Ndërlidhjet

Administrata e (pa)reformuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Maqedonisë i nevojitet përpjekje e mëtejshme për zbatimin e kornizës ligjore, sa i përket reformave në administratën publike, porosisin përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar autoritetet shtetërore të Maqedonisë. Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve, Vasko Naumovski, thotë Qeveria e Maqedonisë ka hartuar një strategji të re për reforma në administratën shtetërore, me të cilat synon reformimin e kësaj sfere.


“Nevojiten përpjekje më të mëdha në drejtim të transparencës, profesionalizmit dhe pavarësisë në administratën publike, veçanërisht në respektimin e kornizës ligjore, si dhe gjatë rekrutimit të stafit drejtues administrativ”
, thotë për Radio Evropa e Lirë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, duke folur për kritikat e apostrofuara dhe në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian.

“Gjithsesi se është fakt se Qeveria është punëdhënësi më i madh në shtet, gjë që paraqet problem - këtu duhet shtuar dhe mungesën e kuadrit profesional në administratën publike. Tashmë është bërë praktikë që gjatë procesit zgjedhor të punësohen mbështetësit politikë, një situatë e këtillë dëmton procesin e reformave në administratë”
, shprehet ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, duke theksuar se vetëm një administratë e shkurtër dhe profesionale, shkurton rrugën e integrimit të Maqedonisë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve, Vasko Naumovski, thotë se Qeveria e Maqedonisë ka hartuar një strategji të re për të reformuar administratën shtetërore, me të cilën synon depolitizimin e kësaj sfere të ndjeshme për zhvillimin demokratik të shtetit.

“Kjo përbërje qeveritare ka për qëllim të reformojë plotësisht administratën, sado i vështirë të jetë ky proces, dhe njëherësh të ndërtojë mekanizma të tillë që punëtorët administrativë të mos keqpërdoren për interesa të ngushta partiake”,
deklaron zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve, Vasko Naumovski.

Sipas Naumovskit, administrata publike do ta ndryshojë imazhin dhe do të jetë më pranë qytetarëve, për të cilët edhe ekziston.

Por, në këtë konstatim nuk beson opozita, sipas së cilës, punëtorët administrativë shihen si makineri votuese dhe asgjë më shumë.

“Gjatë tërë kohës veçanërisht dy viteve të fundit kemi një realitet, ku siç mund t’i quajmë, ushtarët partiakë me libreza partiake, punësohen në administratë. Ky problem, me të drejtë është detektuar dhe nga Komisioni Evropian”,
thotë deputetja e partisë shqiptare në opozitë, Flora Kadriu, nga Demokracia e Re, sipas së cilës problem më vete paraqet dhe mosangazhimi me vite të tëra me vendime të përhershme pune i punonjësve administrativë.

Por, kjo dukuri, thotë deputeti i BDI-së, Tahir Hani, është plagë e trashëguar nga e kaluara:

“Nëse opozita flet me këtë gjuhë, atëherë është koha e fundit që këtë proces të gjithë bashkërisht ta ndërpresim, pra, të mos kemi punësime në bazë të përkatësisë partiake, sepse kjo dukuri zanafillën e ka që nga vitet ‘90”.


Ndryshe, Brukseli ka drejtuar kritika të ashpra sa i përket dhe ngathtësisë, me të cilën qytetarët shërbehen, me ç`rast është theksuar se duhet shkurtuar shumë procedura, si dhe një pjesë e shërbimeve të mund të merren përmes postës elektronike.
XS
SM
MD
LG