Ndërlidhjet

Selami: Do t’i tregojmë penguesit e luftës anti-korrupsion


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Korrupsioni në Maqedoni po merr përmasa shqetësuese, në veçanti në sferën e pushtetit gjyqësor, i cili, madje, po e pengon edhe luftën kundër korrupsionit, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ilmi Selami, kryetar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Sipas Selamit, nëse s'përmirësohet situata, komisioni do t’i publikojë emrat e të gjithë zyrtarëve shtetërorë që po e pengojnë luftën kundër korrupsionit.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selami, cilat janë të dhënat e Komisionit anti-korrupsion; në cilat sfera momentalisht dominon korrupsioni në Maqedoni?

ILMI SELAMI
Për fat të keq, në Republikën e Maqedonisë nuk parashtrohet pyetja se cilat sfera janë më tepër të korruptuara, por a ka sfera që nuk janë të prekura nga korrupsioni. Përfundimisht, Gjyqësori është ndër më problematikët në aspektin e korrupsionit, sepse në atë drejtim ka ndikime politike.

Gjithmonë, aty ku i fut hundët politika, prishen edhe sistemet e vlerave. Gjithashtu, edhe në administratën publike korrupsioni mbetet i pranishëm sikurse edhe në sferat tjera të jetës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka arritur komisioni që ju drejtoni, t’i luftojë dukuritë e korrupsionit dhe cilat kanë qenë pengesat që keni hasur në këtë drejtim?

ILMI SELAMI
Puna e komisionit është intensifikuar –ajo ka treguar rezultate konkrete, janë ngritur iniciativa për persona me emër në Republikën e Maqedonisë. E gjithë kjo është bërë me qëllim që personat që janë gjetur në raste korruptive, apo në konflikte të interesave, gjatë vitit 2010, të jenë aty ku e kanë vendin, prapa grilave.

Por, një gjë e tillë për fat të keq s’ka ndodhur nga organet përgjegjëse për këtë, pikë së pari mendoj për Prokurorinë dhe Gjyqësorin që duhej t’i procesonin denoncimet tona për dyshime në raste korruptive.

Shpresojmë se gjatë vitit 2011 do të kemi një shqyrtim më efektiv të lëndëve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, sepse vërtet të gjithë tashmë e kanë kuptuar se problemi kryesor, me të cilin përballet aktualisht Maqedonia, është korrupsioni.

RADIO EVROPA E LIRË
Në bazë të kësaj që thoni, del se gjykatësit, jo vetëm që janë të korruptuar, por edhe pengojnë aktivitetet e komisionit. Çfarë do të ndërmerrni për ta zhbllokuar këtë situate?

ILMI SELAMI
Lufta kundër korrupsionit është e penguar, nuk është e ndërprerë. Në këtë drejtim prapë e them që për të mos u bërë pjesë e korrupsionit, institucionet dhe personat që punojnë lëndët, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin, duhet të kenë një integritet më të shquar personal dhe profesional që t’i procesojnë lëndët me kohë, sepse vërtet kanoset rreziku që në vitin 2011, të hetohen personat që nuk i procesojnë rastet e korrupsionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selami, pse nuk i publikoni emrat e atyre që po e pengojnë luftën kundër korrupsionit?

ILMI SELAMI
Aty ku ka pengesa reale, do të dalim edhe me konkluza konkrete se cilat kanë qenë shkaqet që kanë penguar procesimin e rasteve korruptive, kurse në anën tjetër, aty ku ka pengesa reale të paarsyeshme, përfundimisht ne do të dalim edhe me emra dhe mbiemra dhe do të tregojmë se X-personi i X-institucionit, e ka penguar luftën kundër korrupsionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë vitit të kaluar ju ishit në luftë, thënë kushtimisht, me qeverinë lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore për shkurtimin e mandatit të anëtarëve të komisionit, si dhe me fondet për mbarëvajtjen e punës. Çfarë mendoni se qëndron pas kësaj: forcimi i rregullativës ligjore apo tentimi për të vendosur kontrollimin e qeverisë mbi punën e komisionit anti-korrupsion?

ILMI SELAMI
Korrupsioni gjendet atje ku vendoset. Nëse shihni se kush vendos në Maqedoni, mund të konstatoni se ai është pushteti, i cili kur pa në fund se iniciativat tona kanë të bëjnë me funksionarë të lartë shtetërorë, menjëherë erdhi rezistenca dhe kundër-goditja që pranuam.

Në fakt, fillimisht kishte të bënte me vonimin e pagave për anëtarët e komisionit. Vazhdoi me ndërprerjen apo shkurtimin e fondeve buxhetore që kishin të bënin me pengimin real të punës së komisionit, për të përfunduar me propozim-ligjin, i cili parashikonte shkurtimin e mandatit të anëtarëve të këtij komisioni me qëllimin e vetëm për të sjellë më pas anëtarët partiakë në komisionin anti-korrupsion.

Mirëpo, ne nuk u dorëzuam dhe as që e kemi ndërmend të dorëzohemi, sepse jemi të bindur se lufta kundër korrupsionit i bën mirë shëndetit të shtetit, shëndetit të pushtetit dhe, në fund, i bën mirë shëndetit të fëmijëve tanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mendimi juaj, a garanton një luftë të mirëfilltë një komunikim i këtillë për nivelin e komunikimit me qeverinë?

ILMI SELAMI
Niveli i kulturës politike, niveli i kulturës institucionale, niveli i kulturës së komunikimit nga ana e pushtetmbajtësve, nuk është ai që duhet të jetë. Madje, jo që nuk është ai që duhet të jetë, por ka rënë në nivelet më të ulëta që shënon niveli i komunikimit të përgjithshëm në Republikën e Maqedonisë. Kjo është, vërtet, për t’u brengosur, sepse një nivel i këtillë i komunikimit nuk flet mirë për luftën e përgjithshme kundër korrupsionit.
XS
SM
MD
LG