Ndërlidhjet

Pasojat nga tregu i zi i barnave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese


Barnat me afat të skaduar në tregun kosovar janë bërë fenomen shqetësues për shoqërinë. Këto barna mund të gjenden si në institucionet publike, po ashtu edhe në ato private, thonë vetë zyrtarë të sistemit shëndetësor.

Qytetarët janë ata që pësojnë nga barnat me afat të skaduar. Nora Gashi, qytetare, thotë se një e afërme e saj është trajtuar shumë gjatë me një bar, e që nuk ka pasur efekt, për shkak se ka qenë me afat të skaduar. E gjithë kjo është kuptuar pasi që vajza 10-vjeçare është dërguar jashtë Kosovës.

“Kemi rastin e një fëmije që është trajtuar me Longacef dhe kur është dërguar në një klinikë jashtë Kosovës, është parë që Longacefi ka qenë me afat të skaduar dhe nuk ka pasur substancë aktive aspak”.

“Edhe ato barna që hyjnë, të cilat janë me banderola, sa kam informata, laboratorët nuk funksionojnë, nuk e di çfarë kontrollimi ju bëhet atyre barnave?! Ndoshta u shihet data e skadimit... Ndoshta Ministria e Shëndetësisë është fajtore që nuk i kontrollon sa duhet dhe nëpër barnatore nuk ka kontroll të duhur përderisa këto barna ekzistojnë”,
shprehet qytetarja Nora Gashi.

Edhe vetë zyrtarët konfirmojnë se tregu i zi me barna është prezent dhe se pasojat janë evidente. Haki Ejupi, monitorues i sistemit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, pohon se rreth 25 për qind e barnave në tregun kosovar, kontrabandohen dhe hyjnë prej kanaleve jo të autorizuara për shitje.

“Në bazë të disa të dhënave të konfirmuara, rreth 25 për qind e sasisë së barnave kanë të drejtë në mënyrë legjitime të qarkullojnë në tregjet kosovare, në barnatore apo me shumicë dhe 25 për qind kontrabandohen apo hyjnë prej kanaleve jo të autorizuara për shitje”
, pohon Ejupi.


Për ta luftuar këtë fenomen, Ejupi konsideron se është përgjegjësi e inspektoratit farmaceutik. Megjithatë, Ejupi tregon se ky inspektorat, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka vetëm 5 inspektorë për tërë territorin e Kosovës.

Inspektorati farmaceutik i ka 5 inspektorë që nuk është numër i mjaftueshëm. Nuk mund të jenë efikas për krejt Kosovën 5 inspektorë. Mund të kërkojmë të rrisim numrin e inspektorëve, por mendoj se më tepër do të ishte e nevojshme një infrastrukturë ligjore”, thekson Ejupi.

Në anën tjetër, Jeton Shala, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM), thotë se vazhdimisht dhe në mënyra të ndryshme mundohen ta luftojnë fenomenin e kontrabandimit me barna.

“Jemi duke mbajtur mbledhje me Doganën, udhëheqësinë e krimeve ekonomike me kryeinspektorin e farmacisë, që ta ndalim tregun e zi. Nuk mund të them se nuk ka; tregu i zi ekziston, por kam kërkuar që të kthehet inspektorati dhe ta luftojë tregun e zi që ta parandalojmë aq sa mundemi”
, sqaron Shala.

Ndërkaq, Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Doganat e Kosovës, thotë se në vitin 2010, Dogana i ka kapur 18 raste të kontrabandës me barna. Ky kontrabandim ka qenë i përqendruar në pjesën veriore të vendit.

“Të gjitha (barnat) janë konfiskuar dhe kanë filluar procedurat e kundërvajtjes. Kryesisht kontrabanda ka qenë në pjesën veriore. Qëllimi pse tentohet të kontrabandohet, është shmangia nga tatimi. Barnat e kontrabanduara janë kryesisht prodhime të kompanive të ndryshme, për shembull, së fundi në Aeroport janë kapur barna nga Turqia”, konfirmon Stavileci.

Sipas Ligjit për produkte medicinale, që është miratuar në vitin 2003 nga Kuvendi i Kosovës, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale ka të drejtë të ndërmarrë masa ndëshkuese, të cilat do të caktohen nga gjykatat kompetente të Kosovës ndaj atyre që fusin në treg barna me afat të skaduar, apo me prejardhje të dyshimtë.

Lexoni edhe këtë: Kush i asgjëson barnat e skaduara?
XS
SM
MD
LG