Ndërlidhjet

Qeveria në votëbesim, të martën


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka thirrur për të martën seancën ku do të shqyrtohet dhe votohet mocioni i votëbesimit ndaj Qeverisë aktuale. Miratimi i mocionit do të çonte në shkarkimin e Qeverisë dhe shpërndarjen e Parlamentit, çka si rrjedhojë do të sillte deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.


Qeveria e Kosovës do t’i nënshtrohet të martën votëbesimit në Kuvend. Mocioni i Aleancës Kosova e Re është shqyrtuar të premten nga Kryesia e Kuvendit dhe konform tij, është marrë vendim që seanca të thirret ditën e marte.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se miratimi i këtij mocioni në Kuvend do ta obligonte më pas atë që të ndërmerrte hapa që e çojnë Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Si Kryesi dhe me shefat e Grupeve Parlamentare vendosëm që të thirret seanca për këtë mocion të martën në ora 12:00, për të verifikuar se kjo qeveri e pakicës a e ka mbështetjen e Kuvendit apo jo. Nëse seanca e së martës voton për mocionin e mosbesimit për Qeverinë, atëherë dihen procedurat e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka bërë të ditur Krasniqi.

Ndonëse nuk e përjashtojnë mundësinë që të martën ta përkrahë votimin e mocionit për t’i marrë besimin Qeverisë Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk pajtohen me përmbajtjen e tekstit të këtij mocioni.

Arsyetimi në mocion se kriza institucionale është edhe pasojë e largimit të ministrave të LDK-së nga Qeveria, nuk vazhdon të pëlqehet aspak nga ish-partia në pushtet, LDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se ky tekst nuk përkon me atë që solli deri te kriza institucionale. Por, se a do ta votojë apo jo LDK-ja mocionin, sipas Beqirit, do të vendosin organet e partisë.
Ligjvënësit kosovarë


“Mocioni i votëbesimit apo mosbesimit ndaj Qeverisë me arsyetimin e dhënë në tekst, për LDK-në është i paqëndrueshëm. Nuk është ndonjë arsyetim për ne i mjaftueshëm për diçka të tillë. Këtu flas si kryetar i Grupit Parlamentar, por është shumë e qartë se për vendimet e tilla të rëndësisë së veçantë politike e institucionale vendos partia”
, është shprehur Beqiri.

Ngjashëm me LDK-në, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pohuar se nuk pajtohet aspak me konstatimet në arsyetimin e mocionit.

Kjo parti ka vlerësuar se mocioni është dashur të ketë si arsyetim dështimin e Qeverisë. Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se AAK-ja gjithmonë ka kërkuar t’i jepet fund kësaj qeverisjeje, sipas tij, të dëmshme për Kosovën.

“Ky arsyetim nuk i bën nder as opozitës dhe as Kosovës dhe kjo është arsyeja pse ne nuk e kemi nënshkruar këtë mocion. Mosnënshkrimi i mocionit është çështje tjetër, kurse votimi ose jo i shkarkimit të kësaj qeverie është diçka tjetër”.

“Mendoj se nuk ka dilema në Kosovë se cili është pozicioni i AAK-së. Pozicioni ynë është që kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi, se kjo qeveri i ka sjellë dëme të mëdha Kosovës në shumë raste të pariparueshme”
, ka vlerësuar Gjini.

Mbështetje mocionit, pavarësisht përmbajtjes, i ka dhënë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Kryetari i saj, Nexhat Daci, ka theksuar se për Kosovën është e rëndësishme që të shkurtohet koha e krizës, në të cilën është futur.

“LDD do ta votojë mocionin e mosbesimit. Unë kurrë nuk jam i paqartë as para adhuruesve të mi, as para opinionit publik dhe as para jush dhe edhe në këtë rast jam i qartë”
, ka theksuar Daci.

Disa nga anëtarët e Kryesisë kanë shprehur vërejtje edhe në lidhje me formën e prezantimit të mocionit, pasi që disa deputetë i kanë emrat e shënuar, por jo edhe nënshkrimet e tyre.

Ibrahim Gashi, anëtar i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re, ka thënë se kjo është një çështje teknike që do të rregullohet para seancës.

“Mendoj që arsyetimi për mocionin është shumë i qartë dhe i mbështetur tërësisht në Kushtetutë. Vërejtjet që u dhanë në lidhje me vërtetësinë e nënshkrimeve, besoj deri në seancë, ata deputetë që e kanë shkruar me dorën e tyre emrin, por nuk e kanë vënë edhe nënshkrimin, do ta vënë, dhe kjo është një çështje teknike që nuk ka asnjë dyshim se do të zgjidhet deri të martën”
, ka thënë Gashi.

Ndryshe, për miratimin e mocionit dhe marrjen e besimit Qeverisë aktuale, nevojiten 61 vota të deputetëve. Me rënien e Qeverisë, pason edhe shpërndarja e Parlamentit.

Kurse, jo më larg se tri ditë pas, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, do të duhej të shpallte datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, e cila nuk mund të jetë më gjatë sesa 45 ditë nga data e shpërndarjes së Parlamentit.

Lexoni edhe këtë: Fundi i partneritetit PDK - LDK
XS
SM
MD
LG