Ndërlidhjet

Bilalli: Arrestimet në A1, hakmarrje e pushtetit


Arrestimi i pronarit të TV A1, Velija Ramkovskit, më 24 dhjetor 2010.
Arrestimi i pronarit të TV A1, Velija Ramkovskit, më 24 dhjetor 2010.
Duke komentuar arrestimet e pronarit dhe drejtuesve tjerë të Televizionit A1 në Shkup, analisti Mersel Bilalli thotë se bëhet fjalë për hakmarrje të pushtetit ndaj këtij mediumi. Ndërkohë, ekspertët juridikë thonë se masa e paraburgimit prej 30 ditësh nuk është e drejtë, pasi personat e arrestuar ishin të kapshëm dhe me kohë kishin shprehur gatishmërinë e hetimit të punës së tyre.



Arrestimi i pronarit të Televizionit A1 dhe gjithë drejtuesve tjerë të këtij mediumi, por edhe të firmave tjera që janë në pronësi të biznesmenit Velija Ramkovski, janë edhe një dëshmi për mosfunksionimin apo keqpërdorimin e institucioneve për qëllime politike, vlerëson analisti Mersel Bilalli.

Analisti Bilalli shton se situata e krijuar është pasojë e, siç shprehet, panikut që mbretëron në radhët e pushtetit, i cili nuk zgjedh metoda për t’i bërë të heshtin ata që mendojnë ndryshe nga ai.

“Pushteti tani gjendet në një panik, nga i cili vetë është fajtor dhe mendon se me mjete të dhunës, frikësimit apo presioneve, t'i heshtë mediumet dhe të qeverisë me pushtetin me forma që janë kundër standardeve demokratike të orientimeve euroatlantike”,
thotë Bilalli.

Por, i pyetur se si i komenton pretendimet e Ministrisë së Brendshme dhe të Prokurorisë për ekzistimin e provave të fuqishme për përfshirjen e të arrestuarve në veprimtari kriminale, si: fshehje tatimi, larje parash dhe vepra tjera kriminale, zoti Bilalli thotë se mbështet çdo veprim ligjor të pushtetit për luftimin e kriminalitetit.

Mirëpo, forma e ndërmarrë, sipas Bilallit, hedh dyshimin se megjithatë bëhet fjalë për hakmarrje ndaj mediumit që në vazhdimësi ka publikuar afera nga më të ndryshme pikërisht për përfshirje të zyrtarëve shtetërorë në kriminalitet.

“Askush nuk është kundër atyre veprimtarive, por forma si bëhet ajo dhe forma seleksionuese të çon te konstatimi se bëhet fjalë për hakmarrje ndaj disa mediumeve. Edhe fëmijët e dinë se disa pronarë të mediumeve, të cilët ndërtojnë politikë feudale në provincat e tyre lokale të zhytur në kriminalitet, janë partnerë të koalicionit qeveritar”,
vlerëson Bilalli.

Nga ana tjetër, ekspertët juridikë e quajnë jo të drejtë vendimin e Gjykatës për shqiptimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të gjithë drejtuesit e TV A1, për shkak se, sipas tyre, ata çdo herë kanë shprehur gatishmëri të bashkëpunojnë me institucionet dhe as që kanë menduar të fshihen për t'iu shmangur përballjes me pushtetin gjyqësor.

Margarita Caca Nikollovka, ish-gjykatëse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke folur për obligimet e pushtetit gjyqësor, thekson:

“Kudo në botë pushteti gjyqësor në njëfarë mënyrë është korrektor, apo ka për detyrë që të korrigjojë edhe diçka që mund të jetë gabuar nga pushteti ekzekutiv apo ai ligjvënës. Por, për fat të keq, këtu ndodh e kundërta. Pra, pushteti ekzekutiv dëshiron që të ketë dorë edhe mbi pushtetin gjyqësor”.

Nga ana tjetër, Mersel Billalli thotë se Maqedonia, pas këtyre arrestimeve, do të përballet me reagime të fuqishme ndërkombëtare. Ato për momentin, sipas tij, mungojnë, pasi pushteti me mjeshtëri ka zgjedhur periudhën e tashme për të bërë arrestimet, pasi në këtë kohë të gjithë diplomatët perëndimorë ndodhen në pushime për festat e fundvitit.
XS
SM
MD
LG