Ndërlidhjet

BE: Pa premtime për Kosovën për viza, ky është dialog teknik


Bashkimi Evropian nuk i jep premtime Kosovës për fillimin e dialogut për heqjen e vizave, pasi ky është “dialog teknik”, deklaroi sot në Bruksel, Mikele Çerkone, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Por, sipas tij, Bashkimi Evropian po e analizon përmbushjen e kritereve nga ana e institucioneve të Kosovës për nisjen e dialogut për heqjen e vizave.

Nga ana tjetër, duke u shprehur për zgjedhjet në Kosovë, Angela Filote, zëdhënëse e komisionarit për zgjerim, Shtefan File, tha se BE-ja “shpreson se zgjedhjet në Kosovë do të jenë të lira dhe të ndershme”.

Mëtutje, ajo theksoi se Bashkimi Evropian i inkurajon “të gjithë qytetarët e Kosovës, që me daljen në zgjedhje, ta shfytëzojnë të drejtën e tyre demokratike”, në mënyrë që nëpërmjet të votimeve të realizohet programi evropian.

Këto komente ajo i bëri e pyetur nga gazetarët lidhur me raportet se Beogradi u ka bërë me dije serbëve në Kosovë se nuk e mbështet daljen e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme në Kosovë, më 12 dhjetor.
XS
SM
MD
LG