Ndërlidhjet

Mbyllen rivotimet me ankesa


Zgjedhjet në Kosovë
Zgjedhjet në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në pesë komunat ku është zhvilluar procesi i rivotimit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka dhënë përqindjen e pjesëmarrjes së votuesve në 5 komunat ku u përsëritën zgjedhjet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

“Në Deçan kemi pjesëmarrje 34. 59 për qind të votuesve, në Drenas 58. 68 për qind, në Lipjan në një qendër votimi 53. 31 për qind, në Skënderaj 61. 60 për qind, dhe në Malishevë në një qendër votimi 36.36 për qind".

"Në qoftë se i krahasojmë me zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit 2010, është si në vijim: Në Deçan 43.43 për qind, në Drenas 86. 94 për qind, në Lipjan 61.04 për qind, në Skënderaj 93.68 për qind dhe në Malishevë 46.79 për qind”
, ka bërë të ditur Daka.

Një nga parregullsitë në votimet e kaluara në Drenas dhe Skënderaj ka qenë pikërisht përqindja e lartë që nuk përkonte me numrin e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve.

Valdete Daka nuk ka dhënë vlerësime për procesin e sotëm, siç nuk i ka komentuar vërejtjet e partive politike dhe të vëzhguesve të pavarur mbi procesin e votimit.

Ndërsa, koalicioni “Demokracia në Veprim” ka vënë në pah se procesi është përcjellë me një sërë parregullsish.

Ky rrjet ka raportuar edhe për tërheqje të vëzhguesve nga një qendër votimi në komunën e Skënderajt, për shkak të kërcënimeve serioze që kishin marrë.

Një përmbledhje të procesit e bën Driton Selmanaj:

“Siç ju kemi informuar gjatë gjithë ditës, tërë procesin e ka përcjellë një numër i madh i parregullsive, si: tentimi apo votimi i personave më shumë se një herë, pastaj mungesa e energjisë elektrike që është paraqitur në shumë vendvotime. Në ato momente është krijuar një tollovi, sepse ka qenë një numër i shtuar i qytetarëve për të votuar dhe e keni parasysh se si mund të votohet me qirinj apo me bateri shkrepësesh”.


Por, Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se procesi i votimit ka qenë i rregullt dhe se janë hequr dilemat për parregullsitë e 12 dhjetorit, që edhe çuan në përsëritjen e votimeve në këto pesë komuna.
Rivotimet e pjesshme të 9 janarit 2011 ishin pasojë e disa parregullsive në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010...

Lidhur me këtë, zëdhënësi i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë:

“Tani që ka përfunduar procesi dhe është hyrë në fazën e numërimit të votave, mund të them se kemi pasur një proces demokratik, një proces që me të vërtetë i ka hequr të gjitha dyshimet që mund t’i ketë pasur ndokush për parregullsitë që kanë ndodhur më 12 dhjetor. Sot mund të thuhet se ka qenë një proces jashtëzakonisht i mirë, i cili meriton të përshëndetet nga të gjithë
”.



Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se ajo që u synua me rivotim - riparimi i zgjedhjeve të 12 dhjetorit, nuk u arrit. Arben Gashi nga kjo parti ka sqaruar më tepër:

“Procesi vlerësohet si proces me defekt, por që ka pasur njëfarë përmirësimi në krahasim me procesin e 12 dhjetorit; me defekte, sepse janë vërejtur problemet e tendencave të kaluara. Ky është një riparim që është munduar të bëhet, mirëpo për mendimin tonë, nuk është arritur”.


Lëvizja Vetëvendosje ka qenë partia e parë që ka denoncuar një sërë parregullsish, kryesisht të ndodhura në Skënderaj dhe Drenas. Rivotimi për Visar Ymerin nuk i ka përmbushur standardet demokratike:

“Do t’i kisha veçuar kërcënimet që u janë bërë vëzhguesve tanë në fshatin Izbicë të Skënderajt, si dhe sulmin ndaj Frashër Krasniqit, i cili ka qenë si vëzhgues i Vetëvendosjes në Prekaz të Epërm. Gjatë pjesës së dytë të ditës është vërejtur shtim i votuesve të shumëfishtë dhe mbushja artificiale e kutive në këto dy komuna. Ndërkohë, në shumë qendra votimi nuk është lejuar asnjë vëzhgues i Lëvizjes Vetëvendosje ta shkruajë asnjërën prej vërejtjeve të evidentuara nga ta, në librin e votimeve- pra, ta kryejnë këtë detyrë që është edhe ligjore sipas rregullave elektorale në Kosovë”.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka shprehur mendimin se edhe në këto zgjedhje u përsëritën parregullsitë e 12 dhjetorit.

Të premten, me një vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, KQZ-ja urdhërohet t'i përsërisë votimet edhe në Mitrovicë...

“Prapë ka parregullsi, të cilat janë identifikuar edhe herën e kaluar, që kanë të bëjnë me llambat, me ndaljen e rrymës elektrike, sidomos në Isniq e Gramaçel të Deçanit; po ashtu edhe në komunën e Skënderajt e Drenasit dhe kemi raste kur është votuar në mënyrë familjare, kemi raste të votimeve të dyfishta, të cilat në fakt janë dobësi që përcillen nga hera e kaluar”.


Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila, nga Aleanca Kosova e Re, ka thënë se votimi ka qenë më i qetë, por tendenca për të manipuluar procesin është vërejtur.



“Përgjithësisht ka pasur një ndjenjë se ka qenë një votim më i qetë, por që tendenca për të hyrë dhe për të manipuluar procesin është vërejtur, për shkak të monitorimit më të afërt dhe numrit të shtuar të vëzhguesve vërehet se ka pasur një qetësi më të madhe në këto qendra se në zgjedhjet e 12 dhjetorit”,
ka thënë Kusari-Lila.

Procesi zgjedhor i 9 janarit është monitoruar nga 500 vëzhgues vendorë, por nuk kanë munguar as ata ndërkombëtarë.

Shefi i ICO-së, Piter Feith, gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të së dielës në Drenas, ka thënë se nuk do të tolerohen mashtrimet dhe parregullsitë. Ai ka theksuar se procesi duhet të përmbyllet mirë.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Kristofer Dell, që ka qëndruar në Drenas dhe Skënderaj, ka potencuar se ky proces ishte më i mirë se ai i 12 dhjetorit.

KQZ-ja ka thënë se gjatë orëve të natës mund të dalë me rezultatet preliminare të rivotimit të së dielës.
XS
SM
MD
LG