Ndërlidhjet

Diskriminimi i personave me nevoja të veçanta


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Të premten, më 3 dhjetor, në tërë botën shënohet dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta. Në Kosovë përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, kërkojnë nga autoritetet kompetente eliminimin e të gjitha formave ekzistuese të diskriminimit.


Personat me nevoja të veçanta në Kosovë, përjetojnë situatë ndryshe nga ajo që është propozuar në “Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut”, në të cilën mbështetet ndërtimi i një Kosovë të Re, thotë Afrim Maliqi, udhëheqës i organizatës për personat me nevoja të veçanta, “HANDIKOS”.

Komenti i tij vjen në prag të ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta. Maliqi thotë se kjo kategori e shoqërisë ballafaqohet me situatë të rëndë të varfërisë dhe se është e margjinalizuar nga qëndrimet dhe paragjykimet negative. Për këtë arsye, sipas Maliqit, këta persona ende trajtohen si qytetarë të rendit të dytë dhe si barrë e shoqërisë.

“Personat me aftësi të kufizuara janë pjesë integrale e shoqërisë së Kosovës, prandaj kjo çështje preokupuese nuk u takon vetëm personave me aftësi të kufizuara, por është një luftë që duhet fituar nga të gjithë, pavarësisht a jemi të rritur, fëmijë, burra apo gra, persona të 'shëndoshë', apo me aftësi të kufizuara”,
thotë Maliqi.

Një ndër shqetësimet kryesore të personave me nevoja të veçanta, që në Kosovë, sipas organizatave që merren me këtë çështje, llogariten të jenë deri në 200 mijë, është situata socio-ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë, thotë edhe Zamira Hyseni, nga Iniciativa Kosovare e personave më të meta mendore (KMDRI).

“Edhe sot, në vitin 2010, personat me aftësi të kufizuara janë në gjendje shumë të rëndë ekonomike financiare, me burime shumë të kufizuara, të cilat e rëndojnë edhe jetën e tyre. Ndërsa, papunësia e tyre është duke ndikuar në përkrahjen e rregullt financiare që do të kontribuonte edhe në integrimin e tyre në shoqëri dhe drejt dinjitet, vetëbesimit dhe pavarësimit të tyre”, pohon Hyseni.

Për të përmirësuar sado pak situatën aktuale të kësaj kategorie të shoqërisë, Afrim Maliqi shpreh nevojën e zbatimit të ligjeve, të cilat tashmë janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Ligjet, rregulloret, të drejtat e njeriut, të gjitha këto të bazuara në Konventën Ndërkombëtare dhe të aprovuara si të tilla edhe në Kosovë, duhet të doemos të zbatohen dhe të respektohen nëse dëshirojmë të zhvillojmë shtetin tonë, ku do të ketë demokraci për të gjithë dhe që vendi ynë t’i përmbushë standardet drejt integrimeve evropiane sikurse vendet tjera të rajonit”,
shprehet Maliqi.

Edhe zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje, thonë se me gjithë përpjekjet për përmirësimin e kushteve të kësaj kategorie, zbatimi i ligjeve ende mbetet sfidë për autoritetet kompetente.

Habit Hajredini, nga zyra për Qeverisje të Mirë, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, shpjegon më shumë:

“Mund të them se gjendja, në aspektin legjislativ, është e mirë, është e dëshirueshme, institucionet tona kanë arritur të punojnë në hartimin e legjislacionit, por është një sfidë në zbatimin e legjislacionit në përgjithësi”.

“Dhe, në kontekst të kësaj, për t’u marrë me zbatimin e ligjeve në vend, ne kemi krijuar edhe mekanizmat adekuatë dhe kemi hartuar plane apo politika që të merren me zbatimin e dokumenteve tjera që janë fuqi”
.

Sidoqoftë, në bazë të ligjeve aktuale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përkrah financiarisht fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18-vjeçare, me shumën prej 100 eurosh, për të kaluar pas kësaj moshe në pensionin invalidor prej 45 eurosh në muaj.

Lexoni edhe këto:

Mundësitë e (pa)barabarta

Kërkesë për zyrtarizim të gjuhës së shenjave
Komuniteti i të verbërve kërkon mbështetje ligjore
XS
SM
MD
LG