Ndërlidhjet

Më 1 mars merr fund reduktimi i KFOR-it


Paqeruajtësit francez në Kosovë
Paqeruajtësit francez në Kosovë
Deri më 1 mars të këtij viti, NATO-ja planifikon të përfundojë fazën e reduktimit të trupave në Kosovë, duke arritur me këtë datë në numrin prej 5 mijë ushtarësh në misionin e KFOR-it.

Këtë e ka thënë të hënën në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders fog Rasmusen, duke folur në një konferencë për shtyp me gazetarët, konferenca e parë e tij për shtyp për këtë vit.

“Ne do të vazhdojmë me një proces gradual që të zvogëlojmë praninë tonë ushtarake në Kosovë. Kjo fazë e zvogëlimit do të kompletohet nga një marsi, pra faza e dytë rreth 5 mijë ushtarë nga 10 mijë sa kemi pasur në fazën e mëhershme”
, ka thënë Rasmusen.

Ndërkaq, në pyetjen e gazetarëve se a mund të konfirmojë se trupat nga Franca do të zëvendësohen në veri të Kosovës me trupat amerikane, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, vetëm ka thënë se në procesin e zvogëlimit të pranisë ushtarake të NATO-s në Kosovë, do të zvogëlohet edhe prania ushtarake e Francës, por edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, në NATO vazhdojnë të pohojnë se pa marrë parasysh se a do të zvogëlohet prania ushtarake në terren në Kosovë, NATO-ja gjithmonë do të mbajë numër të mjaftueshëm të ushtarëve për të qenë garantuesi kryesor i paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Këtë e kishte konfirmuar më parë edhe Sekretari i Përgjithshëm, Rasmusen. Po ashtu, zyrtarë të lartë të NATO-s vazhdojnë të pohojnë se ndarja e Kosovës nuk ekziston si opsion dhe këtë duhet ta kenë parasysh të gjitha palët.

Sipas NATO-s, situata në Kosovë konsiderohet të jetë stabile, megjithëse ajo është fragjile, por NATO-ja do të bëjë çmos që të ruajë paqen dhe stabilitetin në Kosovë në këtë kohë kur, sipas NATO-s, ekzistojnë edhe aktorët tjerë, qofshin vendorë apo ndërkombëtarë, që janë të angazhuar për sigurinë e Kosovës.

NATO-ja, po ashtu, vlerëson se bashkëpunimi i NATO-s me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in është i duhur dhe ai do të vazhdojë në interes të stabilitetit të Kosovës, që është në interes të të gjithë qytetarëve të saj.

NATO-ja posaçërisht pozitiv e konsideron transformimin e detyrës për të ruajtur objektet kulturore e fetare serbe nga ana e Policisë së Kosovës, objekte këto që më parë i kishte mbrojtur NATO-ja.
XS
SM
MD
LG