mes Serbisë dhe Kosovës.

Sipas burimeve nga BE-ja, në këtë takim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë shfaqur, siç thuhet, mendime që janë të përputhshme rreth modalitetit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Nga burimet e Bashkimit Evropian mësohet se do të vazhdohen konsultimet në relacion Uashington - Bruksel, por edhe me Beogradin dhe Prishtinën në përgatitje të modaliteteve të këtij dialogu.

Ajo që është qëndrim i të gjitha palëve, thonë burimet e BE-së, është perspektiva euro-atlantike e tërë rajonit dhe këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë qëllime të njëjta.

Por, në pyetjet konkrete se si mund të angazhohen SHBA-të në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, zyrtarët e BE-së pohojnë se rreth kësaj do të vazhdohen konsultimet, sepse, sipas fjalëve të tyre, BE-ja nuk sheh ndonjë problem në angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por për këtë duhet të pajtohen të gjitha palët - pra, jo vetëm Brukseli e Uashingtoni, por edhe Prishtina dhe Beogradi.

Sa i përket takimeve në NATO, Kosova nuk ka qenë temë e këtyre takimeve kësaj radhe, sepse është nisur diskutimi vetëm për konceptin e ri strategjik të aleancës që pritet të miratohet në samitin e Lisbonës, që zhvillohet muajin që vjen në kryeqytetin portugez.

Lidhur me planet e NATO-s, NATO-ja dëshiron që të modernizohet në mënyrë që të jetë e gatshme t’u përgjigjet sfidave të reja, siç janë edhe sulmet raketore dhe sulmet terroriste.

Koncepti i vjetër i NATO-s nuk mund të jetë mjet për t’iu përgjigjur sfidave të reja, ka thënë Sekretarja amerikane e Shtetit, Clinton.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë se NATO-ja duhet të jetë më fleksibile dhe më e gatshme që të veprojë në kushtet dhe rrethanat e reja.

Rasmusen ka thënë se parimi i NATO-s do të mbetet mbrojtja territoriale e vendeve të Aleancës, mirëpo NATO-ja do të jetë e gatshme t’u përgjigjet edhe sfidave të reja, prandaj ai ka shprehur kënaqësi me mbështetjen që kanë treguar ministrat për planin e strategjisë së re të konceptit.
XS
SM
MD
LG