Ndërlidhjet

UNDP: PDK, LDK përgjegjëse për krizën politike


Misioni për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka publikuar të dhënat kryesore të Anketës së Pulsit Publik.

Anketa flet për kënaqshmërinë dhe besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës për çështje të caktuara në lidhur me zhvillimet politike, ekonomike, sociale dhe ato që kanë të bëjnë me marrëdhënieve ndër-etnike.

Sipas të dhënave të dokumentit të UNDP-së, “më shumë se gjysma e të intervistuarve tregojnë se përgjegjësi kryesor për situatën e tanishme politike të Kosovës është qeveria e Kosovës (54%) e përcjellë nga partitë politike (17%) dhe EULEX-i (9%)”.

Ndërkohë, të pyetur për shkaktarin e krizës politike e cila e çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 12 dhjetor, të intervistuarit thuhet se kanë fajësuar njësoj të dy partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës (28%) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (30%).

Anketa vë në pah dhe mendimet e kosovarëve lidhur me gjendjen ekonomike të vendit. Qeveria e Kosovës, sipas 70.8% të të anketuarve, është përgjegjësi kryesor për situatën ekonomike në të cilën gjendet Kosova.

Anketa jep të dhëna për mendimet e qytetarëve lidhur me shkallën e korrupsionit në institucione të ndryshme, ku Korporata Energjetike e Kosovës konsiderohet si më e korruptuara, pasuar nga Agjencia Kosovare për Privatizim dhe Gjykatat.
XS
SM
MD
LG