Ndërlidhjet

Paraja nuk blen gjithmonë mirëqenien


Kabul: Në pritje të ndihmave mujore...
Kabul: Në pritje të ndihmave mujore...
Indeksi i Mirëqenies (The Legatum Prosperity Index), i cili e mat pasurinë dhe mirëqenien në botë, ka gjetur se shumë vende në Evropën Lindore dhe në Azi kanë programe relativisht të forta të shëndetit dhe edukimit, por vuajnë nga qeverisja e keqe.

Studimi gjithashtu ka gjetur se në shkallë globale, rritja ekonomike nuk është e mjaftueshme që një popull të jetë i lumtur.

Jiehae Choi është kërkuese dhe analiste e programit në Institutin “Legatum” në Britani.

“Shumica e këtyre vendeve, shkallën e shëndetësisë dhe edukimit e kanë të lartë, por qeverisja është e dobët. Korrupsioni, mungesa e besimit në sistemin gjyqësor apo në zgjedhjet, janë faktorët e pakonsoliduar të qeverive jotransparente”, thotë Choi.

Indeksi e mat percepcionin e ekonomisë, të sipërmarrjes dhe mundësive, pastaj qeverisjen, edukimin, shëndetësinë, sigurinë, lirinë e individit dhe kapitalin shoqëror.

Choi thotë se shumica e vendeve të Evropës Lindore i edukojnë mirë njerëzit e tyre, por nuk janë aq të suksesshme që t’u ofrojnë atyre mundësi për ta përdorur atë edukim.

“Ajo që mund ta bëjnë dhe që duhet ta bëjnë vendet e Evropës Lindore, është që të sigurohen që popullata e tyre të ketë më shumë mundësi për punësim dhe më shumë mundësi për t’i filluar bizneset që duan t’i nisin”, thotë Choi.

Ashley Lenihan, bashkëpunëtore e lartë e Institutit “Legatum”, thotë se disa vende kanë trende të ndryshme, edhe pse kanë pasur histori të ngjashme.

“Trendet e ndryshme dallohen nga Kroacia në vendin e 38-të, deri te Kazakistani në vendin e 50-të dhe Pakistani në vendin e 109-të. Ky është një brez i gjerë i radhitjes që vjen si pasojë e trashëgimisë së ndryshme në këto vende”, thotë Lenihan.

Kriza globale ekonomike gjithsesi ka filluar të pasqyrohet, por ndikimi i saj në të dhënat do të mund të shihet vitin e ardhshëm, thotë Lenihan.

Sidoqoftë, paraja nuk është gjithçka. Irlanda dhe Islanda, dy nga vendet më të goditura nga recesioni global, radhiten në vendin e 11-të dhe 12-të, në saje të shkallëve të larta të lirisë së individit, edukimit, kujdesit shëndetësor dhe qeverisjes së mirë.

Lenihan thotë se njëri nga zbulimet kryesore të studimit është se demokracitë e zhvilluara, të cilat kanë nivele të larta të lirisë së individit, të besimit dhe të tolerancës, janë më prosperueset dhe kjo mirëqenie është përzierje e pasurisë dhe lumturisë.

Në krye të listës është Norvegjia, pas së cilës radhiten Danimarka, Finlanda, Australia dhe Zelanda e Re. Shtetet e Bashkuara ndodhen në vendin e 10-të.

Lenihan thotë se synimi i Indeksit të Mirëqenies është që të promovojë mendimin rreth prosperitetit dhe lumturisë në kuptimin më të gjerë. (v.p.)
XS
SM
MD
LG