Ndërlidhjet

Strukturat paralele - pengesë për zgjedhjet në veri


Derisa ende nuk dihet nëse do të zhvillohet proces si rregullt zgjedhor në veri të Kosovës, 8 subjekte politike serbe garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Derisa ende nuk dihet nëse do të zhvillohet proces si rregullt zgjedhor në veri të Kosovës, 8 subjekte politike serbe garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Autoritetet vendore e ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë presin një proces të qetë zgjedhor më 12 dhjetor, por thonë se kanë bërë gati planet e tyre për të kontrolluar çfarëdo situate eventuale. Njohësit e çështjeve të sigurisë, ndërkaq, vlerësojnë se në veri nuk janë krijuar kushtet e nevojshme që do të garantonin një ambient të sigurt për zhvillimin e procesit zgjedhor.


Pavarësisht paralajmërimeve të serbëve lokalë të veriut të Kosovës, që flasin për pengimin e procesit zgjedhor të së dielës, mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë në vend, zotohen t’i kenë bërë planet operacionale për të mbajtur nën kontroll çfarëdo situate eventuale që mund të shfaqet.

Të dielën, në rajonin e Mitrovicës thuhet se do të jenë të angazhuar mbi 930 policë në 7 stacione policore, ndërsa vetëm në 4 stacione në veri të Kosovës do të veprojnë 250 pjesëtarë policorë të nacionalitetit serb.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti shpjegon:

“Vetëm në katër stacione në veri të Kosovës, përkatësisht në Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok dhe në veri të Mitrovicës do të jetë numri mbi 250 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të përkatësisë etnike serbe dhe të tjerë, të cilët do të angazhohen në ofrimin e sigurisë në procesin zgjedhor”.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, do të vazhdojë të ndihmojë, monitorojë dhe këshillojë autoritetet vendore të sigurisë.

Përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë thanë se përgjegjësinë kryesore për sigurinë më 12 dhjetor do ta ketë Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe se, siç thonë ata, trupat e KFOR-it do të ndërhyjnë për kontrollimin e situatave vetëm në rast nevoje.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Diter Vihter, nuk jep ndonjë detaj shtesë për numrin e trupave të angazhuar në veri në ditën e zgjedhjeve.
Ne jemi të mobilizuar edhe në ajër dhe do të mund të vendosemi e të kemi trupa në secilën zonë në Kosovë, varësisht situatës.


Për shkak të fshehtësisë sonë operacionale dhe planeve konfidenciale operacionale, për momentin nuk mund të jap ndonjë shifër për ushtarët, por duhet të jeni të sigurt se do të kemi mjaft trupa për ta menaxhuar situatën. Ne jemi të mobilizuar, edhe në ajër dhe do të mund të vendosemi dhe të kemi trupa në secilën zonë në Kosovë, varësisht situatës”, thotë Vihter.

Beogradi zyrtar u ka bërë thirrje serbëve kosovarë që të mos u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës.

Përfaqësues të serbëve të veriut njoftuan, kohë më parë, se do të ndërmarrin masat e nevojshme për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve në zonat e banuara me serbë në veri.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, shprehet pesimist për mundësitë që të dielën të ketë zgjedhje edhe në veri të vendit. Arsye për këtë, sipas Qehajës, është veprimi i strukturave paralele serbe të sigurisë dhe ndikimi i Beogradit zyrtar atje.
Atje janë struktura të tilla, jo vetëm të sigurisë serbe, të MUP-it serb, por edhe të shërbimit sekret serb...


“Atje janë struktura të tilla, jo vetëm të sigurisë serbe, të MUP-it serb, por edhe të shërbimit sekret serb - janë edhe individë, të cilët janë bartur nga Kroacia, për shembull si refugjatë, e që kanë ardhur aty dhe ata janë të vendosur që të mos lejojnë asnjë lëvizje pozitive që ka të bëjë me Kosovën”,
vlerëson Qehaja.

Mekanizmat përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë synojnë që në veri të hapin gjithsej 21 vendvotime, 13 prej të cilave do të jenë mobile, ndërsa 8 të tjerat statike.

Lexoni edhe këtë:

Zgjedhjet rrisin sigurinë në veri
XS
SM
MD
LG