Ndërlidhjet

Sërish ngrihet çmimi i bukës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pas ngritjes së çmimit të bukës, ka reaguar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, duke e quajtur si përfitim të njerëzve, të cilët e prodhojnë bukën.

Haxhi Arifi, kryetar i kësaj sindikate, thotë se në tregun ndërkombëtar nuk ka pasur ngritje të çmimit të grurit dhe se, sipas tyre, kjo lëvizje çmimesh e artikujve ushqimorë vjen si pasojë e përfitimeve personale, si rezultat i mosfunksionimit të mekanizmave shtetërorë.
...konsiderojmë se mekanizmat shtetërorë duhet ta monitorojnë dhe mos të lejojnë që populli
ta bartë këtë shtrenjtim.



“Nuk pajtohemi me ngritjen e çmimit të bukës, sepse nuk ka pasur nevojë të ngrihet çmimi. Ky është një përfitim i njerëzve, të cilët e prodhojnë bukën. Në bursë nuk ka pasur ngritje të çmimit të grurit, andaj ne konsiderojmë se mekanizmat shtetërorë duhet ta monitorojnë dhe mos të lejojnë që populli ta bartë këtë shtrenjtim. Mund ta zvogëlojnë edhe tash, dhe bashkë me shoqatat të mos e ngrenë çmimin e bukës”, thotë Arifi.

Në anën tjetër, Blerim Syla, qytetar, ngritjen e çmimit të bukës e konsideron si një veprim të rëndë për popullin, duke e marrë parasysh gjendjen ekonomike reale në vend.
“Kjo është një katastrofë... E ka shfrytëzuar nuk e di se kush, mbase ata që bien miell e transportojnë, mandej kanë gjetur zinxhirin në shoqata. Por, ne nuk kemi informacion që bursa e ka ngritur çmimin e grurit, prandaj nuk e di pse te ne është ngritur çmimi i bukës!”, shprehet Syla.

Ndërkaq, sipas Arifit, me ngritjen e çmimit të bukës, ngrihen edhe çmimet e artikujve të tjerë dhe kjo bie mbi supet e popullit, ku rreth 80 për qind e tyre jetojnë me 1 euro e disa centë në ditë.

“Shteti duhet të intervenojë me rezervat që i ka dhe të monitorojë përmes inspektoratit, me mekanizmat që posedon. Sapo të shtrenjtohet buka, ngrihen edhe çmimet tjera dhe krejt kjo bëhet nga mosfunksionimi i mekanizmave shtetërorë. Pse të ngrihen artikujt, në krahasim me shtetet perëndimore, kur ne i kemi pagat më të ulëta 10 herë, kurse çmimet i kemi më të larta se shtetet perëndimore dhe vendeve në rajon?! Nuk e di çfarë kuptimi ka kjo punë!”,
thekson Arifi.

Por, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Tregtisë, ngritja e çmimit të bukës ka ardhur si rezultat jo i ngritjes së çmimit të grurit në tregun ndërkombëtar, por të derivateve të naftës.

Ruzhdi Shehu, drejtor i Inspektoratit të tregut në këtë ministri, thotë se vazhdimisht inspektorati është në terren dhe kontrollon prodhuesit e bukës, por ngritja e çmimit të bukës është një fakt që po ndodh.

Shehu shton se në këtë rast Qeveria duhet të marrë masa në këtë drejtim, sepse buka është produkt elementar dhe përdoret shumë në vendin tonë.

“Buka, si produkt elementar është shumë i konsumuar në Kosovë. Ne kemi bërë shumë kontrolle, qoftë te prodhuesit e bukës, qoftë te shitësit që e shesin bukën dhe në bazë të kësaj del se kemi një ngritje të shpenzimeve të transportit, e sidomos të derivateve të naftës dhe kemi ngritje në bursë”,
shprehet Shehu.

Çmimi i bukës fillimisht ishte 30 centë, më pas u ngrit në 35 centë, kurse aktualisht vazhdon të shitet me 40 centë.

Lexoni edhe këtë:
Viti i ri solli çmime të reja
XS
SM
MD
LG